Perditësimi i fundit November 19th, 2024 9:57 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • Periodiku Islam në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore – Revista “Kultura Islame”
  • MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI
  • KRENARISË SË NJERËZIMIT – PROFETIT MUHAMED (A.S.) (Nga Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu – Zoti i mëshiroftë)
  • Abstracts no. 38
  • Abstraktet e nr. 38 (191)
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Çfarë keni bërë për ta ndjerë namazin?

Apr 19, 2017 Zani i Nalte Shkenca Islame 0


shutterstock_73741249

Abstrakt

Nëse me të vërtetë duam të realizojmë faljen e namazit ashtu siç duhet, duhet të zhvishemi nga çdo ndjenjë tjetër përveç kënaqësisë së Allahut (xh.sh.) dhe zemrën t`ia hapim Atij. Çdo fjalë që derdhet nga buzët, duhet të vuloset me vulën e vetëdijes. Për shembull, kur themi Elhamdulillah, duhet ta dimë mirë se ç`nënkuptohet me këtë fjalë dhe ta përpunojmë atë në vetëdijet tona e duke ngashëruar të themi “Të gjitha lavdërimet dhe të gjitha falënderimet e lartësimet, i takojnë vetëm Allahut (xh.sh.). Të bëj këtë, është detyra ime dhe e drejta e Krijuesit tim”. Kështu që ajo fjalë, të lartësohet te Allahu, së bashku me kuptimet e thella që kemi mbartur mbi të. Po ashtu, edhe kur të themi Err-Rrahman dhe Err-Rrahijm, të jemi të stolisur me të njëjtat ndjenja për Të. Kur të themi Maliki Jeumid-Din, ta vulosim këtë fjalë me kuptimet madhështore që përmban dhe në këtë formë t`ia paraqesim të Vërtetit. Namazi për ne, duhet të konsiderohet si një miraxh dhe për këtë duhet të përpiqemi sipas kapacitetit tonë të ndjejmë ato të vërteta që ndjeu Profeti ynë (a.s.). 

 

Pyetje: Ta lemë mënjanë namazin e Selefi salihinëve (të parëve tanë). Sot, shumica e njerëzve po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të anashkaluar namazet e detyruara. Kërkojmë edhe një herë këshillat tuaja në këtë pikë, për të mos rënë më pre e pamjes së jashtme, për të mos sakrifikuar më shpirtin e namazit me disa veprime formalitare dhe të arrijmë vetëdijen për një përkushtim të thellë gjatë faljes?!.. 

Përgjigje: Besimi dhe namazi, janë të dy pjesë të një foleje të përbashkët; namazi, është vëllai binjak i besimit. Besimi përfshin edhe pjesën e jashtme të fesë dhe jetës fetare, e kjo pjesë rikuperohet vazhdimisht dhe arrin të bëhet njësh me natyrën nëpërmjet adhurimeve të ndryshme, por më shumë, me më të parin e tyre, namazin. Sipas kësaj mund të thuhet se namazi është një besim i praktikuar dhe besimi një namaz i praktikuar. Ata që e kanë përjashtuar nga jeta e tyre konceptin e thellimit në adhurime dhe e shikojnë fenë thjesht si një pranim ndërgjegjësor, sado që punët e veprimtaritë t`i orientojnë sipas kritereve fetare, pa e kuptuar fare u vjen dita që mund të bien në mëkat. Po, shtylla e fesë është namazi. Namazi e pastron njeriun nga papastërtitë shpirtërore, çdo ditë pesë herë, nëpërmjet lumenjve të pendesës që rrjedhin drejt përjetësisë. Ai, është një detyrë aq e rëndësishme, një strehim aq i sigurt saqë edhe në momentet më të zjarrta siç janë luftërat, të ofrohen rrugët më të shkurtra për ta kryer atë dhe më të afërta drejt përjetësisë. Për këto veçori kaq të larta, namazi ka zënë vendin më të rëndësishëm në jetën e njerëzve të Shekullit të Lumtur, saqë të gjithë Miqtë e të Vërtetit, nuk janë mjaftuar asnjëherë me namazet e detyruara por e kanë përsosur jetën duke falur çdo ditë qindra rekate vullnetare.

 

Të dashuruarit me namazin

Udhëzuesi ynë, Profeti Muhamed (a.s.) gjatë gjithë jetës së tij tregoi një shembull shumë të bukur dhe një kujdes shumë të afërt me namazin, saqë zgjoi në zemrat e ndjekësve dashuri të thellë për “ajkën e adhurimeve”. Ai, që thoshte për namazin, “namazi është drita e syve të mi”[1], që e praktikonte atë në një mënyrë më të dashur, më të zellshme se dashuria apo zelli që ndiejnë të tjerët për disa gjëra të tjera[2], që qëndronte në këmbë derisa i ënjteshin këmbët[3], që disa herë nuk kalonte në rekatin tjetër derisa të lexonte disa xhuze nga Kur`ani[4], që gjatë faljes i dëgjohej zëri i ngashërimeve, siç dëgjohet zëri i një tenxhereje kur zien, apo i një mulliri kur e punon me dorë[5], që dridhej përpara të Vërtetit në momentin e sexhdes[6]. Vetëm një përqendrim i tillë, një ndjeshmëri e tillë si e Profetit të Nderuar (a.s.), mund t`i bënte sahabet të dashuruar me namazin.

