Perditësimi i fundit June 25th, 2025 9:29 AM
May 21, 2025 Zani i Nalte Recensë 0
Abstrakt
Recensioni shqyrton librin “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)”, shkruar nga Prof. Asoc. Dr. Alban Dobruna, i cili ndriçon një nga ngjarjet kyçe të historisë së Kosovës dhe luftës çlirimtare shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Konferenca e Bujanit, mbajtur në një periudhë kritike historike, shënoi themelimin e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit dhe miratimin e Rezolutës së Bujanit, një dokument që për herë të parë shpalli të drejtën e vetëvendosjes për shqiptarët e Kosovës dhe synimin për bashkimin me Shqipërinë.
Libri trajton me kujdes dhe thellësi tematika kyçe, të organizuara në katër kapituj: arsimimin e kuadrove shqiptare dhe ndikimin e ideve komuniste, organizimin e rezistencës antifashiste, thirrjen dhe vendimet e Konferencës së Bujanit, si dhe reagimet e partive komuniste shqiptare dhe jugosllave ndaj saj. Dobruna analizon ndikimin e vendimeve të Konferencës në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore dhe rolin e tyre në rrugëtimin e Kosovës drejt shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.
Autori thekson rëndësinë kombëtare dhe ndërkombëtare të Konferencës së Bujanit si akti i parë legjislativ për vetëvendosjen e Kosovës, duke ofruar një analizë të thellë të rrethanave historike dhe ndikimeve afatgjata politike e shoqërore. Libri paraqitet si një burim i rëndësishëm historiko-shkencor për studiuesit dhe lexuesit e interesuar në historinë dhe politikën bashkëkohore shqiptare.
Fjalë kyçe: Konferenca e Bujanit, rezistenca antifashiste, vetëvendosja, historia e Kosovës, Rezoluta e Bujanit, politika shqiptare.
Konferenca e Bujanit është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë bashkëkohore tek shqiptarët dhe veçanërisht për historinë e re të shtetit të Kosovës. Në këtë konference e ka zanafillën edhe formimi i organit më të lartë politik të Lëvizjes Nacionalçlirimtare (më tej LNÇ) në Kosovë, Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit.
Konferenca i zhvilloi punimet nga data 31 dhjetor 1943 deri më 2 janar 1944 në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës (sot ndodhet në rrethin e Tropojës-Shqipëri), sepse në territorin e Kosovës nuk kishte asnjë zonë të lirë. U zgjodh ky fshat dhe kulla e Sali Manit, bajraktarit të Krasniqes, meqenëse historikisht Gjakova dhe malësia e saj kishin qenë gjithmonë të lidhura në përpjekje për liri dhe pavarësi.
Në këtë Konferencë u mblodhën delegatë nga të gjitha krahinat e Kosovës duke e listuar atë, si Konferencën e Parë Nacionalçlirimtare të kësaj treve. Delegatët me vota të përbashkëta zgjodhën Këshillin, më pas Kryesinë dhe përpiluan Rezolutën, që do të ishte platforma e parë politike, e cila do të ndiqej nga populli shqiptar i Kosovës në luftë kundër pushtuesve deri në çlirimin e tyre me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputjen përfundimtare. Pra boshti kryesor i punimeve të konferencës ishin vendimet që dolën me emrin “Rezoluta e Bujanit”, ky fakt tregoi se për herë të parë shqiptarët e Kosovës njëzëri deklaronin shkëputjen dhe pavarësinë politike të Kosovës nga Serbia e Jugosllavia dhe kërkonin realizimin e të drejtës së ligjshme për bashkimin e këtij populli me tokën mëmë, Shqipërinë.
Shtypja politike dhe shfrytëzimi ekonomik gjithmonë hasin në rezistencë. Mirëpo, kur rezistenca kthehet në kryengritje të armatosur, ajo shndërrohet në luftë çlirimtare, siç edhe ndodhi në Luftën e Dytë Botërore. Populli shqiptar i Kosovës dhe i gjithë kombi ynë, asokohe po kalonin momente të vështira, vendimtare e historike. Ishte koha kur miliona njerëz po vdisnin nga makineria nazifashiste apo dhe koha kur fatet e popujve të vegjël po lëkundeshin.
