Perditësimi i fundit May 26th, 2025 4:35 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Ndikimi i Kur’anit Fisnik në Gjuhën Arabe

Oct 19, 2023 Zani i Nalte Shkenca Islame 0


nga Prof. dr. hfz. Hajredin Hoxha

Çdo gjuhë, siç thonë hulumtuesit, vazhdon në varësi të folësve të saj; ajo ngrihet me ngritjen e tyre dhe dobësohet me dobësimin e tyre. Ky imazh shoqëror i nënshtrohet ligjit të evolucionit. Historia na raporton për shumë gjuhë dhe kultura të cilat shijuan fatin e hidhur të humbjes dhe zhdukjes, gjë që nuk i ndodhi kulturës islame dhe gjuhës arabe, të cilën e ruajti Kur’ani Fisnik. Kështu, gjuha arabe mbeti gjuha më e fortë në qëndrueshmërinë ndaj sfidave dhe vështirësive, në kohën kur arabët u përzien me të huajt, falë elementeve kulturore dhe civilizuese që ka fituar në sajë të të qenët gjuhë e Kur’anit.

Njerëzimi, përgjatë gjithë historisë, nuk ka njohur ndonjë gjuhë që është përjetësuar falë librit të saj fetar. Kur’ani i ka vënë kurorën e jetës dhe sekretin e ekzistencës gjuhës arabe dhe pikërisht prej tij gjuha arabe mori shpirtin e vendosmërisë dhe guximshmërinë e jetës. Kur’ani Fisnik është shpirti që e bëri arabishten letrare gjuhë të të gjitha kohëve. Për çdo të mirë arabishtja, së pari, i detyrohet Kur’anit. Allahu qoftë i falënderuar fillim e mbarim![1]

Ndikimin dhe gjurmët e Kur’anit në gjuhën arabe do të mund t’i përmblidhnim në pikat në vijim:

 

  1. Ruajtja e gjuhës arabe nga humbja

Ndikimi i Kur’anit në gjuhën arabe, në aspektin e formës dhe përmbajtjes, ka qenë vërtet i madh. Tekstet e Kur’anit janë të shenjta dhe të përjetshme, kështu që me ekzistencën e vazhdueshme të teksteve kur’anore edhe gjuha arabe vazhdoi të jetë e gjallë dhe aktive gjer në ditët tona. Dr. Jusuf Sherbexhi është munduar të përmbledhë disa nga sekretet që qëndrojnë pas përjetësisë së gjuhës arabe:

“Sekreti që qëndron pas përjetësimit të gjuhës arabe dhe ruajtjes së saj është  ndikimi i madh i Kur’anit në jetën e umetit arab, të cilin, nga një umet i humbur, ai e shndërroi në një umet të ndershëm e të fortë, dhe këtë për hir të mbajtjes së tij pas këtij libri (Kur’anit), i cili gdhendi (përsosi) shpirtrat  e tyre, fuqizoi karakterin e tyre, pastroi mendjet e tyre nga papastërtia e idhujtarisë, bashkoi zemrat e tyre dhe unifikoi fjalët e tyre e rrjedhimisht edhe idealet, kështu që për hir të tyre ata sakrifikuan edhe jetët. Kur’ani largoi edhe padrejtësitë ndërmjet tyre si dhe shkuli nga gjokset e tyre urrejtjen, smirën, mërinë dhe inatet… Kur’ani ishte sikurse një kodër e lartë që i sfidonte ndikimet dhe kurthet që ngriheshin kundër gjuhës së tij, e mbronte atë dhe ruante pragun e saj… E meqë Kur’ani ka këtë pozitë, atëherë nuk është çudi pse myslimanët iu qasën atij dhe e mbrojnë atë, duke konsideruar se çdo armiqësi ndaj Kur’anit është armiqësi edhe ndaj arabishtes dhe anasjelltas. Kësisoj, sekreti i qëndrimit të Kur’anit deri më sot, e me lejen dhe dëshirën e Allahut gjer në amshim, fshihet pikërisht në mbrojtjen që Ai i bën Kur’anit, ngase mbrojtja e tij nënkupton edhe mbrojtjen e saj… Këtë gjë më së miri mund ta kuptojë ai që përcjell gjuhët dhe fatin e tyre. Sa e sa gjuhë kanë qenë të ngritura, madje edhe në nivel ndërkombëtar, por më pas kanë humbur. Si shembull për këtë shih gjuhën latine, e cila dikur ishte gjuhë, kulturë dhe fuqi, por sot nuk ka mbetur asgjë përveç gjurmëve të saj. Gjuha arabe nuk e pati fatin që të ishte as fuqi, as gjuhë kulture e as prodhimi; ajo ishte gjuhë shkretëtire dhe analfabetësh dhe larg shkencave e njohurive, por falë Kur’anit Famëlartë, ruajtjen e të cilit e mori përsipër vetë Allahu, ajo u ruajt, për dallim nga librat e tjerë dhe gjuhët e tyre që nuk e patën këtë fat dhe u shuan…”[2]