Nëse do ta themi me fjalët e Fudajl ibn Ijad, sahabet e nderuar, kur zgjoheshin në mëngjes, e kishin fytyrën të zverdhur e të zbehur ngaqë pjesën më të madhe të natës e kalonin duke falur namaz. Ndonjëherë qëndronin shumë pak në këmbë por shumë gjatë në sexhde. Kur fillonin me përgjërime dhe të derdhnin brendësinë e tyre ndaj Allahut, tundeshin siç tunden pemët në kohë me furtunë, po ashtu edhe sytë së bashku me vendin lageshin nga lotët. Kënaqësia që merrnin nga namazi, ua harronte çdo lodhje fizike dhe donin që këto minuta të mos mbaronin kurrë. Kur vinte mëngjes, lyenin fytyrën me vaj dhe rrudhnin sytë që njerëzit të kujtonin se e kishin kaluar natën në gjumë.

Le të hedhim vështrimin nga vetë praktikat e mrekullueshme të sahabeve të nderuar; se çdo të thotë të kuptosh qëndrimin përpara Mëshirës Hyjnore, të provosh shijen e Kur`anit Famëlartë dhe ç`është dashuria dhe zelli për namazin: Pejgamberi (a.s.), gjatë luftës Dhatu`r-Rika, kishte ngarkuar me detyrë për ruajtjen e një shtëpie, dy sahabe të nderuar, Ammar ibn Jasir dhe Abbad ibn Bishr (r.a.). Kur Ammari kishte radhën e pushimit, Abbadi u çua të falte namaz. Në këto momente, një idhujtar i kishte diktuar këta sahabe të nderuar dhe filloi të gjuajë me shigjeta drejt tyre. Abbadit iu ngulën në trup dy-tre shigjeta por ai nuk e prishi namazin dhe e plotësoi me ruku dhe sexhde. Më pas zgjoi shokun e tij. Ammari menjëherë u çua dhe teksa po e ndiqte idhujtarin me sy, u kthye te shoku i tij dhe kur pa gjakun që po i rridhte e pyeti se pse nuk e kishte zgjuar kur ndodhi kjo. Abbadi i ktheu një përgjigje prej të dashuruarish me namazin duke i thënë: “Po lexoja një sure (Kehf), (ajetet ishin aq të bukura aq të ëmbla) saqë nuk doja ta ndërprisja namazin pa i mbaruar. Por, kur shigjetat po më vinin njëra pas tjetrës, u detyrova ta mbaroj namazin dhe të thërras ty. Të betohem në Allah, se po të mos kisha shqetësimin se nuk do ta ruaj dot këtë vend që na tha i Dërguari i Allahut (a.s.), më mirë vdisja në namaz se sa të ndërprerja suren në gjysmë.”[7]

 

Çdo ditë qindra rekate namaz

Po, sahabet e nderuar asnjëherë nuk mjaftoheshin me ibadete e nuk ngopeshin me namaz. Po ashtu, edhe ata që patën fatin të ulen në gjunjë së bashku me mësuesin e tyre, u rritën të tillë si heronj namazi. Për shembull, Ata’ ibn Ebi Rebah (r.a.), edhe pse ishte shumë i dobët fizikisht dhe i pafuqishëm, vazhdonte të lexonte të paktën në njërin rekat, njëqind ajete nga sureja Bekare. Përqendrimi që përjetonte në namaz, ia harronte mundimet fizike[8].

Muslim ibn el-Ferahidi, thotë për njërin prej të mëdhenjve të tebei tabiinëve, Shu’be ibn Haxhaxh se: “Sa herë që shkoja pranë Shubes, – përveç kohës së kerahetit (kohë jo e përshtatshme për namaz), – e gjeja gjithmonë duke falur namaz”[9]. Gjithashtu  Ebu Kattan shton se: “Nëse do ta shikonit Shu’ben kur qëndronte në ruku, do të kujtonit se ka harruar sexhden. Nëse do të shikonit qëndrimin e tij mes dy sexhdeve, do të kujtonit se ka harruar sexhden e dytë.”[10]

