Perditësimi i fundit September 11th, 2025 8:31 AM
Sep 04, 2025 Zani i Nalte Sociologji 0
ABSTRAKTI
Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën ai bën pjesë.
Një ndër nënllojet e sociologjisë është edhe sociologjia e fesë, e cila shqyrton ndërlidhjet që ekzistojnë midis strukturave shoqërore dhe feve të ndryshme, duke identifikuar aspektet e tyre besimore, praktikat dhe format e organizimit të besimeve fetare përmes metodave dhe disiplinave sociologjike.
Librat hyjnorë janë një burim i pashtershëm i pasqyrimeve të shoqërisë së njerëzimit përgjatë periudhave të ndryshme historike, prandaj, parë nga ky këndvështrim, ato janë ndër pikat kyçe që tërheqin interesin e studiuesve të sociologjisë së fesë.
Në këtë tekst shqyrtohet sociologjia e fesë dhe arsyet sociologjike të paraqitjes dhe përhapjes së fraksioneve fetare në kohën e sotme.
Sociologjia e fesë analizon ndërveprimet midis strukturave shoqërore dhe besimeve fetare, duke përfshirë aspekte të tilla si dogmat, kultet dhe praktikat fetare.
Teksti përqendrohet në disa faktorë kryesorë që kontribuojnë në formimin dhe përhapjen e fraksioneve fetare, duke përfshirë krizën e familjes, kërkimin e identitetit, nevojën për përgjigje dhe ndjenjën e të qenit “i veçantë”, varfërinë dhe ndarjen midis jetës rurale dhe urbane.
Përmes një shqyrtimi të ndërlikuar të këtyre faktorëve, theksohet se feja dhe fraksionet fetare shpesh ofrojnë ndihmë emocionale dhe shpirtërore, si dhe përgjigje për nevoja dhe shqetësime të ndryshme sociale dhe individuale.
Në përfundim, teksti sugjeron se këto fraksione ndihmojnë individët të krijojnë një identitet të veçantë dhe të mbijetojnë në një mjedis që ndryshon vazhdimisht.
Fjalët kyçe: Fraksionalizimi, Kulti, Familja, Identiteti, Feja, Dogma.
Sociologjia e fesë dhe dinamika e grupeve fetare në shoqëritë moderne
Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë ku ai bën pjesë. Kështu, ajo e analizon njeriun në të gjitha episodet e ndërveprimit të tij social dhe domosdoshmërisht formon kësisoj një lidhje të ngushtë me të gjitha shkencat e tjera humane, si psikologjia sociale, antropologjia, filozofia, folklori, historia, teologjia, etj. Një ndër nënllojet e sociologjisë është edhe sociologjia e fesë, e cila shqyrton ndërlidhjet që ekzistojnë midis strukturave shoqërore dhe feve të ndryshme, duke identifikuar aspektet e tyre besimore, praktikat dhe format e organizimit të besimeve fetare përmes metodave dhe disiplinave sociologjike. Librat hyjnorë janë një burim i pashtershëm i pasqyrimeve të shoqërisë së njerëzimit përgjatë periudhave të ndryshme historike, prandaj, parë nga ky këndvështrim, ato janë ndër pikat kyçe që tërheqin interesin e studiuesve të sociologjisë së fesë.
Para se të shpjegojmë arsyet e përhapjes së fraksionëve dëshirojmë të flasim për sociologjinë e fesë si shkencë e cila është shkencë e së vërtetës, një shkencë e fakteve dhe ngjarjeve. Sociologjia është e detyruar të mendojë pa dhënë gjykime në formë vlere. Në këtë disiplinë shkencore duhen lënë mënjanë gjykimet me vlera dhe qëndrimet vetjake. Ngjarjet duhen trajtuar dhe analizuar ashtu siç janë.
Por, në veçanti në fushën e sociologjisë, nuk është e lehtë që të realizohet ky determinizëm metodologjik; kjo pasi ngjarjet shoqërore nuk përbëjnë dukuri si ngjarjet natyrore, të cilat mund të vëzhgohen nga jashtë. Ato janë ngjarje në të cilat marrim pjesë edhe personalisht. Në fushën e sociologjisë së fesë kjo është edhe më e vështirë. Feja vepron deri në shtresat më të thella të personalitetit. Kështu, mund të themi se nëse ka një dukuri ku njeriu merr pjesë me gjithë qenien e tij, ajo është feja. Për këtë arsye, duhet një analizë shumë e kujdesshme nëse mund të marrim një qëndrim objektiv ndaj dukurive religjioze, të pavarur, jashtë vlerave dhe shkencor. Le të supozojmë se një sociolog analizon grupet e interesit, të cilat janë pjesë e jetës shoqërore dhe ekonomike moderne. Sociologu, që në fund të hulumtimit të tij konstaton se pjesëtarët e një grupi interesi mbrojnë interesat e tyre duke shtruar kërkesa në kundërshtim me interesat e tërësisë shoqërore, mund të hapë një front ndaj interesave të një grupi të caktuar. Pavarësisht këtij rreziku, konstatimet e arritura duhet t’i përcillen në mënyrë të drejtpërdrejtë opinionit publik.
Nëse e lidhim sociologjinë e fesë me traditën e kërkimit sociologjik ose e konsiderojmë atë nga shkencat fetare, siç bëjnë disa, ajo që bëhet fjalë në të dyja rastet është një hulumtim dhe analizë sociologjike rreth fesë. Në thelb, siç sugjeron edhe emri, sociologjia e fesë bazohet në dy baza themelore: a. Sociologjia, b. Feja. Në këtë aspekt, si në të gjitha degët e tjera të sociologjisë – për shembull, sociologjia e estetikës ose sociologjia e së drejtës – sociologjia e fesë bazohet në dy rende të ndryshme kërkimore: 1. Studimi i shoqërisë, 2. Studimi i fesë. Në fakt, kjo varësi e dyfishtë reflektohet shpesh në strukturën, përmbajtjen dhe metodat e saj, siç do të shihet qartë në diskutimet në vijim. Kështu, ndërsa sociologjia e fesë, e cila i shqyrton ngjarjet fetare si ngjarje shoqërore, ndan disa probleme me sociologjinë e përgjithshme dhe degë të ndryshme të sociologjisë, ajo gjithashtu duhet të ndajë disa probleme që lidhen me natyrën e përvojës fetare dhe shprehjen e saj me shkencat fetare.
Megjithatë, më lartë u theksua se sociologjia e fesë bazohet në dy metoda të ndryshme kërkimore: studimin e shoqërisë, nga njëra anë, dhe studimin e fesë, nga ana tjetër. Në të vërtetë, kjo varësi e dyfishtë e sociologjisë së fesë, e cila sapo është deklaruar se është një degë e veçantë e specializuar e sociologjisë, ndikon edhe në vendin e saj në klasifikimin e shkencave, dhe si rrjedhim, përveçse është një nëndegë e specializuar e një të përgjithshme edhe sociologjia sistematike, është gjithashtu një degë e teologjisë dhe fesë. Për shkak të rëndësisë së saj me shkencat, e lejon atë të zërë një pozicion të veçantë në klasifikimin e mijërave.