 

  1. Forcimi i gjuhës dhe veprimi në drejtim të përkryerjes së saj

Askush nuk dyshon se Kur’ani është burim i forcës, fuqisë dhe gjallërisë së gjuhës arabe, ndryshe, sikur ky potencial hyjnor të mungonte, atëherë gjuha arabe, sigurisht, nuk do t’i dispononte këto domethënie të shumta, shprehje të zhvilluara, struktura të reja dhe metoda të larta që ka. Shkencëtari i madh, Rafiu, thotë: “Kur’ani u shpall asisoj që shumica e pakica e tij (tekstet e gjata e të shkurtra) sfidojnë. Ai është i ngjashëm me nurin (dritën) në mbarështimin (renditjen) e tij, ngase drita është dritë në tërësi dhe edhe kur ndahet nuk del jashtë natyrës së saj. Kur’ani në çdo pjesë të tij është tërësi, që nuk kanë kundërthënie ndërmjet vete, përveç nëse krijon qiell tjetër nga ky dhe tokë tjetër nga kjo. Kjo është arritur falë faktit se Kur’ani e filtroi gjuhën arabe nga shakullinat (zhiblat) dhe arriti që ta demonstrojë thelbin dhe esencën e fshehtësive të saj publikisht, kështu që me ujin e bukurisë erdhi më i mbushur se reja, me gjallërinë fizike më i mirë se rinia… Pastaj, në trajtimin e domethënieve delikate dhe të thukëta, të cilat i shfaq nëpërmjet I’xhazit dhe të cilat i portretizon me të vërtetën dhe i shpreh me alegorinë, për të vazhduar me atë elasticitetin që ia ka dhënë për ndërrimin e metodave dhe shndërrimin e strukturave, në të gjitha këto Kur’ani ka shfaqur një pamje impozante që të mahnit, jo vetëm për gjeneratën e arabëve por për tërë historinë. Këtu ka qenë fshehtësia e shtangies së tyre derisa të vërtetonin se a ishin duke dëgjuar zë të së tanishmes, zë të së ardhmes apo zë të përjetësisë, ngase arabishtja ishte gjuha që ata e njihnin.”[3]  

Me gjithë sulmet e pamëshirshme ndaj gjuhës arabe dhe përhapjes së dialekteve popullore në formën e plan-programeve nëpër shkolla dhe universitete, madje në disa universitete amerikane dhe arabe u themeluan edhe departamente të veçanta, ata e pranuan se gjuha arabe disponon një fuqi, gjallëri dhe përhapje të shpejtë.

