Perditësimi i fundit August 24th, 2026 8:30 AM
Aug 24, 2026 Zani i Nalte Abstraktet 0
Revista shkencore dhe kulturore “ZANI I NALTË”
Përmbajtja e nr. 42 (195)
Koncepti i Zotit në fetë Abrahamike
Msc. Armand Asllani
Abstrakt
Ky studim synon të hedhë dritë mbi mënyrën se si kuptohet Zoti në tri nga traditat më të mëdha fetare të botës: Judaizmi, Krishterimi dhe Islami. Edhe pse të ndara nga historia dhe doktrina, këto fe ndajnë një burim të përbashkët dhe ruajnë një ide qendrore: besimin në një Zot të vetëm, të gjithëfuqishëm dhe krijues të gjithësisë. Megjithatë, mënyra se si e përfytyrojnë këtë Zot është e ndryshme. Judaizmi e përshkruan Atë si të pakapshëm për mendjen njerëzore, por gjithmonë pranë popullit të vet. Krishterimi e shfaq Zotin si një qenie që përfshin dashuri të thellë dhe mëshirë, duke u mishëruar në Jezusin, ndërsa Islami e thekson fuqishëm njëshmërinë dhe madhështinë absolute të Tij, duke e përjashtuar çdo formë të ngjashmërisë me krijesat. Ky krahasim na ndihmon të kuptojmë jo vetëm ngjashmëritë që bashkojnë këto fe, por edhe veçantitë që i karakterizojnë dhe i japin secilës një identitet të veçantë në përfytyrimin e hyjnores.
Fjalë kyçe: Monoteizëm, Judaizëm, Krishterim, Islam, Teologji krahasuese
2. Studime Islame
a)“El-Ihtijar” në fikhun hanefi: Pasqyrë e shpirtit të medhhebit dhe larmisë së shkollave të tij
Studim analitik krahasues ndërmjet autenticitetit dhe bashkëkohësisë
Dr. Xhemal Alsafarti
Hyrje
Fikhu hanefi përbën një nga shtyllat themelore të jurisprudencës islame, i dalluar për metodën e tij të ekuilibruar dhe fleksibilitetin në nxjerrjen e dispozitave juridike, gjë që ka ndikuar në përhapjen e tij në zona të gjera të botës islame, veçanërisht në Indi, Ballkan, Turqi dhe Irak. Ndër veprat që kanë luajtur rol themelor në këtë medhheb spikat libri “El-Ihtijar li Ta’lili’l-Muhtar” i imam Abdullah b. Mahmud el- Musilit (v. 683 h.), për shkak të paraqitjes së saktë, zgjedhjes së matur dhe balancimit të arsyetuar mes mendimeve juridike.
Ky studim synon të analizojë rëndësinë e librit “El-Ihtijar” në fikhun hanefi nga aspekti metodologjik, duke e krahasuar me disa tekste të tjera si “Bedâi‘u’s-Sanâi‘”, “El-Hidâje” dhe “El-Mebsût”, si dhe duke nxjerrë në pah vlerat shkencore të librit në përhapjen dhe mësimdhënien e medhhebit në kohën bashkëkohore, në mënyrë që të ruhet ekuilibri mes traditës dhe kërkesave të kohës.
b) Maksimat Juridike Dhe Përdorimi i Tyre Në Veprën “El-Ihtijar” Të Meusiliut
Dr. Elton Karaj
KU Bedër
Përmbledhje
E drejta islame synon të rregullojë jetën e myslimanëve si në aspektin individual, ashtu edhe në atë shoqëror. Brenda këtij sistemi juridik, një ndër elementet me rëndësi të veçantë janë edhe maksimat juridike (kaidet e fikhut), të cilat përmbledhin çështjet dytësore nën parime të përgjithshme. Këto kaide shërbejnë për të kuptuar dhe trajtuar raste të ngjashme brenda një logjike të përbashkët. Në këtë mënyrë, ato japin një kontribut të çmuar si në planin teorik, ashtu edhe në atë praktik për kuptimin e drejtë të jurisprudencës islame. Në këtë prezantim fillimisht do të qartësojmë përkufizimet e termave bazë të maksimave juridike, karakteristikat dhe burimet e tyre. Më pas do të japim disa shembuj nga vepra “El-Ihtijar li Ta’lil el-Muhtar” të Mevsiliut.