Kur’ani është një libër hyjnor i zbritur për t’u treguar njerëzve rrugëtimin më të drejtë e më të dobishëm drejt lumturisë së të dyja botëve. Nga fillimi, deri në fund, ai përmban shëmbëllimet dhe përshkrimet më të sakta rreth veçorive të qenies njerëzore dhe shoqërisë në të cilën ajo vepron. Është e pamundur të tregosh një ajet të Kur’anit që nuk i drejtohet njeriut, apo që nuk i dedikohet zgjidhjes së problemeve që e mundojnë atë nga lindja deri në vdekje. Duke qenë se ai është i gjithi një Libër për njeriun, atëherë në cilindo xhuz të tijin, të marrë në hulumtim, do të vëresh se si përvijohen çështje me interes të gjerë studimi për sociologët e fesë.
Përfytyrimi i Zotit në sociologji, në pamje të parë mund të duket diçka paradoksale. Është e qartë se vendosja së bashku e Zotit me sociologjinë dhe lidhja e tyre me njeri-tjetrin është pothuajse e habitshme. Mirëpo, nëse i hedhim një sy nga afër përqasjeve të sociologëve mbi fenë dhe shoqërinë, mund të shohim se sa afër me njëri-tjetrin është Zoti dhe sociologjia.
Islami është një fe universale që ka përjetuar zhvillime rrënjësore në botën e mendimit dhe në jetën shoqërore. Kjo fe zotëron një libër të cilin vetë Zoti do ta ruajë deri në Ditën e Gjykimit. Nën drejtimin e Kur’anit dhe të Profetit Muhamed (s.a.s.), kjo fe urdhëron që i gjithë njerëzimi të mblidhet rreth mendimit dhe praktikës së bazuar në njëshmërinë e Zotit (tevhid). Ajo i ka kundërshtuar konfliktet etnike, kulturore, racore që e prishin njëshmërinë hyjnore dhe duke i larguar të gjitha këto, e ka ftuar njerëzimin të mblidhet në një sistem që bazohet te ky teuhid (njëshmëri). Ata që e kanë pranuar këtë fe, ajo i ka zhvilluar duke i bërë që ata të jetojnë më tepër në një unitet se të ndarë në grupe të vogla, duke i larguar nga konflikti për një pajtim dhe nga individualizmi për në bashkëpunim.
Konceptet mbi Zotin dhe fenë që janë prodhuar dhe adoptuar nga njerëzit dhe shoqëria natyrisht në histori dhe sot e kësaj dite janë të shumta. Besimi dhe përfytyrimi i Allahut në islam është parimi kryesor i sociologjisë islame. Në këtë lloj sociologjie, Kur’ani, Libri i Shenjtë që besohet se ka zbritur nga Zoti është burimi i parë ndërsa syneti (tradita profetike) i Muhamedit (s.a.s.) është burimi i dytë. Hulumtimet në sociologjinë islame zhvillohen mbi bazën e këtyre parimeve themelore të pranuara si pikënisje epistemologjike.
Sociologjia islame në kuptimin e sociologjisë që hulumton dimensionin fetar të myslimanëve në jetën e tyre shoqërore pa një synim ideologjik dhe pa mbetur e lidhur me fenë, kryen kërkime mbi gjendjet fetare të myslimanëve. Duke qenë se islami është baza kryesore e besimit, sociologjia islame në mënyrë të natyrshme është e detyruar të marrë për bazë, të kuptojë dhe të hulumtojë besimin e tevhidit (Njëshmërisë së Zotit).
Sociologët perëndimore në përgjithësi pranojnë se besimet fetare përbëjnë një fushë të ligjshme dhe domethënëse të kërkimit sociologjik, sepse ato janë të rrethuara me domethënie, i ofrojnë parimet organizuese të botëkuptimit të një populli dhe kanë pasoja të prekshme për sjelljen njerëzore dhe shoqërinë. Besimet fetare, veçanërisht ato të një besimi global si islami, ofrojnë ide dhe parime mund të jenë të dobishme në analizën dhe teorizimin sociologjik. Barazia dhe vëllazëria e njerëzimit, pavarësisht dallimeve të prejardhjes, klasës apo kastës, është një nga parimet themelore të besimit islam.
Një nga vështirësitë në analizat dhe hulumtimet e sociologjisë së fesë është edhe fakti se mbi sipërfaqen e tokës ekzistojnë fe të ndryshme për nga përmbajtja e besimit, për nga mënyra e perceptimit të së shenjës, si dhe për nga mënyra e kryerjes së ritualeve dhe adhurimeve. Nëse marrim parasysh jo vetëm besimet e kohës së sotme por edhe ato nga kohët e para njerëzimit, ky pohim përforcohet edhe me tepër.
Feja gjendet në të gjitha shoqëritë njerëzore, gjë që shihet nëpërmjet gjurmëve arkeologjike, ku gjejmë simbole të ceremonive fetare dhe objekteve të kultit. Në të gjithë historinë e njerëzimit
besimi te Zoti ka qenë i pranishëm në jetën e njeriut. Besimet fetare kanë qenë dhe janë të shumta e të llojllojshme. Për këtë arsye, sociologët e kanë të vështirë të formulojnë një përcaktim, që t’i përfshijë të gjitha fetë. Anthony Giddens një nga sociologët e njohur bashkëkohorë, thotë se studimi i fesë është një përpjekje sfiduese, që shtron kërkesa krejtësisht të veçanta para imagjinatës sociologjike. Meqenëse feja ka të bëjë me gjithçka që gjendet përtej përvojës së përditshme, vlefshmëria e saj nuk mund të çmohet as nga arsyetimet e zakonshme dhe as nga shkencat. Feja është çështje besimi, që nuk ka nevojë të mbështetet në prova shkencore. Feja ndikon në forcimin e unitetit të anëtarëve të shoqërisë nëpërmjet predikimit dhe kontrollit të zbatimit të vlerave dhe normave të njëjta. Fetë, gjithashtu, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, kanë ushtruar gjithnjë ndikim të rëndësishëm në ecurinë e zhvillimeve historike, shoqërore, ekonomike, politike, kulturore, etj.” Në shoqëritë tradicionale feja luan një rol të rëndësishëm në jetën sociale.
Sociologët shprehin interesim për studimin e fesë para së gjithash për dy arsye: E para, feja është me shumë peshë për një numër të madh njerëzish. Praktikat fetare janë pjesë e rëndësishme e jetës fetare të shumë individëve. E dyta, feja është një objekt i rëndësishëm për hulumtimet sociologjike për shkak të ndikimit që ka ajo mbi shoqërinë, si dhe për shkak të ndikimit që shoqëria ushtron mbi fenë.
Në anën tjetër islami pasqyron shumë qartë mënyrën e besimit dhe rolin që ka luajtur ai në rregullimin e marrëdhënieve ndër shoqërorë. Në Kur’an pasqyrohet gjendja në të cilën do të jetë njeriu si shkak i rezultatit të punës së tij në marrëdhëniet me Zotin, veten dhe gjithë shoqërinë që e ka rrethuar: “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!”