Orientalisti Ernest Renan thotë: “Ndoshta gjëja më e çuditshme që ka ndodhur në historinë e njerëzimit, – sekreti i së cilës është vështirë të zbulohet, – është përhapja e gjuhës arabe. Kjo gjuhë në fillim ishte e panjohur dhe befas u shfaq shumë madhështore. Fillim e çfarë fillimi, pasuri e çfarë pasurie. E përsosur në kuptimin e asaj se, deri në ditët tona, nuk ka ndodhur ndonjë ndërrim i rëndësishëm i saj; ajo nuk ka fëmijëri dhe as pleqëri; që në fillim u shfaq e plotë dhe qëndrueshme, e ndoshta ajo që më së shumti të mahnit është mbjellja e saj në një shkretëtirë dhe arritja e përsosmërisë pikërisht në shkretëtirë, madje duke kaluar simotrat e saj me shprehje të shumta, domethënie precize dhe strukturë fenomenale…”

Ndërsa Xhorxh Sartoni thotë: “Gjuha e Kur’anit, duke e llogaritur atë si gjuhë të arabëve, me këtë reformim ka qenë e plotë. Profeti [alejhis salatu ues selam] i dha fleksibilitet aq sa e bëri të aftë të kodifikojë madje edhe shpalljen hyjnore në mënyrë shumë precize dhe ta shprehë atë me shprehje të bukura dhe të forta. Kështu, Kur’ani arrin ta lartësojë gjuhën arabe në pozitën e ‘shembullit më të lartë’ (methelu’l a’la) në shprehjen e qëllimeve.”

Kurse Broklemani (Brookleman) shton: “Falë Kur’anit, arabishtja arriti një shtrirje të tillë që thuajse nuk e ka asnjë gjuhë tjetër. Myslimanët janë të vetëdijshëm dhe besojnë se gjuha arabe është e vetmja gjuhë që lejohet të përdoret në lutjet (namazet) e tyre. Kjo i ka mundësuar arabishtes që të fitojë një pozitë të lartë ndaj të gjitha gjuhëve të botës…”

Prof. Dr. Hasen Dijaud-din Ater, në studimin e tij përkitazi me mrekullinë më të madhe të Kur’anit, përmend edhe disa pika të tjera me rëndësi për ndikimin e Kur’anit në gjuhën arabe, të cilave po iu referohem shkurtimisht:

  • Kur’ani i Madhërishëm i shpëtoi arabët nga dallimet e ndryshme dhe të shumta dialektike, kështu që ndikoi në drejtim të përafrimit dhe unifikimit të gjuhës së tyre, për të folur me dialektin më letrar të arabishtes…
  • Kur’ani e pastroi arabishten nga shprehjet e huaja dhe të paqarta dhe e shndërroi atë në një gjuhë të kulluar dhe tërheqëse.
  • Kur’ani solli domethënie të reja që arabët nuk i njihnin dhe as nuk dinin t’i shprehnin, si: Islam, iman, furkan, shirk, kufr, nifak, saum, salat, zekat. Krahas kësaj ai solli edhe aspekte përmbajtjesore ndijore interesante dhe të përjetshme, siç është – fjala vjen – tërheqja e vëmendjes për melekutus semauati ue’l erd– madhësitë e qiejve e të tokës – dhe përfitimi i argumenteve logjike që dëshmojnë Njëshmërinë, Madhështinë dhe Fuqinë e Zotit, si dhe obligimin e adhurimit vetëm të Tij… Allahu i Gjithëditur e shpalli Kur’anin në 114 pjesë, me një elokuencë dhe retorikë të pakrahasueshme në shprehjet dhe domethëniet e tij, si dhe në formën dhe përmbajtjen e tij…
  • Arabët e patën bërë zakon që në stinë dhe tregje të ndryshme të organizonin gara letrare. Në të shumtën e rasteve, te konkurrentët ndodhnin mospajtime për shkak të mungesës së një shembulli letrar më të lartë, të cilin do të mund ta merrnin për kriter vlerësimi. E kur Kur’ani i befasoi ata me madhështinë e elokuencës së tij, epërsinë e retorikës së tij dhe pozitën e pakonkurrueshme të tij, ata iu nënshtruan dhe u bindën se ai nuk mund të sfidohej. Aftësitë dhe kapacitet e tyre letrare iu nënshtruan atij dhe ata filluan të merrnin prej tij. Ata iu qasën studimit të karakterit të bukur letrar që ai solli, prej të cilit formuan një mori rregullash retorike dhe letrare. Me një fjalë, Kur’ani ishte modeli më i mirë i mundshëm dhe peshorja më e saktë.
  • Gjurmët e Kur’anit ende vazhdojnë të shfaqen qartë në letërsinë arabe: në poezi, prozë, urtësi, ligjërim e çfarëdo tjetër qoftë. Në të shfaqen shprehje dhe forma të shkëputura direkt prej Kur’anit, por ka edhe të atilla që janë formuluar duke shikuar në formalen dhe mënyrën e tij. Ndërsa sa iu përket temave, disa janë tërësisht të reja, si: sofizmi dhe asketizmi, por ka edhe të atilla që janë reformuar dhe iu është dhënë forcë dhe gjallëri, si entuziazmi, por që të gjitha këto tema janë ndikuar qartazi nga Kur’ani, gjë për të cilën nuk ka dyshim. Kjo mund të vërehet në vlerat e reja e të shumta shpirtërore, intelektuale, shoqërore dhe njerëzore që këto tema kanë marrë nga Kur’ani…
  • Kur’ani mbizotëroi mbi kapacitet letrare dhe tërhoqi interesimin dhe kujdesin e tyre. Sigurisht që nderi i krijimit dhe zhvillimit të shkencave gjuhësore i takon Kur’anit. Kur’ani është arbitri i këtyre shkencave, fjala e të cilit është gjithçka për to dhe jo anasjelltas. Vërtet është për t’u çuditur me punën e disa injorantëve që duan të bëjnë pikërisht të kundërtën, të krijojnë paqartësi rreth teksteve kur’anore dhe rregullave të gjuhës arabe. Këta natyrisht që e neglizhojnë faktin se Kur’ani është gjykues i këtyre shkencave. Argumenti kur’anor është vendim i prerë për mendimet kundërthënëse në të gjitha shkencat gjuhësore… Si rezultat i kësaj u shkruan disa vepra madhështore, si Nudhumu’l Kur’ane Xhahidhit, Delailu’l I’xhaz dhe Esraru’l belagah e Abdu’l Kadir Xhurxhanit, etj.
  • Kur’ani, siç mund të jetë e qartë për ty lexues i nderuar dhe për çdo studiues, është lënda që vë në lëvizje kritikën letrare tek arabët dhe është hulumtuesi kryesor drejtuar atyre dhe studimeve retorike në përgjithësi. Po u ndale të analizosh studimet kritike dhe peshojat e tyre në artet e fjalës (funun el kaul) do të gjesh se të gjitha i janë nënshtruar mënyrës kur’anore, të cilën na e kanë paraqitur studimet e I’xhazit të Kur’anit, sikurse janë thirrur në argumentin apo faktin kur’anor, i cili ka qenë shembulli më i mirë dhe modeli vlerësues më i pranuar. Prej mënyrës dhe formës së tij (Kur’anit), bëhet edhe gjykimi për vlerat e metodave ndaj njëra-tjetrës…
  • Kur u intensifikuan studimet, përkitazi me komentimin (tefsirin) e Kur’anit dhe aspektit të I’xhazit në retorikën e tij, atëherë hulumtimet u thelluan në masë të konsiderueshme në shkencën e artit ekspresiv apo shprehimor (ar. Ilmu’dh-Dheuk[4]), kështu që doli në shesh ndikimi i Kur’anit në zhvillimin e shijes letrare arabe.

 

  1. Unifikimi i dialekteve arabe

Është e ditur se dialektet e gjuhës arabe ishin të ndryshme; ato përmbanin pjesë të çmuara letrare, por kishin edhe gjëra krejtësisht të pavlera. Kur’ani u shpall në shtatë shkronja (dialekte), në mënyrë që leximi dhe recitimi i tij të ishte i lehtë për të gjithë. Padyshim, dialektet dallonin edhe nga shkalla dhe niveli i aspektit letrar, gjë që bëri që Osmani [Allahu qoftë i kënaqur me të] të nxirrte një dekret që, me rastin e kodifikimit apo përmbledhjes së Kur’anit brenda një mus’hafi, po qe se ndodhte ndonjë diskutim rreth shprehjeve, atëherë për bazë të merrej shprehja e kurejshëve, ngase Kur’ani qe shpallur në gjuhën e tyre.