E pra, të dashuruarit pas namazit, e kishin shumë të lehtë faljen e njëqind rekateve në ditë. Ata faleshin aq shumë saqë shpeshherë, udhëtimi për në botën tjetër u fillonte në këtë gjendje. Për shembull, Ebu Ubejde el-Basri, një nga rrethi i tabiinëve, e filloi rrugëtimin e tij për në botën tjetër pikërisht kur ishte në namaz.[11]

Nuk ishin të pakët edhe ata që e falnin namazin e sabahut me abdesin e namazit të jacisë, si: Vehb ibn Munebbih, Tavus ibn Kejsan, Said ibn Musejjeb, Imam ebu Hanife.[12] Cunejd-i Bagdadi, për tridhjetë vite me radhë, i ka falur namazet me xhemat dhe asnjëherë nuk ka humbur tekbirin fillestar. Nëse ndjente se në zemër i kishte hyrë pakëz mendim rreth dynjasë dhe ndjente që nuk e kishte ndjerë plotësisht namazin, sado e pakët të ishte kjo, atë namaz e falte përsëri. E kishte bërë zakon të falte çdo ditë katërqind rekate namaz. Për tridhjetë vite rresht, nuk ka fjetur asnjëherë pas namazit të jacisë dhe natën e ka kaluar me adhurime. Ebu Osman en-Nehdi, edhe pse konsiderohej nga ata që nuk e kishin parë të Dërguarin e Allahut, siç thuhet në terminologjinë e hadithit (muhadramun), falte gjithmonë njëqind rekate mes namazit të akshamit dhe jacisë.

Edhe mbretërit e botës shpirtërore si Bishr ibn el-Mufaddal dhe Bishr ibn Mansur, ishin mes atyre që falnin katërqind-pesëqind rekate në ditë. Për më tepër, drejtuesi i shtetit Abbasi, Harun Rashid, megjithëse kishte shumë punë dhe detyra të tjera në drejtimin e shtetit, transmetohet se nuk asnjëherë nuk ka neglizhuar që të falë njëqind rekate çdo ditë. Kjo tregon lidhjen e fortë të njerëzve të asaj kohe me namazin dhe me adhurimet. Në fakt, nëse shfletojmë librat e shkruar rreth njerëzve të mëdhenj, do të gjejmë se nuk janë të pakët ata që kanë kaluar jetën duke falur nga njëqind rekate në ditë.

 

Nivel dhe punë zemre

Në këtë mes, dua të përmend edhe diçka: Sigurisht që në fe nuk ka vështirësi. Islami, është i ndërtuar mbi “jusr” (lehtësi).[13] Profeti ynë (a.s.), edhe pse vetë falej derisa i ënjteshin këmbët, umetit (bashkësisë) së tij gjithmonë i ka propozuar të bëjnë aq sa munden, gjithashtu edhe në fushën e adhurimeve u ka këshilluar të mos e mbingarkojnë veten me gjëra që nuk munden. Në këtë pikëpamje, të ndjesh namazin që fal dhe të falesh shumë, është një lloj niveli. Besimtarët, në këtë pikë inkurajohen dhe nxiten për qëllime të larta, por asnjëherë nuk duhet të kalojë kjo në dhunë apo detyrim.

Kështu thotë edhe shkrimtari i Risaleve, “pesë namaze me abdes në një ditë kryhen mjaftueshëm në një orë të vetme”[14] dhe tregon rrugën e lehtësisë që duhet të kemi si objektiv. Vërejmë nëpërmjet kësaj fjalie që është marrë parasysh edhe ai që nuk ka mundësi, por edhe ai që ka mundësi ta kryejë namazin, duke i dhënë një lehtësi prej një ore për ti kryer të gjitha namazet pa i braktisur ato. Më pas, ai shton duke thënë, “asnjëherë mos thuaj, ‘ku është namazi që fal unë e ku namazi që duhet falur në të vërtetë!’ sepse një farë hurme ka vlerën e një peme hurme.”[15] Me anë të kësaj fjale, do të tregojë se edhe ai që nuk kupton asgjë nga ato që thotë në namaz, prapëseprapë namazi i tij futet në peshoren e punëve dhe llogaritet si adhurim. Po ashtu shton se, siç fara e hurmës ka fazat e veta për tu bërë pemë, edhe namazi ka fazat e veta dhe për çdo fazë merr pjesë nga drita hyjnore. Bediuzzamani na nxjerr në pah objektivin me këto fjalë, për t`i dhënë zemër njerëzve të dobët si ne dhe për të mos i thyer shpresat tona. Po, Allahu i Lartmadhëruar e shpërblen këdo që fal namaz, por ajo për të cilën po flasim këtu, është e vërteta dhe shpirti i namazit.