Megjithëse në Kur’an ka shumë shembuj që flasin për problematiket shoqërore të cilat bazohen tek bindjet e njeriut, e të cilat rezultojnë me pozitivitet në shoqëri në të cilën jetojmë, ne do të sjellim vetëm disa:
Liria e mendimit, besimit dhe ndërgjegjes
Për të qenë një shoqëri sa më ideale dhe plotësuar me parime të bazuar në të vërtetën, duhet t’u mundësojë të tjerëve lirin e mendimit dhe shprehjes së lirë.
“Po sikur të kishte dashur Allahu, do t’i bënte ata (njerëzit) një popull (të një feje), por Ai shtie në mëshirën e Vet atë që do (atë që me vullnetin e vet pranon rrugën e drejtë).”
Thelbi i çështjes islame për lirinë fetare është vizioni i Kur’anit për qenien njeri. Antropologjia e Kur’anit e shikon çdo qenie njerëzore si një krijim të Zotit, të bekuar me intelekt dhe vullnet të lirë. Zoti i krijoi njerëzit “në formën më të mirë” dhe duke vepruar kështu e nderoi njerëzimin dhe i dha atij favore të veçanta. Kur’ani thekson se qeniet njerëzore kanë vlerë dhe dinjitet të qenësishëm. Për më tepër, deklarohet se Zoti i dha njerëzimit intelektin dhe aftësinë për të dalluar midis së mirës dhe së gabuarës. Është pikërisht liria e mendimit, e cila është pjesë e natyrshmërisë së krijimit të njeriut, që shpall të drejtën e tij për të besuar atë që i duket më e pranueshme dhe përmbushëse e nevojave të veta shpirtërore.
Rreth formave dhe kufijve të ndëshkimit, menaxhimi i konflikteve
“Ndëshkimi i së keqes bëhet me një të keqe në të njëjtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu.”
Në fenë islame, konfliktet janë parë si ngjarje të paevitueshme, përderisa janë pjesë e natyrës njerëzore, por duhet nënvizuar se vëmendja është përqendruar kurdoherë te mendimi se menaxhimi i tyre në një mënyrë të përshtatshme u jep konflikteve një karakter pozitiv. Falë ekzistencës së konfliktit lehtësohet gjetja e zgjidhjes së shumë problemeve, ndërsa nxitet pasurimi me ide dhe debati konstruktiv. Modeli proaktiv në menaxhimin e konflikteve është ndër modelet më të spikatura për zgjidhjen dhe stabilizimin e situatave problematike.
Sipas këtij modeli synohet mënjanimi i përplasjeve të mundshme nëpërmjet një qëndrimi proaktiv. Qasja është e tillë që konsiston në vlerësimin e detajuar të situatës, diagnostikimin e problemit, planifikimin e zgjidhjes dhe veprimin në një mënyrë të institucionalizuar.
Ekzistojnë një sërë sugjerimesh në kuadër të eliminimit të mosmarrëveshjeve në islam. Duke anuar gjithnjë nga paqja, besimtari nxitet për sjellje të mira dhe etike si një formë parandaluese për keqkuptime dhe fërkime në shoqëri. Të treguarit i durueshëm dhe falës, këshillimi për çështjet që duhen trajtuar me kujdes, të porositurit të njëri-tjetrit veç për mirë, pranimi i një pale ndërmjetësuese përgjatë përplasjeve dhe të tjera, janë disa kritere që merren në shqyrtim për kapërcimin e gjendjeve të tensionuara. Nuk duhet lënë jashtë vëmendjes përcaktimi i caktuar, që islami i bën shpagimit të së keqes. Në këtë pikë, rregulla të forta paralajmërojnë për mos kalimin e kufijve, ndërsa është e ndaluar të supozohet ndreqja e një dëmi nëpërmjet shkaktimit të një dëmi tjetër, qoftë ai i së njëjtës natyrë. Ndëshkimi i së keqes në islam duhet parë gjithnjë nën prizmin e çuarjes në vend të së drejtës së munguar që cenon harmoninë shoqërore.
Një prej rregullimeve shoqërore që Muhamedi (s.a.s.) arriti pas emigrimit në Medine është “Karta e Medinës” e cila do të jetë njëra prej shembujve bazike të shoqërisë mbarë. Kjo kushtetutë e shkruar i dha shoqërisë medinase konceptin e shpërnguljes së pushteteve, që më vonë u bë baza praktike e demokracisë. Ajo siguroi një aftësi të moderuar dhe të balancuar për të gjitha komunitetet që jetonin në atë shoqëri. Për herë të parë në histori, ajo lindi idenë e një vendi gjeografik, i cili do të përfshinte të gjitha besimet dhe kulturat në një popull të vetëm. Koncepti i sundimit të ligjit, gjithashtu, doli nga kjo kushtetutë, për herë të parë. Ai siguroi konceptin e respektimit të ligjeve lokale dhe zakoneve të të gjitha fiseve dhe feve që jetonin së bashku. Ai garantoi mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mbrojtjen e të drejtave të grave, të drejtat sociale, të drejtat kulturore, lirinë fetare dhe të drejtat e pakicave që jetonin në shtet. Ajo e shpalli Medinën si një shtet të paqes dhe sigurisë, i lirë nga çdo lloj dhune dhe terrorizmi. Profeti Muhamed (s.a.s.) më pas themeloi shtetin e parë islam. Ky është një dokument i njohur politiko-kushtetues dhe konstituimi i parë i shkruar i demokracisë në historinë njerëzore, si dhe të gjitha kushtetutat më vonë u themeluan mbi të. Parimet e saj janë të bazuara në Kur’an dhe Synet (traditën profetike). “Karta e Medinës” është një dokument historik, jo vetëm në historinë myslimane, por edhe në historinë kushtetuese të botës. Ky statut i përmblodhi të gjitha aspektet e jetës në Medine, përfshirë edhe jetën politike, fetare dhe shoqërore. Arritja e saj më e madhe ishte sjellja e fiseve luftarakë së bashku për të formuar një qeveri dhe vendosja e paqes afatgjatë në mes tyre. Ai i dha fund anarkisë mbizotëruese dhe mbrojti jetën, lirinë, pronën dhe lirinë fetare të të gjithë njerëzve të përfshirë në marrëveshje. Ajo themeloi një shtet ku të drejtat dhe përgjegjësitë e barabarta u siguruan realisht për të gjithë qytetarët. “Karta e Medinës” zëvendësoi fisnikërinë fisnore me një rend të ri shoqëror dhe krijoi një shtet kombëtar me një strukturë të re shoqërore.
Fraksionalizimi
Fraksion nga ( lat. fractio- thyerje), grup i organizuar njerëzish, anëtarë të një partie politike, të cilët zhvillojnë një veprimtari të mëvetësishme në parlament dhe në organizatat politiko-shoqërore të vendeve borgjeze, ose grup i organizuar i anëtarëve të një partie politike me qëllime, mendime dhe qëndrime që ndryshojnë nga ato të asaj partie në tërësi, dhe që vepron kundër interesave të saj.
Ndërsa fjala sekt rrjedh nga latinishtja që do të thotë, doktrinë, shkollë, parti, dhe ka kuptimin e grupit të vogël besimtarësh me një dogmë të veçantë, që janë shkëputur nga një bashkësi e madhe fetare ose që dallohen brenda saj.” Është organizim që veçohet nga rrjedha e përgjithshme e shoqërisë, por që rrënjët i ka në traditën fetare. Sekti i cili e konsideron veten si i vetmi legjitim përbëhet nga një numër i caktuar anëtarësh të kthyer, të cilët pretendojnë se e përfaqësojnë të vërtetën, një version të pastër të besimit nga i cili janë ndarë. Anëtarët e fraksionit e konsiderojnë veten elitë fetare, shprehen se interpretimet e tjera fetare janë të gabuara dhe shoqërinë më të gjerë e konsiderojnë dekandente dhe mëkatare.
Në periudhën fillestare të krishterimit të hershëm, krahas zhvillimeve politike, fillojnë të shfaqen edhe sektet teologjike. Këto sekte filluan posa u largua nga kjo jetë Jezusi, dhe vazhduan të shtohen në mënyrë të pandërprerë deri në ditët e sotme, duke u shfaqur brendapërbrenda sekteve të mëdha fraksione të shumta, aq sa sot është vështirë të përmblidhen në një vëllim të gjitha sektet me orientimet dhe besimet e tyre.
Kulti
Kult-i (lat. Cultus- adhurim, nderim) shërbesë fetare për nderë të një hyjnie, gjithashtu adhurim a nderim i tepruar ndaj dikujt, të cilit i vishen cilësi e veti të jashtëzakonshme e hyjnore. Kulti definohet si sistem i ritualeve të ndryshme, solemniteteve dhe ceremonive, tipar i përbashkët i të cilit është paraqitja periodike, edhe atë në distanca të caktuara kohore. Fillimisht të themi se kulti është njëri prej katër llojeve të shprehjes së fesë: dogma, kulti, morali dhe bashkësia fetare. Derisa dogma është shpalosje e të vërtetës rreth Zotit, të vërtetës e cila flet për Zotin dhe për veprat e Tij, kulti nënkupton veprimet religjioze (lutjet, bekimet…). Pra, kulti është manifestim i jashtëm i dogmës dhe për këtë, aty ku është deformuar dogma, aty është deformuar edhe kulti. Kulti është një formë e caktuar e aderimit, para së gjithash, të Zotit, por edhe të gjësendeve, qenieve, vendeve e personave për të cilat besohet se posedojnë fuqi mbinatyrore.
Arsyet e formimit të grupeve dhe përhapjes së fraksioneve në shoqëritë bashkëkohore
Çështja që do të analizohet në këtë pjesë të sociologjisë së fesë është ajo se në cilat grupe shoqërore gjallëron feja? Cilave grupe shoqërore ua bën të mundur lindjen, e thënë ndryshe, do shqyrtohet pamja që i jep feja institucioni shoqëror. Përballë kësaj qasjeje shfaqet kritika se llojet e institucioneve brenda të cilave gjallëron feja nuk janë të rëndësishme, se ato më tepër paraqesin disa kallëpe mbuluese sesa e shpjegojnë brendësinë e fesë. Kjo kritikë, në njëfarë kuptimi është e drejtë. Por, kundër kësaj kritike mund të shtrohet teza se feja, para së gjithash, është një faktor që krijon grupime të reja, që jeton brenda institucionesh të caktuara dhe që ndikon në rrjedhën e historisë. Mund të themi se vazhdimësia e institucioneve shoqërore, jeta e tyre mijëravjeçare nuk mund të shpjegohet ndryshe. Siç thotë Toma Akuini ndryshe nga lutja, shpresa dhe dashuria, kulti ka për qëllim, para së gjithash, aktet kulturore dhe vetëm në mënyrë indirekte Zotin.
Kemi parë se shprehja sociologjike e fesë është, para së gjithash, aftësia e saj për të formuar një bashkësi apo bashkësi të caktuar fetare. Në thelb, çdo fe shfaqet dhe përhapet brenda një shoqërie, Për më tepër, ai bashkon ata që i përmbahen atij në një komunitet që përbën të paktën një unitet shpirtëror. Në këtë aspekt, një nga lëndët më themelore të sociologjisë së fesë është shqyrtimi i shfaqjes, zhvillimit, strukturës, ndryshimit dhe llojeve të grupeve, komuniteteve apo kongregacioneve fetare. Në këtë rast, është e nevojshme të trajtohet çështja e grupeve fetare në një titull të veçantë në kuadër të lëndëve të sociologjisë së fesë. Megjithatë, para se të thellohemi në temën e grupeve dhe komuniteteve fetare, do të ishte e përshtatshme të jepeshin informacione të përgjithshme për grupet shoqërore. Sepse çështja e grupeve fetare, e cila është një nga lëndët themelore të sociologjisë së fesë, në shumë aspekte është e lidhur ngushtë me çështjen e grupeve shoqërore në sociologjinë e përgjithshme.
Temën e grupeve fetare duhet ta shtrojmë duke veçuar mirë dy segmente:
Disa grupime fetare që janë formuar për shkaqe jofetare, që kanë ekzistuar edhe para shfaqjes së fesë, duke u vendosur brenda fesë shndërrohen në institucione që bartin fenë. Për shembull, grupet që bazohen në lidhje gjaku apo në fqinjësi mund të shndërrohen në njësi besimi dhe adhurimi. Në këtë mënyrë, lidhja ekzistuese mes individëve në saje të fesë forcohet dhe gjallërohet edhe më tepër. Feja krijon bashkësi apo grupime shoqërore që nuk janë identike me ekzistueset, me të cilat nuk kanë pasur lidhje paraprake. Kishat, drejtimet, denominacinet dhe vëllazëritë e ndryshme fetare janë shembuj të kësaj natyre. Për të ilustruar segmentin e parë përdoret shprehja “grupe natyrore”, kurse për të dytin “grupe fetare”/ “grupe të lindura nga feja”/ grupe puro-fetare.
Grupet që kanë lindur drejtpërdrejt nga feja, hasen për herë të parë në fetë monoteiste. Ky është një fakt fetaro-shoqëror. Por grupet e lindura në shtratin fetar, strukturalisht, ndryshe nga bashkësitë natyrore që kanë jetuar brenda feve arkaike, përbëjnë një shembull të ri grupesh. Edhe parimet mbi të cilat organizohen këto grupe janë të ndryshme; lloji dhe forca e ndjesisë së këtyre grupeve është e ndryshme. Në të gjitha fetë e larta, për të shpjeguar këtë lloj të ri ndjesie është përdorur shprehja “vëllazëri shpirtërore” dhe disa shprehje të tjera, si “të mbash udhën e të vërtetës”, “të rilindësh”, “ringjallje shpirtërore” etj. Në këtë mënyrë, bashkësitë e reja fetare përplasen qartazi me strukturat e vjetra. Për këtë arsye themi se individët nuk mund të shpëtojnë plotësisht nga marrëdhëniet e vjetra shoqërore. Ata vazhdojnë edhe më tutje të jenë anëtarë të familjes, fisit, lagjes, qytetit dhe popullit të vet. Por, në aspektin cilësor, ndryshe nga bashkësi të paraprake, është shtuar një gjë e re që ka hyrë në kuadër të institucioneve të rendit të vjetër shoqëror.