Gjuha [apo dialekti] e kurejshëve ishte më e qarta, më e lehta dhe më e ëmbla, ndaj të gjitha dialekteve të Gadishullit, vlerë të cilën mundohet ta shpalosë para nesh edhe Imami i shquar, Sujuti [Allahu e mëshiroftë], i cili thotë: “… të folurit e kurejshëve është më i lehti dhe më i qarti, ndërsa të folurit e arabëve është paksa i vrazhdë dhe i pakuptueshëm. Për këtë shkak, arabët i afrohen asaj dhe duan ta përvetësojnë atë, sidomos kur kanë parë se bukurinë dhe ëmbëlsinë e saj e ka shtuar edhe Kur’ani. Ata, kur panë këtë bukuri, iu qasën Kur’anit për ta dëgjuar atë dhe, përkundër vullnetit dhe dëshirës së tyre, thanë: Vërtet, qenka i ëmbël dhe elegant (magjepsës); lartësia e tij është frytdhënëse, ndërsa pjesa e poshtme e tij gufuese. Vërtet, ai triumfon, ndërsa mbi të nuk mund të triumfohet!”[5]

Myslimanët vazhduan ta lexojnë Kur’anin ditë e natë, derisa e vërtetuan në praktikë se vërtet ata janë njerëzit më të mirë të dalë ndonjëherë në sipërfaqen e dheut, duke e lexuar atë që të gjithë, arabë dhe joarabë, me një gjuhë të vetme, gjuhë që i unifikoi ata, duke shkrirë deri diku ato dallimet që i kishin para shpalljes së Kur’anit në dialektet e tyre. Kësisoj, ata hynë në një etapë të re historike, në të cilën u bë unifikimi i gjuhëve të tyre…[6]

Mbase është e njohur se arabët, para shpalljes së Islamit, kishin dallime në të folur. Ata mblidheshin për çdo vit në tregun Ukkadh, sikurse edhe gjatë kohës së Haxhit, në të cilat merrnin pjesë një grup i madh ligjëruesish, poetësh dhe gojëtarësh. Në këtë kongres tregtar shkencor – nëse mund të quhet kështu – ata shkëmbenin dhe diskutonin me njëri-tjetrin, formë kjo e njohur për pasurimin e dialekteve, derisa në skenë u paraqit Islami, libri i të cilit u shpall në gjuhën e kulluar arabe, duke shkaktuar kështu një revolucion shkencor dhe linguistik të ri, metodën dhe stilin e të cilit arabët nxituan ta përvetësojnë pa hezitim[7]. Së shpejti Kur’ani u bë qendër referuese për vlerësimet gjuhësore dhe afrimin ndërdialektor. Në të kaluarën shkrirja në një dialekt tjetër konsiderohej turp, ndërsa me shpalljen e Islamit myslimanët e mësuan gjuhën nga Kur’ani dhe nga metoda e tij, dhe jo vetëm arabët. Kësisoj, dialektet do të hidheshin në koshin e plehrave të historisë, ndërsa gjuha arabe me çlirimet islame do të bëhej edhe gjuhë e atyre vendeve, siç ishte rasti me Shamin, Irakun, Egjiptin, Persinë, etj. Statusi i saj do të ndërrohej nga gjuhë fetare në gjuhë populli dhe shteti.[8] Ajo u bë gjuha e vetme për të gjithë myslimanët në botë, me të cilën ata mund ta adhurojnë Zotin e tyre. Imamët e katër medh’hebeve janë pajtuar njëzëri se nuk lejohet falja e namazit me gjuhë joarabe.   