Ndaj me të drejtë autori përcakton se “Dokumenti historik i Bujanit” ishte produkt i momentit historik. Popujt e Ballkanit, brenda kësaj familjeje të madhe edhe populli shqiptar, parimin e vetëvendosjes e kanë kultivuar e njohur përmes mendimtarëve të vet liberalë, por edhe përmes kulturave, dëshirave dhe aspiratave të tyre, luftës për çlirim kombëtar e të drejtave sociale. Në këtë kontekst mund të përmendim veprimtarinë e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (1918-1925)”, “Lëvizjen Kaçake gjatë periudhës midis dy luftërave botërore”, “Rezolutën e Bujanit”, programin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore etj.
Koncepti i parimit të vetëvendosjes përmban në vetvete, komponentë dhe premisa të shumta, si nga përmbajtja e tij, ashtu edhe nga modifikimet dhe mundësitë e realizimit të këtij parimi. Brenda parimit të vetëvendosjes gjejmë koncepte të lirisë së të drejtave të njeriut, ardhmërinë në pikëpamje të vetë iniciativës dhe të drejtën për vetëvendosje, shtetësinë, pavarësinë, sovranitetin politik të kolektivitetit nacional. Ky parim u duk qartë që në pjesën e parë të këtij dokumenti ku deklarohej se: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar i cili si gjithmonë, ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”
Autori si studiues dhe hulumtues shkencor e ka rritur veprimtarisë e tij në fushën kërkimore-shkencore, ndaj duke vlerësuar punën e tij përcaktojmë që ky punim i ri historik është monografia e tretë e tij. Kjo tregon për punën e palodhur, këmbënguljen dhe pjekurinë e studiuesit i cili na përshkruan me shumë pathos karakterin dhe objektivin kryesor të punimeve të Konferencës, të cilat sipas tij shprehen të lidhura në mënyrë specifike me lindjen dhe zhvillimin e lëvizjes çlirimtare në Kosovë, lëvizje që në vetvete përherë tentoi të jetë objektivisht e pavarur. Këtë autori e argumenton me vendimet që u morën në Konferencë ku siç shprehet vetë ai: “vendimet ishin një provë e sinqeritetit dhe vërtetësisë së politikës pushtuese jugosllave”.
Sipas tij, “Rezoluta e Bujanit” ka qenë akti i parë legjislativ i përfaqësuesve të popujve të Kosovës, dokument historik që ka synuar pavarësinë e Kosovës në bazë të së drejtës për vetëvendosje. Kjo Konferencë pati rëndësi të madhe historike, sepse shprehu hapur që në fillim bashkëpunimin dhe bashkërendimin me aleatët e koalicionit antifashist në botë. Prandaj, përveç karakterit kombëtar, mund të themi që konferenca kishte edhe karakter ndërkombëtar, sepse me praninë e përfaqësuesve aleatë dhe me garancitë e tyre çështja e Kosovës u ngrit në arenën ndërkombëtare, duke mbrojtur me vendosmëri edhe të drejtën e vetëvendosjes së popullit shqiptar.
Kjo monografi me emrin shumë domethënës “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS” përmban një strukturë të qartë dhe të ndarë në katër kapituj kryesorë, të cilët trajtojnë tematika të ndryshme, por të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Kapitujt do të shoqërohen nga parathënia dhe përfundimet, si dhe një pjesë e veçantë rreth burimeve dhe literaturës që autori ka përdorur. Çdo kapitull ndjek një linjë logjike të ngjarjeve dhe analizave historike që përshkruajnë periudhën nga pushtimi nazifashist i trevave shqiptare deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Autori punimin e tij e nis me parathënien ku përshkruan më së miri gjendjen, aspiratat dhe dëshirën e popullit të Kosovës për të vënë bazat themelore të institucioneve shtetërore të tyre, pavarësisht faktit se pavarësia e këtij vendi do të realizohej me shumë luftë (Lufta Çlirimtare e Kosovës 1997-1999) e përpjekje, me shumë mund e sakrificë, duke vuajtur pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb deri në shpalljen e pavarësisë. Kosova u shpall e pavarur më 17 Shkurt 2008.
Në kapitullin e parë që emërtohet: “Arsimimi i kuadrove shqiptare dhe përhapja e ideve komuniste”, autori përshkruan me detaje si dhe analizon rrugën që ndoqën apo mënyrën se si u arsimuan kuadrot shqiptarë. Më tej vazhdon me përhapjen dhe ndikimin e ideve komuniste në këtë proces. Në fillim të kapitullit diskutohet edhe për pushtimin nazifashist të trevave shqiptare por dhe për ndikimin e këtij pushtimi në zhvillimin politik dhe ideologjik të popullsisë shqiptare. Pjesa më e rëndësishme e këtij kapitulli fokusohet në kontaktet e komunistëve shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë, duke shfaqur mënyrën se si këto kontakte ndikuan në përhapjen e ideve komuniste dhe organizimin e rezistencës antifashiste në Kosovë.