Është fakt se jo të gjitha fetë e larta janë të organizuara si kisha, në kuptimin e kishës katolike apo asaj ortodokse. Megjithatë, të gjitha fetë e larta që janë përhapur nëpër territore të reja dhe që e kanë shtuar numrin e anëtarësisë, me kalimin e kohës kanë qenë të detyruara të organizohen. Ky organizim mund të jetë edhe fleksibël, mjaftohet me institucione të caktuara, duke iu dhënë autonomi bashkësive të veçanta fetare. Lidhur me raste të tilla, disa sociologë të fesë përdorin shprehjen organizatë si kishë ose gjysmë-kishë. Disa të tjerë pohojnë se organizata fetare mund të lëvizë nga shkalla më e lartë deri te më e ulta, dhe se vetëm kufiri më i lartë mund të cilësohet si kishë në plot kuptimin e fjalës. Sidoqoftë, në të gjitha fetë ekziston një formë e caktuar organizimi. Grupi fetar implikon rendin si në aspektin e pamjes së jashtme ashtu edhe në aspektin e statusit që përmban dispozita të caktuara.
Pjesëtarët e fraksioneve të vogla bashkohen për hir të realizimit të qëllimeve të ndryshme që kanë të bëjnë me jetën fetare, si çerdhet, shkollat, argëtimet e posaçme për pjesëtarët e fraksionet, shoqata humanitare që veprojnë në të mirë të tyre etj. Në këtë mënyrë realizohet takimi i pjesëtarëve të njëjtës shtresë shoqërore. Këto zhvillime mund të shpien edhe deri te sipërfaqësimi i fesë. Pra ndodh anëtarësimi në një bashkësi fetare që e zëvendëson statusin social. Por nga ana tjetër, edhe feja i lidh njerëzit me mjedisin shoqëror. Siç shihet, mund të flitet për një marrëdhënie reciproke mes fesë dhe shtresës, ku feja luan rol si një faktor i pavarur.
Kur përmenden grupet fetare, përgjithësisht kuptohen grupimet që dalin nga orientimet fetare. Grupet fetare, si grupet e tjera shoqërore, mund të klasifikohen sipas karakteristikave të ndryshme. Këto veçori mund te jenë, struktura e tyre, funksionet, baza e mendimit ku bazohen, madhësia e tyre etj. Shfaqja e grupeve të ndryshme fetare është shkaktuar nga diferencimi në rritje i strukturës sociale, politike dhe kulturore dhe pasurimi i përvojave fetare të individëve ose grupeve. Shfaqja e grupeve të reja fetare përfaqëson gjithmonë një përvojë të re fetare. Formimi i një grupi fetar mund të ndodhë në formën e krijimit të një feje ose një interpretimi të ri të fesë brenda një grupi natyror ekzistues. Në varësi të intensitetit dhe ashpërsisë së përvojës fetare, grupi fetar mund të ketë një ndikim shumë efektiv në grupin natyror, ose mund të ketë gjithashtu një ndikim të pjesshëm. Është gjithashtu e mundur që të shfaqet një grup me origjinë nga feja që është krejtësisht i ndryshëm nga strukturat e vjetra shoqërore.
Në veçanti, grupimet që dalin nga lidhja fetare midis anëtarëve quhen grupe që dalin nga feja. Vetë feja krijon një sërë aspektesh sociologjike të veta. Parakushti kryesor këtu është heqja ose neutralizimi i institucioneve ekzistuese natyrore ose të krijuara më vonë. Martesa, familja, miqësia, qytetaria, të gjitha këto nuk janë më të mjaftueshme dhe nevojitet një bashkim më i thellë që i kapërcen kufijtë e natyrshmes. Zakonisht, fetë universale formojnë grupe që dalin nga feja. Komunitetet fetare përpiqen të krijojnë modele të caktuara të sjelljes edhe për çështjet jofetare. Modelet unike të besimeve dhe adhurimit të secilës fe kanë një efekt përcaktues në lindjen e grupeve fetare. Grupet fetare pothuajse gjithmonë shprehin një praktikë më intensive të fesë. Dallimet në interpretim luajnë një rol në formimin e grupeve të vogla midis anëtarëve të së njëjtës fe, të cilët duan të praktikojnë fenë e tyre më intensivisht. Ideja për t’u mbrojtur kundër qëndrimeve dhe sjelljeve që nuk përputhen me interpretimet e pranuara, dhe ndonjëherë për të mbrojtur plotësisht fenë, është efektive. Uniteti dhe solidariteti i çdo grupi fetar bazohet në bindje të caktuara. Këto mendime synojnë të shpjegojnë besimin dhe shkrimet e shenjta, të afrohen më shumë me Zotin dhe të forcojnë lidhjet. Ky qëllim gjen shprehje në rritjen e ndjenjës së vëllazërisë mes anëtarëve përmes veprimeve të tilla si adhurimi dhe ritualet. Ekziston një nevojë e përtërirë për riintegrim në raport me rritjen dhe zhvillimin e grupit fetar.
Qëllimi i grupeve fetare nuk është të ndahen nga komuniteti në të cilin janë. Qëllimi është të jetohet dhe të mbahet gjallë feja në përputhje me thelbin e saj. Të jetosh në përputhje me parimet fetare është qëllimi i përbashkët i anëtarëve. Kjo dëshirë përbën bazën e unitetit, solidaritetit dhe bashkëpunimit brenda grupit. Pjesëmarrja në një përvojë të përbashkët me të tjerët i siguron individit ngushëllim, guxim dhe forcë. Prandaj, ekziston një tendencë e fortë brenda individëve që i detyron njerëzit të bashkohen me të tjerët në shprehjen e përvojës fetare.
Një nga faktorët që e mban të bashkuar grupin fetar është dimensioni emocional i fesë. Fuqia emocionale, e cila është produkt i kujtimeve të përbashkëta, ka shumë efekte në jetën shoqërore.
Nuk duhet harruar se grupi fetar është gjithmonë i hapur dhe i ndërthurur me grupin natyror ku ndodhet. Individët që përbëjnë grupe shoqërore dhe shoqëri mund të jenë gjithashtu anëtarë të feve të caktuara dhe anëtarë të grupeve të ndryshme fetare. Kështu, grupet fetare janë në ndërveprim të vazhdueshëm me grupet e tjera shoqërore. Pavarësisht autoritetit qendror, tekstet e para që i bënë të gjithë të pranonin pastërtinë e tyre, organizimin dhe trashëgiminë shoqërore, shfaqja e dallimeve në interpretim në të gjitha fetë universale nuk mund të parandalohej. Megjithatë, në vendet ku ka një proces shtresimi, koncepte fetare, forma të devotshmërisë dhe adhurimit, organizimi mund të tregojë efektet e kushteve shoqërore dhe ndryshimeve shoqërore mbi to. Ato mund të demonstrojnë plotësisht praninë e një stimuli dhe një ndikimi që rezulton nga feja. Është ana objektive e fesë ajo që ndikohet nga dallimet sociale. Me fjalë të tjera, dy njerëz që jetojnë në të njëjtën periudhë, në të njëjtën kulturë, mund të kenë përvoja të ngjashme të së shenjtës brenda të njëjtit komunitet fetar, edhe pse janë të ndryshëm për nga pozita, profesioni apo pasuria.