c) El-Ihtijar li Ta’lil el-Muhtar: Një gur themeltar i jurisprudencës hanefite
Dr. Ejup Haziri
Libri “El‑Ihtijar” është një koment (sherh) ndaj librit “El‑Muhtar lil‑Fetia”. Pra, “Ihtijari” përdoret për ta shpjeguar, për të ilustruar arsyetimet (argumentet) dhe për të zbërthyer çështjet juridike që libri i tij i mëparshëm, “Muhtari”, përmend. “Muhtari” konsiderohet njëri ndër katër librat bazë të shkollës hanefite. Këto katër libra janë: “Mexhmeul-Bahrejni ue Multeka Nehrejni”, “Kenzu Dekaik”, “Uikajetu Rrivajeti fi Mesailil Hidajeh” dhe “El-Muhtar lil-Fetua”.
Dijetarët vlerësojnë “Ihtijârin” për mënyrën e tij të detajuar të shpjegimit të gjërave të ndryshme dhe analizën që u bën çështjeve (meseleve) nga këndvështrime të ndryshme. Shpjegimi i këtij libri është shumë i respektuar; disa e kanë konsideruar atë si një prej komenteve më të rëndësishme pas librit “El‑Hidajeh”, dhe është vlerësuar si një koment standard dhe referencë në shkollën hanefite, respektivisht njëri ndër komentet më të respektuara të traditës hanefite.
d) El-Ihtijar, si burim orientues për vendimmarrjen juridike Islame
Bledar Myftari
Hyrje
Vendimmarrja juridike islame ka qenë gjithmonë një proces i thellë dhe i strukturuar, i cili nuk mjaftohet me citimin e thjeshtë të teksteve, por kërkon arsyetim, kontekstualizim dhe një traditë shkollore të konsoliduar mbi të cilën jurisprudenca të mbështetet. Në qendër të këtij procesi qëndron koncepti i ihtijarit – arti dhe shkenca e përzgjedhjes së mendimit më të drejtë dhe më të argumentuar mes disa opsioneve juridike të mundshme. Vepra “El-Ihtijar li Ta’lil el-Muhtar” e Imam Abdullah el-Meusilit (v. 683 h.) mishëron në mënyrë të përsosur këtë metodologji, duke ndërthurur përmbledhjen doktrinare hanefite me shpjegimin e thelluar dhe argumentimin e urtësisë ligjore që qëndron pas çdo dispozite.
Ky shkrim synon të paraqesë El-Ihtijarin jo thjesht si një tekst klasik i traditës hanefite, por si një burim orientues të gjallë e funksional, i cili vazhdon të flasë me nevojat e vendimmarrjes juridike islame edhe sot. Duke gjurmuar kuptimin gjuhësor dhe teologjik të termit ihtijar, rolin arsimor e gjyqësor të veprës gjatë shekujve, dhe shembullin e Imam el-Meusilit si model i ripërtëritjes brenda vazhdimësisë me traditën, artikulli argumenton se botimi i kësaj kolane në gjuhën shqipe përbën një hap strategjik drejt fuqizimit të kulturës fetvadhënëse dhe të studimeve serioze të fikhut në hapësirën shqiptare.
Kujtesa islame në Shqipëri shek. XX: Ndërprerja, heshtja dhe ripërtëritja
Fatma Karaj
Abstrakt
Ky punim trajton një nga kapitujt më të ndërlikuar të historisë moderne shqiptare: ndërprerjen e dhunshme të jetës fetare islame gjatë regjimit komunist dhe pasojat e saj afatgjata në kujtesën kolektive dhe identitetin shoqëror. Përmes një analize historike dhe institucionale, studimi synon të ndriçojë procesin me të cilin feja islame, e rrënjosur prej shekujsh në jetën shpirtërore, arsimore dhe komunitare të shqiptarëve, u margjinalizua, u shtyp dhe u ndalua përfundimisht nga një shtet ideologjikisht ateist.