Një besimtar, duhet që namazin ta plotësojë, patjetër, me kushtet që ai kërkon. Pra, siç përmendet edhe në librin “Isharatul ixhaz”, “ajo që duhet të bëjmë kujdes në namaz, është plotësimi i të gjitha kushteve dhe ruajtja e origjinës dhe kuptimit të pastër të tij”.[16] Të përpiqesh t’i zbatosh të gjitha kushtet e namazit sipas mënyrës që kërkohet dhe ta ruash freskinë e tij si në ditën e parë pa e dëmtuar me ngjyrime të tjera të dëmshme. Të vraposh çdo ditë në lumin e namazit, të pastrohesh në të nga çdo gjynah dhe me një shpirt të pastër të dalësh gjithmonë përpara të Madhërishmit duke përjetuar pothuajse në çdo kohë faljeje, “miraxhin” e mrekullueshëm.

 

Origjina e namazit dhe kuptimi i tij

Në thelb, namazi është përmendje, lavdërim dhe falënderim për Allahun. Po, përmendja, lavdërimi dhe falënderimi, janë bërthama e namazit, prandaj në të gjitha lëvizjet e kryera në namaz, lexojmë fjalët (elhamdulillah, subhanallah, Allahu ekber). Ashtu siç përmend edhe Bediuzamani se, që nga fillimi pra, marrja e tekbirit fillestar, e deri në dhënien e selamit të fundit, ne e lartësojmë Allahun me çdo gjendje tonën dhe me çdo fjalë, duke thënë Subhanallah, ose e falënderojmë me të gjitha ndjenjat duke thënë Elhamdulillah, ose e madhërojmë duke thënë Allahu ekber.[17] Për shkak se namazi fillohet me të, tekbirit fillestar i thuhet në origjinal (tekbir iftitah) tekbiri çelës. Gjithashtu, gjatë namazit është edhe një tekbir tjetër që emërohet në origjinal (tekbir tahrim) tekbiri ndalues. Në fakt, ky tekbir, me një emërim të tillë është si një fjalë e dhënë, e cila do të thotë se tashmë ndalohet hyrja e çdo gjëje dynjaje dhe je në atmosferën e veçantë të Mbretit të Gjithësisë. Që nga ai moment, fillon namazërimi yt i plotë, duke ia dedikuar të gjitha ato minuta, sekonda, fragmente, gdhendjes tënde shpirtërore me përmendje, lavdërime dhe falënderime.

Po, nëse me të vërtetë doni të realizoni faljen e namazit ashtu siç duhet, duhet të zhvisheni nga çdo ndjenjë tjetër përveç kënaqësisë së Allahut (xh.sh.) dhe zemrën t`ia hapni Atij. Çdo fjalë që derdhet nga buzët, duhet të vuloset me vulën e vetëdijes. Për shembull, kur thoni Elhamdulillah, duhet ta dini mirë se ç`nënkuptohet me këtë fjalë dhe ta përpunoni atë në vetëdijet tuaja e duke ngashëruar të thoni “Të gjitha lavdërimet dhe të gjitha falënderimet e lartësimet, i takojnë vetëm Allahut (xh.sh.). Të bëj këtë, është detyra ime dhe e drejta e Krijuesit tim”. Kështu që ajo fjalë, të lartësohet te Allahu, së bashku me kuptimet e thella që keni mbartur mbi të. Po ashtu, edhe kur të thoni Err-Rrahman dhe Err-Rrahijm, të jeni të stolisur me të njëjtat ndjenja për Të. Kur të thoni Maliki Jeumid-Din, ta vulosni këtë fjalë me kuptimet madhështore që përmban dhe në këtë formë t`ia paraqisni të Vërtetit. Namazi për ju, duhet të konsiderohet si një miraxh dhe për këtë duhet të përpiqeni sipas kapacitetit tuaj të ndjeni ato të vërteta që ndjeu Profeti ynë (a.s.). Namazi juaj duhet të përmbajë brenda tij të gjitha kuptimet e larta hyjnore dhe të lartësohet nëpër qiej, sikur po takohet me secilin Pejgamber, që ndodhej aty. Me Ademin (a.s.) në qiellin e parë, me Jahjan (a.s.) dhe Isain (a.s.) në qiellin e dytë, me Jusufin (a.s.) në qiellin e tretë, e me Idrisin (a.s.), Musain (a.s.), Ibrahimin (a.s.) në qiejt e tjerë dhe të ndjejë, që sikur edhe për pak, nëse hedh edhe një hap, e gjen veten përpara atmosferës së veçantë Hyjnore. Në fund të namazit, menjëherë pas dhënies së selamit, me frikën se nuk i ke respektuar dot ashtu siç duhet kushtet e të qenët përpara atmosferës Hyjnore, ngre duart dhe vazhdon me lavdërime, falënderime e lartmadhërime dhe pa ndalur vazhdon ti përsërisësh këto fjalë të mrekullueshme nga tridhjetë e tri herë. E pra, nëse doni të përjetoni një namaz duke kuptuar të vërtetat e tij, nuk duhet t`i lini pas dore këto. Pa harruar edhe fillimin e përgatitjeve serioze përpara faljes.