Janë shumë arsye të cilat ndikojnë në paraqitjen, stabilizimin dhe përhapjen e fraksioneve. Këtu do t’i përmendim vetëm ato kryesore:
Kriza e familjes
Familja është grupi kryesor i mjedisit social që ndikon në personalitetin social-kulturor të fëmijëve. Feja, së bashku me vlerat si dashuria, respekti, bindja, sakrifica, ndarja dhe bashkëpunimi, fitohen njëkohësisht në familje. Duke qenë se është faktori kryesor në formësimin e identitetit, transmetimi ndër breza është faktori kryesor në formësimin e besimeve.
Nga ana tjetër, familja është një njësi themelore shoqërore e bazuar në lidhjet biologjike, psikologjike, ligjore, morale, ekonomike, kulturore dhe fetare. Megjithatë, disa nga këto lidhje që sigurojnë unitetin e familjes janë bërë më të forta me kalimin e kohës ose janë dobësuar në varësi të situatës.
Sipas psikoanalistit Erik Erikson , përshtypjet themelore të besimit ose mosbesimit që fëmija fiton në familje, veçanërisht në masën e vëmendjes së nënës, ndikojnë gjithashtu në ndjenjën e besimit te Zoti. Një fëmijë që nuk e ka këtë përvojë pozitive do të ketë vështirësi të ndiejë dashurinë e Zotit dhe për rrjedhojë të ketë besim fetar. Sipas hulumtimeve, ndershmëria, respekti për traditën dhe përkushtimi ndaj fesë, janë ndër karakteristikat kryesore të sjelljes që fëmijët dhe të rinjtë marrin nga familjet e tyre. Qëndrimet dhe sjelljet fetare të prindërve përbëjnë një model për shoqërizimin e tyre fetar dhe zhvillimin e një orientimi të caktuar fetar. Institucioni i familjes ndikon në besimet, praktikat dhe angazhimet fetare të fëmijëve nëpërmjet socializimit. Nëse prindërit i përkasin të njëjtës fe, ata shpesh mund të transmetojnë fenë e tyre dhe pranimin fetar tek fëmijët e tyre. Familjet konservatore i socializojnë fëmijët e tyre brenda kuadrit të prirjeve dhe besimeve të tyre sektare. Po kështu, ndjenja e të qenit pranë prindërve dobëson edhe mundësinë e braktisjes.
Kuptohet se kjo është njëra prej arsyeve më të mëdha të hyrjes në fraksion. Në këto dy-tri gjenerata ndodhi kalimi prej familjes patriarkale në atë konsumuese, me ndërrimin e roleve, me emancipimin e gruas, me revolucionin seksual, me ndikimin e madh të mediave me të gjitha traumat ideologjike dhe skajshmëri materiale e financiare. Paraqitja e kriminalitetit dhe narkotikëve, mjedisi përplot me luftëra janë finalja e gjithë kësaj. Të rinjtë kërkojnë strehim, mirëkuptim, afirmim, përgjigje dhe pastaj ngritje të kritereve, gjejnë dhe zgjedhin shoqërinë e miqtë.
Në islam familja është elementi themelor i shoqërisë. Ajo është shtylla më e rëndësishme e saj. Sa të respektuar të jenë pjesëtarët e familjes ndaj të drejtave dhe detyrave të njëri-tjetrit, aq e shëndoshë është edhe shoqëria. Në perspektivën islame, familja është një institucion i frymëzuar nga Zoti. Ajo nuk është zhvilluar nëpërmjet proceseve eksperimentale të evolucionit njerëzor e as rastësisht gjatë rrjedhës së kohës. Kjo është një e vërtetë e kumtuar nga mësimet hyjnore të shpallura nga Zoti. Kur’ani e shpreh qartë këtë në ajetin e mëposhtëm: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”
Në kërkim të identitetit
Fraksionet në mënyrë të argumentuar dhe kritike gati në mënyrë të njëjtë e kritikojnë edhe ateizmin komunist, edhe ortodoksinë mëkatare dhe idhujtarë, si dhe kishën romano-katolike. Me këtë rast, me plot dashuri, kujdes, me terminologji moderne, me muzikë moderne krishtere, fraksionet ofrojnë të vërtetën “e plotë dhe të vërtetë”. Edhe pse koha ka dashur që pikërisht ne ta “kuptojmë të vërtetën e plotë, që të bëhemi të devotshëm dhe të çlirohemi nga mashtrimet e së kaluarës”, dhe në të vërtetë, në këtë mënyrë (i pëlqen ose jo dikujt), pa kurrfarë ndjenje të fajit, të heqim dorë nga familja dhe që me tërë qenien tonë t’i drejtohemi sektit i cila si “të zgjedhur dhe të zellshëm” të na dërgojë drejt shpëtimit. Para së gjithash, për shkak se fraksioni ynë “ekziston në të gjitha anët e botës dhe tashmë numëron më shumë se dhjetë milionë besimtarë.” Në parim, këto janë mendimet e pjesëtarëve të fraksionit.
Në shpjegimet tona të mësipërme, ne besojmë se feja ka funksione të rëndësishme shoqërore plotësuese përtej funksioneve të saj thjesht fetare brenda një shoqërie, dhe brenda këtij kuadri, ajo është e ekspozuar ndaj proceseve të ndryshimit të shpejtë në përcaktimin e identitetit personal dhe social. Ne kemi vënë në dukje rëndësinë e funksioneve plotësuese në zgjidhjen e problemeve identitare me të cilat përballen shoqëritë në fjalë. Në këtë aspekt, do të ishte me vend që të diskutohej çështja e identitetit dhe marrëdhëniet e tij me fenë nën një titull të veçantë. Megjithëse çështja e “identitetit” u konsiderua vetëm një lëndë e shkencës së psikologjisë për një kohë të gjatë dhe u përpoq të analizohej shkencërisht nga këndvështrimi i psikologjisë ose, më së shpeshti, psikologjisë sociale, sociologjia tani është një temë që është bërë më e njohur pasi janë kuptuar më mirë aspektet e saj sociale dhe sociologjike dhe për këtë arsye ka filluar të bëhet temë në sociologjinë e hulumtimit fetar. Në çdo rast, duhet të theksojmë se çështja e identitetit është një problem mjaft i ndjeshëm dhe kompleks që ka shumë aspekte të ndryshme dhe për këtë arsye kërkon një analizë “ndërdisiplinore”.