Motivimi për realizimin e këtij punimi buron nga nevoja për të kuptuar jo vetëm mekanizmat politikë dhe juridikë të persekutimit fetar, por edhe pasojat kulturore dhe psikologjike që kjo politikë prodhoi në shoqërinë shqiptare. Ndërprerja e transmetimit ndërbrezor të traditës islame, shkatërrimi i institucioneve fetare dhe heshtja e imponuar mbi besimin krijuan një boshllëk të thellë në kujtesën historike, pasojat e të cilit janë të dukshme edhe sot.
Punimi është ndërtuar mbi burime të ndryshme historike, ligjore dhe studimore, duke përfshirë edhe analiza akademike. Qasja metodologjike synon një lexim kritik të marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe fesë, duke e vendosur rastin shqiptar në kontekstin më të gjerë të politikave antifetare në sistemet totalitare të shekullit XX.
Në këtë kuadër, studimi nuk synon vetëm rikonstruksionin e së kaluarës, por edhe nxitjen e reflektimit mbi rëndësinë e kujtesës historike. Ripërtëritja e jetës fetare pas vitit 1990 shihet këtu jo thjesht si rikthim institucional, por si një proces kompleks i rindërtimit të një tradite të ndërprerë dhunshëm për disa dekada.
Fjalë kyçe: Islami në Shqipëri, regjimi komunist, persekutimi fetar, shteti ateist, ripërtëritja fetare.
Njeriu dhe mendimi islam
Prof. Dr. Muhamed Mustafi
Fakulteti i Shkencave Islame, Shkup, Maqedonia e Veriut
A b s t r a k t
Mendimi është faktori kryesor që e dallon njeriun nga bota e frymorëve jonjerëzorë , dhe për këtë arsye, nuk është rastësi që Zoti i Madhëruar t’i japë rëndësi të madhe kësaj çështjeje.
Njeriu që mendon sipas rregullave hyjnore, do të përparojë në çdo aspekt të jetës, sepse gjatë tërë jetës së tij do të jetë i preokupuar me faktin se ai është në çdo moment nën kontrollin e Zotit të Madhëruar.
Njeriu nuk mund të ketë mendime të shëndosha nëse nuk thellohet në vetvete dhe në natyrë, sepse myslimani merr mësime isntruksionale nga Krijuesi i tij si dhe i realizon parimet, me të cilat është urdhëruar së vepruari.
Islami është fe e shpallur nga Allahu i Madhëruar dhe, nëse njeriu kërkon parime të tjera që kundërshtojnë shpalljen hyjnore, atëherë nuk do ta shijojë autoritetin e merituar, sepse nuk do ta ndiej në vete përgjegjësinë ndaj Krijuesit të tij, por vetëm ndaj krijesës, ndërsa krijesa në asnjë mënyrë nuk mund të jetë më e përsosur se Krijuesi.
Njeriu organizon jetën ideale nëse në mendimet e tij mbizotëron origjinaliteti i shpirtit islam dhe nëse mendon brenda suazave të parimeve që nuk e kundërshtojnë natyrën dhe instinktin njerëzor, përndryshe do të formohej kaos individual, shoqëror dhe natyror ashtu siç vërejmë sot në mbarë botën.
Fjalët kyçe: Islam, njeri, besim, mendim, historia e mendimit, mendimi islam
Trashëgimia kulturore islame me shkrimin arab në Evropë: Pozita e një problemi dhe një pikëpamjeje[1]
Boguslaw R. ZAGORSKI
Abstrakt
Ky artikull trajton trashëgiminë e pasur, por të pastudiuar mjaftueshëm, të kulturës islame në Evropë, duke u fokusuar veçanërisht në dokumentet e shkruara me alfabetin arab. Autori, Bogusław R. Zagorski, argumenton se historia evropiane është e paplotë pa integrimin e këtyre burimeve, të cilat shpesh janë lënë pas dore si “të huaja” ose janë censuruar nga regjimet politike të së kaluarës.