 

Fytyra e venitur e ibadeteve tona

Nga ana tjetër, nëse besoni se ia keni dedikuar veten tuaj lartësimit të fjalës së Allahut, atëherë duhet ta kuptoni mirë rëndësinë e këtij dedikimi dhe sipas asaj të mbani qëndrimin e duhur. Lartësim i fjalës së Allahut, është thirrje për në besimin në Allah si dhe të ftosh në Islam dhe në shtyllat bazë që na parashtroi i Dërguari i Allahut (a.s.). Lartësimi i fjalës së Allahut, është gjithashtu të tregosh një përpjekje serioze për të shkuar emri i Allahut në çdo skaj të botës si dhe bashkë me të, përçimi i emrit të Profetit tonë Muhamed (a.s.) në çdo cep të errët të saj. Lartësimi i emrit të Allahut, është të valëvitësh në skajet më të larta të vërtetën “la ilahe il-lallah Muhammedun Resulullah” dhe ta bësh atë si një ylber, i cili shikohet nga të gjithë. Atëherë, nëse ju i jeni futur rrugës së njohjes së Allahut nga njerëzit, leximi i mesazheve të Tij nga ana e tyre, leximi i pasqyrimeve hyjnore të gjendura në fytyrën e gjithësisë nga ana e njerëzve, si dhe nëse i thërrisni drejt adhurimit të duhur, a nuk duhet që në fillim ju vetë t`ia veni veshin këtyre mesazheve, t`i lexoni ju të parët dhe të jeni ju nga ata të parët, që adhurojnë me sinqeritet? Nëse akoma veproni me mendimin që ‘hajde ta falim edhe këtë namaz dhe ta heqim’ duke u mjaftuar thjesht të bëni disa lëvizje formale, sa për të thënë që jam falur, a nuk e mashtroni veten në këtë mënyrë? A nuk është e pakuptimtë që këtë gjë që ju nuk e shikoni si të rëndësishme dhe nuk e vlerësoni sa duhet, por vetëm si diçka që është për tu kaluar, t`ia shpjegoni të tjerëve? A nuk duhet që këtë gjë në të cilën po ftoni njerëzit, pikë së pari të jetë ndër punët më serioze tuajat? Nëse nuk e vlerësoni siç duhet diçka, si prisni që të tjerët ta vlerësojnë atë?!

Një nga problemet më të mëdha tonat, si myslimanë është zbehja, që vihet re dukshëm në ibadetet tona. Sa e dhimbshme është kur në xhamitë tona shikon njerëz në një gjendje si ato gjethet e vjeshtës, njërit i hapet goja për gjumë, një tjetër është shtrirë, një tjetër edhe në mihrab flet rreth dynjasë dhe një tjetër me zi pret të mbarojë namazi dhe të dalë jashtë. Për këtë, një gjendje e tillë nuk sjell asnjë lloj ndikimi pozitiv në shoqëri. Adhurimi, nuk funksionon më si një mjet praktik për t`i ftuar të tjerët në Islam. E nëse ne do të përfaqësonim me vepra besimin, siç thotë edhe Bediuzzamani: “Nëse ne do ta jetonim shumë mirë atë që lexojmë në Kur`an, nëse do t`i demonstronim me vepra moralin Islam dhe të vërtetat e besimit, do të kishin hyrë në këtë fe të bukur edhe personat e feve të tjera dhe disa shtete të disa kontinenteve do të pranonin Islamin”.[18] Por fatkeqësisht, nuk po e pasqyrojmë dot bukurinë marramendëse të Islamit.

Në fakt, Islami është në vetvete një gjendje ndryshe. Një besimtar i vërtetë, i impresionon ata që shikojnë rukunë e tij, ua merr mendjen atyre, që shikojnë sexhden e tij, atë që dëgjon përgjërimet dhe shikon gjendjen e tij përballë të Lartmadhëruarit, del nga vetja dhe bie së bashku me të në sexhde. E pra, kur Islami nuk përfaqësohet në këtë mënyrë, as te njerëzit e tjerë nuk ndodh ndonjë reagim. Askush nuk mund të kuptojë bukuritë e pakrahasueshme të namazit duke parë vetëm disa lëvizje formalitare.

 

Ndikimi është i lidhur ngushtë me marrëdhënien me Allahun

Suksesi dhe arritja e rezultateve të kënaqshme të përpjekjeve në rrugën e Allahut, është shumë e lidhur me vlerësimin dhe pranimin e Tij. Allahu i Lartmadhëruar, nuk i bën ndikues asnjëherë ata që nuk kanë lidhje të forta me Atë. Allahu i jep vlerë vetëm atyre zërave e u jep ndikim atyre veprimeve që janë të lidhura fort me Atë.

Për këtë, shërbyesit e Kur`anit duhet të kërkojnë vlerësimin e duhur te marrëdhënia me Allahun dhe ta dinë mirë që lëvizjet dhe pamjet e jashtme, nuk kanë asnjë vlerë te Allahu i Lartmadhëruar. Siç thuhet edhe në një hadith që Allahu nuk ju vlerëson sipas pamjes së jashtme as sipas lëvizjeve të zakonta por ju vlerëson sipas emocioneve të zemrës, sipas burimeve ndjesore të çiltra të shpirtit dhe sipas veprave të mbushura me sinqeritet. E nëse nuk ka një përkthim të këtyre ndjenjave në vepra, nëse asgjë e juaja nuk përmban sinqeritet nga zemra, të gjitha përpjekjet janë të kota.

Prandaj, për të mos u përballur me qortimin e ajetit “O ju Besimtarë! Përse shpjegoni ato që nuk i bëni!”[19] dhe për të mos mbetur pa përgjigje ndaj pyetjes “Përse, duke mos i zbatuar ato të vërteta që u shpjegoni njerëzve, uleni në gradën e një gënjeshtari dhe po kështu nxini fytyrën e pastër të Islamit?”, shpirtrat që i janë dedikuar shërbimit të besimit duhet të përpiqen të jenë më të kujdesshëm në këtë pikë.

Rreth temës në fjalë, do të parashtrojmë tre pika të rëndësishme se si mund të bëhemi heronj të vërtetë të namazit:

Tri kushtet për tu bërë hero i namazit

  1. Kur i Dërguari i Allahut (a.s.) na tregon diçka, na fokuson në një qëllim të lartë. Na shpjegon se Xheneti është njëqind gradë dhe se grada më e lartë e tij është Xheneti Firdeus dhe thotë se: “Kur të kërkoni Xhenetin nga Allahu Teala, kërkoni Xhenetin Firdeus”[20] duke na bërë të ditur që qëllimi ynë të jetë gjithmonë shumë i lartë. Për më tepër, përveç kërkimit të Firdeusit, na mëson edhe me dua të posaçme se si ta kërkojmë atë. Prej duave të tij, mësojmë edhe gradën më të lartë të kërkesave siç thotë: “O Allah! Na e mbush brendësinë tonë me dëshirën për të parë Bukurinë Tënde. Na emociono zemrën tonë me dëshirën për të ardhur tek Ti dhe na ndero neve me shikimin e bukurisë Tënde”, në këtë mënyrë tregojmë që jemi kërkues të kënaqësisë Hyjnore. Këto dua që na mëson profeti ynë, na orientojnë të jemi kërkues të më së mirës dhe më së lartës. Gjithashtu, duhet të sillemi qëllimlartë edhe në pikën e kuptimit të namazit. Duhet vazhdimisht t`i kërkojmë vetes të jetë nën gjurmët e namazeve të selefëve (të parëve tanë) dhe vazhdimisht të kërkojmë nga Allahu mbështetjen e Tij për të falur namazin me vetëdije të plotë. Ndoshta secili prej nesh do ishte mirë të thoshte në këtë mënyrë: “O Allah! Më jep të njëjtën ndjesi, kuptim dhe vetëdije namazi, siç ia ke dhënë të Dërguarit Tënd (a.s.). Më bëj që edhe shpirti im të kuptojë namazin siç duhet. Zoti im! Edhe unë dua të falem si Profeti im dhe ta ndjej namazin deri në qelizat më të thella të qenies sime. Dua që asgjë tjetër të mos më hyjë në mëndje përveç Teje. Të lutem Ty, o Allah, ma mundëso këtë edhe mua!..”

Të kërkosh një horizont profetik të tillë namazi, nuk do të thotë se kërkon profetësinë. Siç kërkojmë që ta marrim shembull në çdo gjë të jetës Profetin tonë, ashtu kërkojmë edhe në këtë pikë. Kjo lloj duaje asnjëherë nuk shkon kot. Nëse jeni këmbëngulës dhe e keni me dëshirë këtë dua, Allahu nuk u mban larg kësaj mirësie. Me dëshirën e Allahut, arrini ta merrni atë që kërkoni. Nëse ju bëni një dua të tillë, edhe Allahu i Lartmadhëruar, Mbreti i Përjetshëm, u jep nga Mëshira e Tij e pafund ashtu siç i ka hije Madhështisë së Tij. E pra, të bëhesh njësh me të lartën, të synosh gjithmonë sipër, është përkthimi në vepra i qëllimeve të larta. Edhe në faljen e namazit, njeriu duhet të synojë gjithmonë lart e më lart.

  1. Dëshira për të kryer faljen e namazit në nivelet e duhura, kërkon një lloj duaje (lutje) të bërë me gjuhë dhe me vepra. Duaja me vepra në këtë rast, bëhet duke lexuar vepra të ndryshme të shkruara në këtë fushë. Nuk mund të quhet i sinqertë ai që dëshiron të arrijë një nivel të lartë në namaz, por që nuk ka lexuar diçka të shkruar rreth kësaj, as nuk ka dëgjuar të mëdhenjtë se ç`thonë dhe as nuk është interesuar ndonjëherë të hedhë një hap përpara. Kështu që, udhëtari i namazit, nuk duhet të neglizhojë pa lexuar, studiuar e medituar mirë mbi artikujt, apo librat e dijetarëve të mëdhenj, të cilët me përjetimet dhe eksperiencat e tyre, spërkasin në zemrat e lexuesve dashurinë për adhurime, i shëtisin ata nëpër atmosferat e veçanta të namazit dhe i ngopin ndjenjat e tyre.

Një besimtar, sado pak, duhet të mundohet t`i hedhë sy disa herë veprave të shkruara rreth të vërtetave të të Vërtetit, rreth bazave të besimit dhe rreth kuptimeve të adhurimit. Të lexohen mirë dhe të diskutohen veprat e dijetarëve të mëdhenj të Kur`anit dhe krahas këtyre, edhe veprat e atyre, që mundohen të shkruajnë rreth namazit në ditët tona.

  1. Të tregohesh këmbëngulës në duatë me vepra dhe me fjalë, të jesh i vendosur dhe i vazhdueshëm në atë që kërkon dhe të ecësh drejt qëllimit tënd pa u pezmatuar aspak, me një durim aktiv, janë kushte të tjera të rëndësishme për të arritur qëllimin. Sevdaja për namazin, nuk pikon menjëherë në zemrën e kërkuesit. Kjo mungesë dëshire apo dashurie, mund të zgjasë disa ditë, disa muaj ose edhe disa vite. Prandaj, është shumë e rëndësishme të plotësosh të gjitha kushtet e duhura dhe të vazhdosh me të njëjtin zell deri në fund.

Nëse pretendoni të bëheni hero i namazit, nuk duhet të lini pas dore as mënyrën më të vogël, që mund t`ju çojë drejt këtij synimi. Nëse ju vjen diçka që ua ndez dashurinë në zemër, mos u mjaftoni duke e bërë vetëm një herë të vetme, por ta vazhdoni qindra herë. Ndoshta do ju duhet ta lexoni mbi dhjetë herë një libër, ta dëgjoni mbi qindra herë një ligjëratë, të mbani vath në vesh vazhdimisht fjalët e një të dituri për këtë çështje. Kurrë mos u dorëzoni duke thënë “nuk bëhet” dhe mos jini të nxituar. Nuk duhet të harroni se në këtë rrugë, për vite me radhë do të përplaseni nëpër shkëmbinj, do të gurgulloni si ujërat, por çdo herë do të jeni edhe më të pastruar dhe më në fund do t`ia arrini qëllimit.

Përshtati: Adnan Merja

[1]. Nesai, ishretu`n-nisa 1; Ahmed Ibn Hanbel, El-Musned 3/128, 199, 285.

[2]. Et-Taberani,  El-Mu`cemu`l-kebir, 12/84; Ed-Deylemi, El-Musned, 1/172.

[3]. Buhari, tefsiru sure (48) 2; Muslim, sifatu`l-munafikin 79-81.

[4]. Shiko: Buhari, tehexhud 9; Muslim, salatu`l-musafirin 204.

[5]. Ebu Davud, salat 156; Ahmed Ibn Hanbel, El-Musned 4/25.

[6]. Kur’an, 26: 218-219.

[7]. Ebu Davud, taharet 79; Ahmed Ibn Hanbel, El-Musned 3/343.

[8]. Ebu Nuajm, Hiljetu`l-Evlija 3/310; Ibnu`l-Xhevzi, Sifatu`s-Safve 2/213.

[9]. Ibnu`l-Xhevzi, Sifatu`s-safve 3/350.

[10]. Ebu Nuajm, Hiljetu`l-evlija 7/145; Ibnu`l-Xhevzi, Sifatu`s-Safve 3/349.

[11]. Edh-Dhehebi, Sijeru a`lami`n-nubela 6/167.

[12]. Shiko: El-Gazali, Ihjau ulumi`d-din 1/359.

[13]. Buhari, iman 29; Nesai, iman 28.

[14]. Bediuzzaman, Fjalët (Sözler) f. 21 (Fjala e katërt).

[15]. Bediuzzaman, Fjalët f. 290 (Fjala e njëzetë e një, makami i parë).