Në të vërtetë, “identiteti”, në kuptimin e tij më të thjeshtë, shpreh perceptimin dhe përcaktimin e një entiteti personal ose shoqëror duke e identifikuar veten me diçka. Nga këndvështrimi i një individi, ai i referohet njohjes së një personi në një mjedis të caktuar shoqëror ose një grupi shoqëror me tiparet dhe thelbin e tyre të ndryshëm dallues. Në këtë aspekt, Han përcakton edhe llojet e identitetit si “identiteti individual”, “identiteti personal”, “identiteti grupor”, “identiteti social”, “identiteti kulturor” ose “identiteti kombëtar”… të paktën në mënyrë analitike, deri në një farë mase është e nevojshme të bëhet dallimi ndërmjet kategorive të ndryshme. Prandaj, ndërsa identiteti individual i referohet identitetit të dhënë nga institucionet për të dalluar personin nga të tjerët, i cili shpesh është zyrtar, identiteti personal pasqyron aspektin psikosocial të marrëdhënieve të personit me të dashurit e tij/saj. Në identitetet në aspektin e grupit, shoqërisë, kombit dhe kulturës, individët që përbëjnë atë grup, shoqëri, komb ose entitet kulturor vetë përputhen në një ekzistencë të përbashkët, bashkohen në ideale dhe simbole të përbashkëta dhe ndajnë problemet dhe shqetësimet kolektive. Në çdo rast, pavarësisht se në çfarë niveli teorik konsiderohet, në përcaktimin e identitetit përdoret gjuha, ndjenja e bashkësisë, lidhjet e gjakut (etnia), kultura e përbashkët, varësisht nga situata.
Gjatë prishjes së mënyrës tradicionale të jetës dhe normave patriarkale të sjelljes, njerëzit kanë ndjenjën e patjetërsueshme të vetmisë dhe të huajësimit, duke filluar nga familja, shkolla e deri te shoqëria në tërësi. Gara pas mirëqenies materiale dhe suksesit sot kryesisht është masë e afirmimit shoqëror, me këtë rast duke mos hyrë në mënyrën e arritjes së pasurisë. Kështu, disa individë kanë arritur deri te pasuria, por shumë shpirtra shumë të shkretë dhe të frustruar kanë mbetur te mesatarja. Këtij “njeriu të vogël” fraksionit ia ofrojnë pikërisht ngrohtësinë njerëzore, kujdesin, përkrahjen, mbrojtjen dhe ndjenjën e veçantë. Derisa të gjithë në shkollë talleshin me mua për këpucët e vjetra, këtu çdo të hënë dhe të enjte po shoqërohem, duke ndjerë përqafimin e vëllezërve dhe motrave, po këndoj dhe po i lutem Zotit”, janë fjalët e një anëtari të fraksioni.
Në kërkim të përgjigjeve
Sot shumë të rinj e të moshuar nuk mund të gjenden në këtë përmbytje mediatike e cila jep një numër të madh të shpjegimeve të kësaj situate objektive të ndërlikuar shoqërore në të cilën gjendemi, duke përfshirë edhe pyetjet në nivelin botëror. Në parim, fraksionet japin përgjigje të shkurta e të qarta në pyetjet e ithtarëve të tyre dhe jua ofrojnë pikëpamjet e tyre për njeriun, njerëzimin, historinë, kozmosin. Ata premtojnë fillimin e një ere të re, pra “epokës së re”, ndërsa përmbajtja dallon varësisht nga mësimet e fraksionit konkret. Në kohën e sotme të pragmatizmit dhe thjeshtëzimeve të shumta të tërësive të diturive filozofike, letrare dhe historike, të gjitha në garë për të sunduar me diçka të re, përgjigjet e fraksioneve janë tërësisht në frymën e kohës.
Nevoja që të bëhesh “diçka i veçantë”
Kjo nevojë buron nga ajo që u shkrua më lartë. Njerëzit në këtë mënyrë ndjejnë nevojën që të ikin nga anonimiteti, që ta ndërtojnë identitetin dhe imazhin e tyre, të përfitojnë ndjenjën se janë “diçka të veçantë,” e jo vetëm numër në turmë të njerëzve. Pra, si duket pikërisht fraksionet ofrojnë një kujdes të caktuar për individin. Përveç kësaj, fraksionet shumë shpesh nëpër mësimet e tyre për apokalipsin dhe për ardhjen e tij, anëtarëve të tyre ju ofrojnë bindjen se pikërisht ata, por vetëm nëse janë të zellshëm dhe të denjë, do të jenë të vetmit që do të shpëtojnë, sepse i takojnë një bashkësie elitë të “mësimeve të vërteta dhe autentike-hyjnore”.
Janë pikërisht këto ndjenja të cilat e shtyjnë njeriun që të vrapojnë drejt arritjes së atyre pozitave të cilat e bindin për të qenë dikushi në jetën e tij, në mënyrë që të marr pozicionet me të cilat e kënaq egon e tij, që gjithmonë kërkon kënaqësitë e pafund të kësaj bote. Nuk mund të mohojmë që njeriu ka vlerën e vet ne këtë botë, por kjo vjen nëpërmjet mënyrave të cilat janë përcaktuara të bazuara mbi vlerat universale botërore.
Varfëria
Një prej faktorëve kryesorë që ndikon në përhapjen e fraksioneve në një shoqëri është edhe varfëria. Varfëria është një gjendje e caktuar kur një individ, familje, ose komunitet nuk ka burimet ekonomike për të plotësuar nevojat e tyre bazike, si ushqim, strehim, arsim, dhe kujdes shëndetësor. Kjo gjendje mund të shkaktohet nga mungesa e punës, paga e ulët, diskriminimi, situata e pasigurisë, konfliktet, ose faktorë të tjerë ekonomikë dhe shoqërorë. Varfëria ka ndikim të thellë në jetën e individëve dhe shoqërisë në tërësi. Varfëria, si faktor sociologjik, ka ndikim thelbësor në shpërndarjen e burimeve dhe mundësitë shoqërore, duke formuar dinamikat e ndryshme sociale dhe ekonomike në një shoqëri. Varfëria shpesh konsiderohet si burim i tensioneve dhe mosplotësimit të nevojave themelore për një pjesë të popullsisë. Kjo mund të çojë në disparitete sociale dhe sfida të tjera të cilat mund të shqetësojnë ekuilibrin shoqëror.
Jeta rurale-urbane-fetare
Jo vetëm rajoni gjeografik, por edhe nëse njerëzit jetojnë në zona rurale ose qytete, ose shkalla e përfshirjes së tyre në të dyja fenomenet, mund të ndikojë në jetën e tyre fetare si dhe në jetën e tyre shoqërore. Jeta fetare e njerëzve që jetojnë në zona rurale dhe atyre që jetojnë në qytete mund të ndryshojnë për nga sasia dhe cilësia. Edhe pse jeta në fshat ka avantazhet e veta të rëndësishme, është e qartë se nuk është një mënyrë jetese e përshtatshme për aktivitete intelektuale. Sot, hulumtimet e kryera në SHBA tregojnë se fermerët janë më tradicionalë dhe fundamentalistë, edhe pse anëtarësimi i tyre në kishë është më i ulët në krahasim me grupet e tjera profesionale; Është zbuluar se njerëzit tipikë të qyteteve të mëdha shfaqin sjellje më pak tradicionale fetare. Të anketuarit në sondazhet mbarëkombëtare nga qytetet më të mëdha raportuan më pak aktivitet fetar ortodoks sesa ata nga qytetet dhe fshatrat më të vegjël. Në shumë nga këto gjetje ka të ngjarë të merren parasysh dallimet arsimore dhe klasore-sociale. Dallimet e çifteve shpjegohen nga qëndrimet e tyre të përgjithshme shoqërore dhe pozicioni i tyre më etnocentrik dhe i izoluar.