 

  1. Transformimi i arabishtes në gjuhë botërore

Gjuha, siç dihet, është paraqitja më korrekte e jetës së atyre që e flasin atë dhe,  në rastin e arabëve, para shpalljes së Kur’anit, ajo nuk ishte e njohur ngase arabët nuk shquheshin për diç apo nuk kishin ndonjë pozitë te popujt, në mënyrë që njerëzit t’i qaseshin mësimit të gjuhës së tyre apo të lidhnin bashkëpunim me ta. Gjuha e tyre nuk ishte gjuhë e shkencës dhe dijes, e krahas kësaj arabët nuk kishin ndonjë civilizim a prodhimtari të caktuar. Tërë kjo bëri që arabishtja të mos mund të dilte jashtë Gadishullit Arabik. Kësisoj jetuan arabët derisa erdhi Kur’ani, i cili solli parimet dhe normat më të përkryera që njeh shoqëria njerëzore. Kur’ani ia garantoi arabishtes jo vetëm mbijetesën por edhe zhvillimin dhe jetëgjatësinë, dhe ja, arabishtja sot është e gjallë dhe shumë e fortë, është gjuhë e miliona njerëzve në mbarë botën. E duke e ditur se arabishtja është qenësore për të mbajtur fenë dhe për ta kuptuar saktë atë, njerëzit iu qasën mësimit të saj si gjuhë e Kur’anit. Andaj, nëse themi se po të mos ishte Kur’ani arabishtja nuk do ta kishte këtë fat, nuk gabojmë.

 

  1. Shpikja e disa shkencave që nuk do të ekzistonin pa Kur’anin

U shpikën shkenca të reja në disa fusha, si në rrafshin fetar: Hadithi, Fikhu, Usuli Fikhu; në gjuhë: Sintaksa, Morfologjia, Elokuenca, Të kuptuarit e gjuhës (fiku-l-lugah); në shkencat filozofike: Logjika, Filozofia Islame, Teuhidi, Apologjetika e shkenca të tjera.

 

  1. Mbizotërimi ndaj gjuhëve fqinje

Këtë të vërtetë e kuptojmë atëherë kur bëjmë krahasime të arabishtes me gjuhët e tjera, si: anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, etj.

Ndërsa sa i përket ndikimit të Kur’anit në shpirtrat e besimtarëve e jobesimtarëve, atëherë fol e mos ki frikë fare. E si mund të mos ndikohet shpirti i njeriut prej Kur’anit, kur edhe bota inorganike, kodrat dhe malet, ndikohen prej tij?! Një prej atyre që kanë folur vërtet bukur për këtë çështje është edhe Prof. Dr. Salah Abdu’l Fettah el-Halidi, në studimin e të cilit gjenden mësime e dobi të shumta, prej të cilave, për t’i dhënë një pamje më komplete punimit, por edhe një koncept më të shtjelluar lexuesit, mendoj se ia vlen të shkëpusim ca paragrafë:

“Kur’ani ka një ndikim të jashtëzakonshëm në shpirtin e njeriut, gjë që dëshmon se është fjalë e Allahut, ndryshe, ndikim të tillë te njeriu nuk mund të lë kurrë fjala e njeriut. E vërteta, të folurit elokuent ndikon te shpirtrat e ndërgjegjshëm, qofshin këto fjalë prozë a poezi, dhe sa herë që elokuenca është më e theksuar, edhe ndikimi rritet, por asnjëherë sikurse ndikimi nga fjala e Allahut. Kur’ani ka aluduar në ndikimin e tij që është ekskluziv për nga lloji, që madje sikur Allahu t’iu drejtohej me të edhe krijesave inorganike, ato do të ndikoheshin prej tij. Allahu ka thënë:

“Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga Allahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë.”[9]