[16]. Bediuzzaman, Isharatu`l-ixhaz f. 42.

[17]. Shiko: Bediuzzaman, Fjalët f. 42-50 (Fjala e nëntë).

[18]. Shiko.: Bediuzzaman, Lahika e Emirdaut-2 f. 128.

[19]. Sureja Saf, 61/2.

[20]. Buhari, xhihad 4; Tirmidhi, xhennet 4; Ibni Maxhe, zuhd 39.


  • tweet
Perashi- krenaria e kujtesës Funksionalizmi i mendimit islam

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • Periodiku Islam në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore – Revista “Kultura Islame”
    Periodiku Islam në Shqipëri gjatë...

    Nov 19, 2024 0

  • MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI
    MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË...

    Sep 13, 2024 0

  • KRENARISË SË NJERËZIMIT – PROFETIT MUHAMED (A.S.) (Nga Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu – Zoti i mëshiroftë)
    KRENARISË SË NJERËZIMIT –...

    Sep 11, 2024 0

  • Abstracts no. 38
    Abstracts no. 38

    Jul 02, 2024 0

Me shumë në këtë kategori
  • Burimet themelore të fesë dhe qytetërimit islam
    Burimet themelore të fesë dhe...

    May 07, 2024 0

  • Mesatarja Kur’anore shërim i ekstremizmit
    Mesatarja Kur’anore shërim i...

    Feb 12, 2024 0

  • Ndikimi i Kur’anit Fisnik në Gjuhën Arabe
    Ndikimi i Kur’anit Fisnik në Gjuhën...

    Oct 19, 2023 0

  • Sistemi gjyqësor në Islam
    Sistemi gjyqësor në Islam

    Oct 19, 2023 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në...

Apr 01, 2022 0

Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër në bashkëpunim me Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës, në Kolegjin Universitar Logos dhe Institutin Katolik të...
Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Forum i hapur: “Roli i institucioneve arsimore në zhvillimin e kombeve, modeli i Ez’herit”

Forum i hapur: “Roli i institucioneve...

Jun 18, 2021 0

“Karta e Mekës”, si një dokument historik i botës islame në kohë moderne

“Karta e Mekës”, si një dokument...

Jun 16, 2021 0

Studime

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

Sep 13, 2024 0

nga Resul Rexhepi إِنَّ اللَّهَ وَمَلَائِكَتَهُ يُصَلُّونَ عَلَى النَّبِيِّ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا...
Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

100 VJET MEDRESEJA E TIRANËS (1924 – 2024)

100 VJET MEDRESEJA E TIRANËS (1924 – 2024)

Feb 01, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

 nga Nuredin Nazarko Abstrakt Ishte pak të thuash se ishte i gëzuar. Nuk ishte i gëzuar thjesht se nuk humbi zahiretë e mbledhura me mund, por që arriti të mposhtë...
Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare

Historiku i revistave si historishkrim i...

Jul 10, 2020 0

Sociologji

Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet shoqërore

Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet shoqërore

Jul 02, 2024 0

Prof. dr. Muhamed Mustafi Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup Hyrje Në botën e fesë ekziston një koncept shumëdimensional dhe kozmopolit dhe për këtë arsye është shumë e...
Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën  “Drita Islame” (1992-2011) në aspektin edukativ

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën ...

Jul 02, 2024 0

Sfidat me të cilat përballen familjet myslimane në shoqërinë bashkëkohore

Sfidat me të cilat përballen familjet myslimane...

Nov 30, 2022 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (39)

Te Fundit

  • Periodiku Islam në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore – Revista “Kultura Islame”
    Periodiku Islam në Shqipëri gjatë luftës së dytë...

    Nov 19, 2024 0

  • MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI
    MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

    Sep 13, 2024 0

  • KRENARISË SË NJERËZIMIT – PROFETIT MUHAMED (A.S.) (Nga Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu – Zoti i mëshiroftë)
    KRENARISË SË NJERËZIMIT – PROFETIT MUHAMED (A.S.)...

    Sep 11, 2024 0

  • Abstracts no. 38
    Abstracts no. 38

    Jul 02, 2024 0

  • Abstraktet e nr. 38 (191)
    Abstraktet e nr. 38 (191)

    Jul 02, 2024 0

  • Abstraktet e nr. 37 (190)
    Abstraktet e nr. 37 (190)

    Jul 02, 2024 0

  • Randsi e marteses
    Randsi e marteses

    Jul 02, 2024 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • Periodiku Islam në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore – Revista “Kultura Islame”
  • MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI
  • KRENARISË SË NJERËZIMIT – PROFETIT MUHAMED (A.S.) (Nga Hafiz Ali Korça dhe Hafiz Ibrahim Dalliu – Zoti i mëshiroftë)
  • Abstracts no. 38
  • Abstraktet e nr. 38 (191)

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al