Statusi socio-ekonomik-religjioziteti
Dallimet sociale që lindin për shkak të anëtarësimit të njerëzve në klasa të ndryshme, arsim, profesione dhe grupe të të ardhurave ndikojnë ndjeshëm në jetën, qëndrimet dhe sjelljet e tyre fetare. Ekziston një literaturë e konsiderueshme për këtë temë në sociologjinë e religjionit, e cila u nis nga Weberi. Përshkrimi i tij kategorik i jetës fetare të fermerëve, ushtarëve, tregtarëve, tregtarëve, skllevërve, punëtorëve dhe grupeve intelektuale është pasqyruar në shumë studime fetare pas tij, veçanërisht. J. Wach dhe Mensching ka qenë një burim frymëzimi për sociologun. Burimet sociologjike si dhe ato fetare shpesh shohin një papajtueshmëri midis fesë dhe pasurisë. Edhe pse fetë e mëdha nuk janë armiqësore ndaj pasurisë, ato i kanë paralajmëruar ndjekësit e tyre se pasuria mund të jetë gjithmonë e rrezikshme në aspektin e jetës fetare. Sipas Weberit, mosbesimi ndaj pasurisë dhe pushtetit mbizotëron në të gjitha fetë çlirimtare, sepse klasat e privilegjuara e konsiderojnë veten të ngopur dhe të pavarur.
Gjithashtu në studimet e bëra për marrëdhënien familje-fe, është vënë re se fëmijët janë përgjithësisht të pajtueshëm me prirjet fetare dhe fraksionale të prindërve të tyre, pasi socializimin fetar e fitojnë kryesisht në familje. Është vënë re se religjioziteti i familjes ndikon jo vetëm në socializimin fetar të fëmijëve, por edhe në shoqërinë e tyre të përgjithshme. Po kështu, shumë studime kanë demonstruar lidhjen midis sjelljes fetare dhe shumë aspekteve të jetës familjare, duke përfshirë martesën, divorcin, madhësinë e familjes etj.
Së fundi njeriu, nga natyra, nuk mund të vendoset në këtë univers gjigant si një atom i humbur, i pezulluar, pasi ai duhet të ketë një lidhje të caktuar në këtë univers që i garanton atij stabilitet dhe njohuri për vendin e tij në këtë univers ku jeton dhe për këtë arsye ai duhet të ketë një besim që i shpjegon atij atë që e rrethon dhe e interpreton atë për të. Vendi i tij është rreth tij. Feja është një domosdoshmëri e lindur, emocionale që nuk ka lidhje me rrethanat e epokës dhe mjedisit. Sa i mjerë, i hutuar dhe i devijuar ka qenë njeriu kur ka keqkuptuar të vërtetën e kësaj lidhjeje dhe të këtij interpretimi. D.m.th., nevoja e një personi për fenë është një nevojë e lindur që është e përqendruar në natyrën e tij psikologjike, e ngulitur në ndjenjat e tij dhe e përzier në gjakun, nervat dhe shqisat e tij, por ai mund të largohet nga realizimi i kësaj të vërtete dhe të bëhet i mjerë, i hutuar. dhe duke humbur kështu stabilitetin. Kjo nevojë e lindur e njeriut për fenë është ajo që arrihet duke e përmbushur atë duke realizuar pozicionin e tij të vërtetë në këtë jetë, mesazhin, veprën dhe rolin e tij që duhet të kryejë me çdo qenie tjetër njerëzore që përmbush rolin e tij në jetë.
Feja, si ligj dhe besim, pra si një sistem shoqëror që rregullon neutralitetin e çdo individi dhe përcakton për të rregullat e sjelljes së tij, si jeton ai në familjen e tij, si i rrit fëmijët e tij dhe si sillet me njerëz me drejtësi dhe virtyt, derisa shoqëria të krijohet mbi bazën e një mirëkuptimi dhe bashkëpunimi në kryerjen e detyrave dhe të drejtave, atëherë ky sistem shoqëror integrohet duke vendosur bazat, rregullat, dhe zgjidhjet që trajtojnë çështjet e përgjithshme shoqërore, qofshin ato ekonomike, politike apo morale. Me pak fjalë, metoda e jetës ose sistemi i jetës është feja e kësaj jete, dhe ata që jetojnë nën këtë metodë ose këtë sistem, feja e tyre është kjo metodë ose ky sistem. Nëse ata janë në metodën dhe sistemin e Zotit, atëherë ata janë në fenë e Zotit, dhe nëse janë në një metodë apo sistem tjetër, atëherë ata janë në një fe tjetër nga ajo e Zotit.
Përveç faktorëve të sipërpërmendur, gjithashtu ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në përhapjen e fraksioneve fetare, duke përfshirë:
1. Kultura dhe Historia: Ndërveprimet dhe ngjarjet historike kanë ndikim në formimin e fraksioneve fetare. Ndërthurja e faktorëve historikë dhe kulturorë mund të krijojë dallime dhe ndarje.
2. Politika: Politika mund të shpërfaqet si një faktor që ndikon përhapjen e fraksioneve fetare. Politizimi i besimeve fetare mund të shkaktojë polarizim dhe ndarje në nivel fetar.
3. Ekonomia: Disparitetet ekonomike mund të krijojnë tensione dhe fraksione mes komuniteteve fetare. Ndikimi i ekonomisë në nivel lokal mund të formojë përkufizime dhe dallime.
4. Arsimi: Niveli i arsimit mund të ndikojë në tolerancën dhe kuptimin e individëve ndaj ndryshimeve fetare. Arsyeja dhe informacioni i arsyetuar mund të zvogëlojnë ndarjen fetare.
5. Mediat dhe Teknologjia: Informacioni dhe komunikimi i shpejtë përmes mediave dhe teknologjisë mund të ndikojë në mendimet dhe bindjet fetare të një komuniteti, duke përfshirë edhe përhapjen e fraksioneve fetare.
6. Konfliktet Politike dhe Territoriale: Konfliktet politike dhe territoriale shpesh lidhen me dallimet fetare, duke shkaktuar tensione dhe përhapje të fraksioneve fetare në zona të caktuara.
Është e rëndësishme të kuptohet se këto faktorë janë të lidhur dhe ndikojnë në mënyrë komplekse në përhapjen e fraksioneve fetare në një shoqëri.
Dr. Feim Hoxha
Sep 11, 2025 0
Sep 10, 2025 0
Sep 04, 2025 0
Sep 04, 2025 0
Sep 04, 2025 0
May 21, 2025 0
Jul 02, 2024 0
Jul 02, 2024 0
May 21, 2025 0
Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...May 21, 2025 0
Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...May 21, 2025 0
Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...Sep 04, 2025 0
ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën ai bën pjesë....