Mosbesimtarët janë të privuar nga Kur’ani ndikues, e sikur Allahu t’ia shpallte këtë Kur’an ndonjë kodre, do ta shihje kodrën teksa përulej dhe çahej nga frika e Allahut. Por jo, Allahu nuk iu drejtua me të kodrave. Ai iu drejtua njeriut, i cili gjithsesi duhet të ndikohet prej Kur’anit dhe, rrjedhimisht, edhe t’ia ketë frikën Allahut. Fatkeqësisht, jo të gjithë njerëzit janë ndikuar prej tij. Ka të atillë madje që edhe ia kanë kthyer shpinën. Kur e dëgjojnë atë, ata ikin prej tij, e kështu zemrat e tyre bëhen më të forta se guri. Ata e pengojnë depërtimin e Kur’anit në zemrat e tyre dhe kështu bëjnë krim ndaj vetvetes. Allahu thotë:

“Kur ti e lexon Kur’anin, në mes teje dhe atyre që nuk e besojnë botën tjetër, Ne vëmë një perde të padukshme. Ndërkaq, në zemrat e tyre vëmë një mbulesë dhe shurdhim të thellë të veshëve të tyre që nuk mund ta kuptojnë atë. E kur e përmend ti në Kur’an Zotin tënd, vetëm Atë, ata ikin mbrapa dhe largohen.”[10]

Në fakt, mosbesimtarët e dinin ndikimin e Kur’anit në shpirtra, kështu që frikësoheshin që ta dëgjonin atë, andaj edhe ‘e këshillonin’ njëri-tjetrin që të qëndronin sa më larg tij, e po të ndodhte që të lexohej në prani të tyre, atëherë ata të shushuritnin e të pëshpëritnin vetëm e vetëm që të mos dëgjohej ai. Allahu na flet për këtë:

“Ata që nuk besuan thanë: ‘Mos e dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni) ashtu që ta pengoni!’”[11]

Kur’ani patjetër që ndikon te njerëzit. Mu për këtë Islami kërkon prej ithtarëve të tij që t’ua lexojnë Kur’anin mosbesimtarëve dhe t’i bëjnë ata ta dëgjojnë Kur’anin, ngase do të ndikohen prej tij.

“E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon strehim, ti strehoje në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e Allahut (Kur’anin), e mandej përcille deri në vendin e tij të sigurt. Këtë, ngase ata janë popull që nuk e di (të vërtetën e fesë islame).”[12]

Kjo kishte të bënte me ndikimin te mosbesimtarët, ndryshe te besimtarët, që i kanë zemrat të hapura për dritat e Kur’anit, ndikimi është i madh.

“Allahu e shpalli të folmen më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas here (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrëqethen lëkurët dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i Allahut, me të udhëzon atë që do. E atë që Allahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.[13]”[14]

Dr. Halidijj-i ka sjellë edhe shembuj nga ndikimi praktik i Kur’anit në shpirtrat e mosbesimtarëve, si tregimi i tre liderëve kurejshë që e dëgjuan Kur’anin te Qabeja tri net radhazi. Pastaj ka sjellë shembuj nga ndikimi i Kur’anit te sahabët, si tregimi i pranimit të Islamit nga Omer Ibn Hattabi, [Allahu qoftë i kënaqur me të], pastaj tregimi i martirit Sejjid Kutbit me gruan jugosllave në vitin 1949, e cila u ndikua shumë nga ajetet kur’anore gjatë udhëtimit me anije nga Egjipti në SHBA.

Si rezyme të këtyre fjalëve, në fund të këtij shkrimi, do të mund të konstatonim se vlera e Kur’anit dhe ndikimi i tij i madh nuk ka qenë vetëm në gjuhën arabe dhe në ruajtjen e pasurimin e saj, por në çdo gjë: kozmos, krijesa dhe botë.

Kjo është dhurata e Zotit, që Ai ia jep kujt të dojë, e Allahu është Dhurues i Madh, ndërsa lutja jonë e fundit është:

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! 

[1]. Për më shumë shih: Lehexhatu’l arab fi’l Kur’ani’l Kerim – dirasetun istikraijjetun tahlilijjetun, f. 210.; Etheru’l Kur’ani’l Kerim fi’l lugati’l arabijjeh, Ahmed Hasen Bakuri, Darul mearif, Egjipt, …, f. 28-32.