Në kapitulli e dytë me titull “Organizimi i rezistencës antifashiste në Kosovë”, autori jep me shumë detaje mënyrën sesi u organizua rezistenca antifashiste në Kosovë, duke përfshirë luftën dhe strukturat komanduese që operonin në këtë rajon. Një pjesë e madhe e këtij kapitulli do ti kushtohet edhe marrëdhënieve midis partive të dyja vendeve, Partisë Komuniste Shqiptare dhe Partisë Komuniste Jugosllave, por edhe rrethanave historike që i paraprinë Konferencës së Bujanit. Analiza e bërë është e detajuar dhe e mbështetur në dokumente historike dhe burime arkivore, duke nxjerrë në pah përpjekjet dhe sfidat me të cilat përballeshin luftëtarët antifashistë në Kosovë.
Më tej monografia vazhdon me kapitullin e tretë të cilin e emërton “Thirrja për Konferencën e Bujanit”. Në këtë kapitull autori është i përqendruar në Konferencën e Bujanit, një moment kyç në historinë e Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Diskutohet thirrja për këtë konferencë, rezoluta që u miratua, por edhe jehona që pati në Kosovë dhe më gjerë. Rezoluta e Konferencës së Bujanit dhe ndikimi i saj politik dhe shoqëror në periudhën pas Luftës është analizuar me kujdes, duke nxjerrë në pah rëndësinë e kësaj ngjarje për vetëvendosjen e shqiptarëve të Kosovës.
Reagimet dhe qëndrimet do të ishin të ndryshme, ndaj autori e përmbyll veprën e tij me kapitullin e katërt me titull “Reagimet e PKJ-së dhe PKSH-së ndaj Konferencës së Bujanit”. Nëpërmjet një analizë të gjerë dhe me detaje trajton reagimet e dy Partive Politike, Partisë Komuniste Jugosllave dhe asaj Shqiptare, qasjen dhe qëndrimet ndaj Konferencës së Bujanit. Përpjekjet për shfuqizimin e rezolutës së Bujanit nga ana e PKJ-së dhe pasojat e këtyre përpjekjeve për Kosovën në përfundim të Luftës së Dytë Botërore janë të detajuara në këtë pjesë. Kapitulli përfundon me një analizë të ndikimit të Konferencës së Bujanit në Kosovë, që nga viti 1945 deri në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, duke e lidhur kështu periudhën e rezistencës me zhvillimet e mëvonshme politike.
Në përfundimet e librit, autori jep një vlerësim të përgjithshëm të ndikimit të ideve komuniste dhe rezistencës antifashiste në zhvillimin e shoqërisë shqiptare në Kosovë. Analiza përfshin ndikimet afatgjata të këtyre ngjarjeve dhe mënyrën se si ato kanë formësuar identitetin politik dhe kulturor të shqiptarëve të Kosovës. Ky libër është punimi i parë i plotë historiko shkencor për një konferencë të madhe shqiptare siç ishte “Konferenca e Bujanit”, e cila mori vendime të rëndësishme për popullin e Kosovës, duke e ngritur lart nga ana politike dhe juridike.
Përfundimisht mund të themi se libri “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” i autorit Prof. Asoc. Dr Alban Dobruna, është një burim i vlefshëm për studiuesit e historisë bashkëkohore Kosovare dhe më gjerë të politikës shqiptare. Struktura e qartë dhe analiza e detajuar e ngjarjeve historike e bëjnë këtë libër një kontribut të rëndësishëm në kuptimin e periudhës së rezistencës antifashiste dhe zhvillimeve të mëvonshme në Kosovë. Rëndësia e Konferencës së Bujanit dhe ndikimi i saj afatgjatë janë trajtuar me kujdes, duke ofruar një perspektivë të re dhe të thelluar për lexuesit.
Prof.Asoc. Dr. Ilirjana Kaceli
Kolegji Universitar Bedër
Jun 25, 2025 0
May 26, 2025 0
May 21, 2025 0
May 21, 2025 0
May 26, 2025 0
Oct 19, 2023 0
May 21, 2025 0
Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...May 21, 2025 0
Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...May 21, 2025 0
Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...May 21, 2025 0
Abstrakt Ky studim përmbledh mësimet shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut lidhur me leximin dhe kuptimin e Kur’anit, duke u përqendruar në thellësinë e përvojës...