Studimi bën një ndarje kategorike të burimeve në dy grupe kryesore:
Artikulli thekson rëndësinë e alhamiado-s si një fenomen ndërkulturor që u shfaq në rrethana të ndryshme politike (nga myslimanët nën sundimin e krishterë deri te grupet etnike brenda Perandorisë Osmane). Autori bën thirrje për një aparat kritik shkencor më të fortë, botime sistematike të dorëshkrimeve dhe bashkëpunim ndërkombëtar për të ruajtur dhe interpretuar këtë pjesë integrale të identitetit historik evropian.
Fjalët kyçe: Trashëgimi Islame, Shkrim Arab, Alhamiado, Tatarët Lituanezë, Historia e Europës, Burime Osmane, Evlija Çelebi.
6. Moral
Etika shoqërore islame në dritën e sures Huxhurat – II
PhD. Hysni Skura
Abstrakt
Ky studim shqyrton dimensionet etike dhe morale të pjesës së dytë të sures Huxhurat, përmes një analize tekstuale dhe kontekstuale të ajeteve 11–18. Këto ajete paraqesin një kod të plotë të etikës shoqërore islame, duke ndaluar talljen, përqeshjen, ofendimin, përdorimin e nofkave fyese, dyshimin e pajustifikuar, spiunimin dhe përgojimin, ndërsa afirmojnë dinjitetin njerëzor, barazinë mes njerëzve dhe kriterin e devotshmërisë (takvasë) si bazën e vlerësimit në Islam. Në të njëjtën kohë, ato trajtojnë raportin ndërmjet besimit të vërtetë dhe deklarimit formal të fesë, duke theksuar sinqeritetin e besimit dhe nënshtrimin e plotë ndaj Allahut.
Nëpërmjet një metodologjie ndërdisiplinore, e cila ndërthur komentimin klasik të tefsirit me qasje bashkëkohore nga etika, filozofia, sociologjia dhe psikologjia sociale, studimi synon të evidentojë aktualitetin e këtyre udhëzimeve kuranore në përballimin e sfidave të komunikimit, marrëdhënieve ndërpersonale dhe kohezionit social në shoqëritë moderne. Analiza vë në pah se ndërtimi i një komuniteti të shëndoshë fillon nga edukimi moral i individit dhe respektimi i të drejtave, dinjitetit dhe privatësisë së tjetrit.
Në përfundim, studimi argumenton se pjesa e dytë e sures Huxhurat përfaqëson një kornizë gjithëpërfshirëse të etikës personale dhe shoqërore, e cila promovon kulturën e respektit, përgjegjësisë, besimit reciprok dhe bashkëjetesës paqësore. Parimet e saj mbeten universale dhe ofrojnë një bazë të qëndrueshme për forcimin e harmonisë sociale dhe zhvillimin e një qytetarie të mbështetur mbi vlerat morale dhe shpirtërore.
Fjalë kyçe: Kuran, surja Huxhurat, etika islame, dinjitet njerëzor, moral.
Sulejman Kadiu (1883-1958)
Ali M. Basha
Sulejman Kadiu ka lindur në Tiranë më 1883. Ai i përket asaj plejade klerikësh myslimanë, të cilët fenë islame e studiuan dhe e propaganduan jo për të siguruar jetesën, pra ekonominë, por për t’u bërë misionarë vullnetarë të saj në vendin tonë, për t’i shërbyer fesë vetëm për kënaqësinë e Zotit. Nuk është e vështirë të konstatosh se klerikët myslimanë tiranas kanë një karakteristikë të përbashkët – të sinqertë, të urtë, të dashur, si mbarë populli nga gjiri i të cilit kishin dalë dhe i shërbenin. Për gjithçka që u predikonin dhe u thoshin të tjerëve përpiqeshin të jepnin shembullin vetë të parët.