[2]. Shih: Bakuri, Ahmed Hasen, Etheru’l Kur’ani’l Kerim fi’l-lugati’l arabijjeh, f. 23;  http://www.al-maqha.com/t7344.html Webfaqja është shfletuar më datë 20/05/2010.

[3]. Err-Rrafii, Sadik, Tarihu adabi’l arab, v. 2, f. 74.

[4]. Fjala Dheuk në letërsi nënkupton një ndjenjë kuptimore në bazë të së cilës bëhet vlerësimi i ndikimit letrar apo artistik. Shih: Mes’ud, Xhubran, Err-Rraid – mu’xhemun lugauijjun asrijjun,  Darul Ilm lil melajin, Bejrut, f. 376 (shën. i përkth.).

[5]. Këto në fakt janë fjalët e Utbe Ibn Rabias të thëna me rastin e dëgjimit të leximit të kaptinës Fussilet nga Profeti [alejhis salatu ues selam]. Shih: Tefsiru Ibni Kethir, 3/150.

[6]. Sujuti, el-Muz’hir fi ulumi-l-lugati-l-arabijjeti, 1/129.

[7]. Shih: Lehexhat el-arab fi-l-Kur’ani-l-Kerim – dirasetun istikraijjetun tahlilijjetun, f. 207.

[8]. Po aty.

[9]. Kur’an, El-Hashr, 21.

[10]. Kur’an, El-Isra’, 45-46.

[11]. Kur’an, Fussilet, 26.

[12]. Kur’an, Et-Teubeh, 6.

[13]. Kur’an, Ez-Zumer, 23.

[14]. Shih: Salah, Abdu’l Fettah el-Halidijj, I’xhazu’l Kur’an el-bejanijj ue delailu masdarihi’rr Rrabbanijj, f.491-492; Min axhaibi’l Kur’ani’l lugauijjeti të Dr. Fuad Mahmud Muhammed Senedi, f. 41-101.


  • Forcimi i gjuhës dhe veprimi në drejtim të përkryerjes së saj, Ruajtja e gjuhës arabe nga humbja, Unifikimi i dialekteve arabe
  • tweet
Komentimi i sures Fatiha nga dijetarët shqiptarë H. Vehbi Dibra - H. Ibrahim Dalliu - H. Ali Korça Sistemi gjyqësor në Islam

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
Me shumë në këtë kategori
  • Krijimi i Ademit dhe Havasë sipas Imam Maturidiut
    Krijimi i Ademit dhe Havasë sipas Imam...

    May 21, 2025 0

  • Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera
    Qasja e dijetarëve klasikë dhe...

    May 21, 2025 0

  • Burimet themelore të fesë dhe qytetërimit islam
    Burimet themelore të fesë dhe...

    May 07, 2024 0

  • Mesatarja Kur’anore shërim i ekstremizmit
    Mesatarja Kur’anore shërim i...

    Feb 12, 2024 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për...

May 21, 2025 0

Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100...

May 10, 2025 0

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i...

Apr 01, 2022 0

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Studime

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf...

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...
MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S....

Sep 13, 2024 0

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Konak me Edisonin

Konak me Edisonin

May 21, 2025 0

Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...
Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Sociologji

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky studim përmbledh mësimet shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut lidhur me leximin dhe kuptimin e Kur’anit, duke u përqendruar në thellësinë e përvojës...
Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet shoqërore

Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet...

Jul 02, 2024 0

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën  “Drita Islame” (1992-2011) në aspektin edukativ

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën ...

Jul 02, 2024 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (39)

Te Fundit

  • KRYEPËRMENDORE  PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
    KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË

    May 26, 2025 0

  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
    Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në...

    May 21, 2025 0

  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
    Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL...

    May 21, 2025 0

  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
    HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK

    May 21, 2025 0

  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut
    Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

    May 21, 2025 0

  • Konak me Edisonin
    Konak me Edisonin

    May 21, 2025 0

  • ARABËT PARA  ISLAMIT
    ARABËT PARA ISLAMIT

    May 21, 2025 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al