Perditësimi i fundit September 11th, 2025 8:31 AM
Feb 23, 2016 Zani i Nalte Retrospektivë 0
Njeriu prej natyre i kurreshtuem, do me njoftë vedvedin, don me dijtë prej kahë ka ardhë, se ku do të shkojë, sendet qi e qarkojnë, revolucionet e metamorfozet qi ndodhin në çdo kand të rruzullimit; don me mendue fatin e mjerueshëm t’ atyne zâmdhajvet qi zbritën prej nji madhnije të pa shoqe. Edhe tue i përshkue në mendje të gjitha këto sende, i vjen para syshë zhgatrrimi, me të cini âsht i dënuem gjithçkahi në këtë jetë. Dridhet; se edhe vetë aj, âsht nji ndër ata, mbi të cilët do të randojë pesha e atij zhgatrrimi. Kështu në zemër të tij përtrihen mjerime e dishprime; e pa dyshim i dermohet zêmra prej këtyne mjerimevet, kur kujton se nuk dijti kurgjâ mbi egzistencën e tij të vërtetë, kahë erdhi e ku do të shkojë e se s’ fundit nji ditë do të ngrijë mun si ato gurët qi ka përpara syvet; pse shpirti don me qenë gjithmonë, don me jetue gjith-herë.
Koha e gjallnis së tij me gjith të qeshmet e të qamet, gzimet e hidhrimet, veprat e Shkencës e të civilizimit, gjithë bukurit e natyrës e t’ artit, nji ditë do të çduken. Me nji herë ti o njeri, ja nis udhtimit drejt kah nji botë e përhershme! Të duket se e trashigove ketë Botë, nis të shijojsh bukurit, stolit e mirsit të dhurueme nga nji Bamirës, qi shpesh herë E harron, ja nis punës, ngreh pallate, permirson rrugë, godit bulevarde dhe dikur arrin kulmin!
Po gjith këto faza të jetës po t’ i vrejmë me kujdes, shofim se nuk vijnë mâ! I ngjanë nji udhtimi në detë, qi nji tallas po t’ i delte para, ja humbte rrugën e mâ në fund i shkaktonte humbjen. Gjithashtu jeta âsht si nji udhtim naltë nji kodre, plot vujtje, plot mundime, plot rreziqe e fundi i fundit e mbaron udhën, i sos vujtjet, rreziqet e mundimet. E tash ku do të shkojë? A e mbaroj udhën? Po udhtimin e ksaj jete e mbaroi dhe tash j’u nis nji udhtimit tjetër, udhtimit të Amshuem! Por për të shkue n’ at udhtim, ti o njeri, duhet qi të jeshë i plot; sepse njeriu i plotsuem e i persosun e din jetën e vdekjen; e din gjithësinë dhe të vërtetën e saj, e din nga ka ardhë e pse ka ardhë në këtë botë; e din dhe se ku do të shkoje, mbasi të ndahet nga kjo botë. Duhet t’ a dijshë se atje kanë me t’u pa veprat e tua. Gjithashtu duhet t’ a dijshë se për të fitue atë botë lypset të bâjshë nji luftë shumë të madhe me vetvehten t’ ande, se, për ndryshe, s’ ke me j’ a mbrri qëllimit, s’ ke me fitue gradda të nalta e të lumnueshme, për realizimin e të cilave je krijue!
Pregadit-iu pra, o njeri, asaj bote të perhershme, sikur pregatitet mysafiri për me shkue ke miku!
Me nji fjalë njeriu nuk bâni tjetër veçse përshkojti në këtë jetë, e, mandaj, si vesa para diellit, u çduk, tue lânë mbas shpine dashtunin e flakët të nanës, të babës, tue lânë motër, tue lânë vëlla, të cilët tue u dá për herë të fundit e përshëndetën, e puthën edhe ky u dha lamtumirën e fundit, për të mos jetue mâ, për të mos shijue mâ diellin e begatshëm për të mos pá mâ bekimin e nanës, dhe ndoshta me të mbaruem udhtimin e përhershëm e hedh fatkeqsija ose sjellja e tij në shpellë të trishtueme e të frikshme, mbrenda së cilës shef e ndigjon mundime e rrënkime të mdhaja!
Pra, në këtë botë nuk paska tjetër, veçse humbet rinija, humbet trimnija e fuqija, humbet drita e syvet e mâ në fund, për mâ të madhin fat të zi humbet edhe jeta! Mos të harrojmë se pasunija e humbun mund të fitohet përsëri tue punue; shëndeti mund të fitohet me kujdesje, mësimet mund të fitohen tue nxanë, porse koha e humbun nuk fitohet mâ![1]
[1]. Marrë nga revista “Zani i Naltë”, nr. 12, viti XIII, dhjetor 1938, f. 370 – 371
Sep 11, 2025 0
Sep 10, 2025 0
Sep 04, 2025 0
Sep 04, 2025 0
Jul 02, 2024 0
May 07, 2024 0
Feb 12, 2024 0
Oct 19, 2023 0
May 21, 2025 0
Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...May 21, 2025 0
Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...May 21, 2025 0
Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...Sep 04, 2025 0
ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën ai bën pjesë....