Ai ishte i birin i Ramazanit ish-myfti i Tiranës. H. Sulejman Kadiu ishte profesor në Medresenë e Tiranës; ku jepte historinë islame. Lëndën që jepte e zotëronte dhe mësimin e bënte interesant, jo vetëm se e zotëronte lëndën, por çdo temë që shpjegonte i bënte edhe analizën kritike me vlerësimet përkatëse, duke u munduar të gjente lidhje me aktualitetin. Ishte i ditur jo vetëm në dijet fetare.
Për herë të parë në dokumentacion emrin e Sulejman Kadiut e hasim në vendimin nr. 37 datë 25.11.1924 të Këshillit të Naltë të Sheriatit, i cili mori në shqyrtim listën e mësimdhënësve – trupit mësimor të Medresesë së Naltë, që dëshiron të japë mësim në Medrese. Ai trup mësimor, që në atë kohë u tregua i gatshëm të jepte mësime gratis në Medresenë e Naltë përbëhej nga: Hafiz Ali Korça – arabisht; Sulejman Kadiu – Kur’an, fikh dhe gjuhë shqipe; Major Rexhep Berati – aritmetikë, gjeometri; Kapiten Musa Puka – gjimnastikë; Haki Tefiku – histori, gjeografi; Pertef Pogoni – frëngjisht; Lotar Qemali – higjienë (shëndetësi); Qamil Bala (deputet) – shkencë; Vehbi Libohova (Gani Strazimiri) vizatim; Doktor Sabriu – vizita të përjavshme shëndetësore nxënësve. Për të gjithë të sipërpërmendurit, Këshilli i Naltë i Sheriatit, pasi i konstatoi se janë të aftë për lëndët që dëshirojnë të japin mësim, vendosi dekretimin dhe falënderimin e tyre për gjestin bujar.
Monument drite që nuk i bën hije kohës,
Punim sistemues i historikut jubilar të KMSH (1923 – 2023)
Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi
Punën parapërgatitore, përgatitore dhe atë hartuese të kësaj vepre jubilare – autori i këtij botimi – duket që e ka nisur qysh herët. Ajo u paraqit në formën e një manuali të saktë mbi historikun e Komunitetit Mysliman Shqiptar, i cili mund të quhet edhe një dokument unik, i pajisur me një bibliografi të pasur arkivash, fototekash e titujsh, me referencat dhe shënimet e duhura për një përmendore të tillë, që më shumë se të tashmes, do t’i shërbejë së ardhmes.
Tituli i librit “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (1923-2023)” (Përshkrim i përmbledhur) i kërkuesit shkencor Dorian Demetja, realizuar nën kujdesin e Hirësisë së Tij H. Bujar ef. Spahiu, Kryetar i KMSH dhe, njëherazi botim i KMSH, që doli në qarkullim në fund të vitit përkujtimor, është një perifrazë e cila përmban esencën e vet.
Autori ka marrë përgjegjësinë e sistemimit të të ndodhurave gjatë shekullit të Kongresit të Manastirit, të Kuvendit të Vlorës, të Krijimit dhe funksionimit të shtetit të ri shqiptar, që tërtherej të mëkëmbej duke u mbështetur te prijësa të denjë dhe të aftë në ngritjen e institucioneve joshtetërore, të cilat do t’i bëheshin krah modernizimit të shoqërisë shqiptare në përgjithësi, por në veçanti institucioneve shpirtërore monoteiste.
Aug 24, 2026 0
Aug 20, 2026 0
Apr 07, 2026 0
Mar 18, 2026 0
Mar 03, 2026 0
Sep 04, 2025 0
Sep 04, 2025 0
Jul 02, 2024 0
Jan 15, 2026 0
Kjo konferencë u organizua në ambientet e “Tirana International Hotel”, me rastin e botimit të kolanës “El-Ihtijaru li Ta’lili-l-Muhtari”, botim ky i cili vjen si bashkëpunim...May 21, 2025 0
Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...May 21, 2025 0
Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...Sep 04, 2025 0
Dr. Feim Hoxha ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën...