Perditësimi i fundit September 17th, 2026 8:24 AM
Sep 17, 2026 Zani i Nalte Studime 0
Dr. Elton Karaj
KU Bedër
Përmbledhje
E drejta islame synon të rregullojë jetën e myslimanëve si në aspektin individual, ashtu edhe në atë shoqëror. Brenda këtij sistemi juridik, një ndër elementet me rëndësi të veçantë janë edhe maksimat juridike (kaidet e fikhut), të cilat përmbledhin çështjet dytësore nën parime të përgjithshme. Këto kaide shërbejnë për të kuptuar dhe trajtuar raste të ngjashme brenda një logjike të përbashkët. Në këtë mënyrë, ato japin një kontribut të çmuar si në planin teorik, ashtu edhe në atë praktik për kuptimin e drejtë të jurisprudencës islame. Në këtë prezantim fillimisht do të qartësojmë përkufizimet e termave bazë të maksimave juridike, karakteristikat dhe burimet e tyre. Më pas do të japim disa shembuj nga vepra “El-Ihtijar li Ta’lil el-Muhtar” të Mevsiliut.
Maksimat juridike
Fjala “kaide” në fjalor nënkupton “thelbin, bazën dhe themelin e çdo gjëje”. Shumësi i saj është “kaua’id” dhe përdoret veçanërisht me kuptimin “themeli i një ndërtese”. Në këtë kuptim përdoret edhe në ajetin ku thuhet:
وَإِذْ يَرْفَعُ إِبْرَٰهِـمُ ٱلْقَوَاعِدَ مِنَ ٱلْبَيْتِ وَإِسْمَـٰعِيلُ …
“Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes” (Bekara, 2:127).
Sejjid Sherif el-Xhurxhani (v. 816/1413) jep këtë përkufizim për termin ka’ide, që ne mund ta quajmë parim:
القاعدة: هي قضية كلية منطبقة على جميع جزئياتها.
“Kaidja është një dispozitë e përgjithshme që përfshin tërësinë e çështjeve të saj të veçanta” (Xhurxhani, fq. 171).
Në këtë aspekt termin “kaide kul’lijje”, përkthyer si “rregull i përgjithshëm”, mund ta përkufizojmë kështu me qasjen e Taftazanit: “Kaidja është një çështje përgjithshme -قضية كلية[1] nënkuptuar si gjykim apo dispozitë e përgjithshme, që aplikohet në çështjet specifike juridike (Teftazani, 1957, Vëll. 1, fq. 35).
Në përgjithësi juristët japin përkufizime të ngjashme, por mbase akademikisht më korrekti është Mustafa ez-Zerka, i cili, duke pasur parasysh rastet përjashtimore, ku parimet e përgjithshme janë të paaplikueshme, e ka shprehur kështu përkufizimin e termit në fjalë: “Kaidja është një rregull (dispozitë) mbizotëruese – أغلبية, e cila zbatohet mbi shumicën e rasteve të saj të veçanta” (Zerka, 1989, fq. 33).
Për të shprehur rregullat e përgjithshme juridike në literaturën perëndimore, kryesisht atë të shkruar në gjuhën angleze, janë përdorur terma si principe të përgjithshme juridike, parime juridike apo maksima juridike. Ne kemi përzgjedhur këtë të fundit, një term i rëndësishëm edhe në literaturën e te drejtës perëndimore.
Të japim dy shembuj rreth maksimave juridike:
1 – الأصل براءة الذمة “Pafajësia është thelbësore.” Ky është një rregull botërisht i njohur sipas së cilit çdokush është i pafajshëm derisa të vërtetohet e kundërta, pra prezumimi i pafajësisë.
2 – البينة على المدعي “Prova i takon paditësit.” Pra, nëse dikush pretendon fajësinë e dikujt tjetër, atëherë akuzuesi ka përgjegjësinë për të provuar pretendimin. Nëse kjo është çështje në gjykatë, atëherë themi “prova i takon paditësit”.
Maksimat, aq sa janë juridike, janë edhe koncepte të përgjithshme fetare. Edhe nëse nuk e padit dikë në gjykatë, por ngre një akuzë ndaj tij në publik, atëherë moralisht dhe fetarisht ke detyrimin që të shprehësh provat.
Maksimat juridike në përgjithësi janë dy kategori. Maksimat juridike gjithëpërfshirëse të shprehuara zakonisht me termin kaide kul’lijje apo asl ose maksima juridike të limituara të shprehura me termin dabit. Diferenca mes tyre është që e para përfshin thuajse çdo nënçështje, kurse aplikueshmëria e të dytës është e limituar me çështje të caktuara. Terma të tjerë që kanë përdorim të ngjashëm janë el-furuk, el-eshbah ue en-nedhair, el-kanun, etj.
Burimi i maksimave juridike islame
Burimet e maksimave juridike janë tekstet fetare, pra Libri i Shënjtë (Kurani) dhe Tradita Profetike (Suneti) si dhe ixhtihadi, pra formulimi i juristëve bazuar në frymën e teksteve fetare. Maksimat shprehimisht nuk kanë qenë të konsoliduara në një trajtë të vetme. Prandaj juristët i kanë formuluar ato në forma të ndryshme. Kjo ka bërë që me kalimin e kohës të ketë ndryshim në numrin e tyre dhe përkufizimet përkatëse. Punimi final dhe shumë cilësor në këtë fushë është Mexheleja e Ahmed Xhevdet Pashasë në Perandorinë Osmane. Mexheleja në vetvete është një përpjekje e adaptimit të dispozitave juridiko-fetare në trajtën e kodifikimit ligjor perëndimor. 99 parimet e para të Mexhelesë janë pikërisht 99 maksimat juridike më thelbësore të të drejtës islame.
Literatura nga e cila është ushqyer fusha e maksimave juridike përbëhet fillimisht nga librat e gjerë të fikhut, që janë sherhet (sqarimet) dhe më pas është nisur të shkruhet në veçanti për to. Mund të thuhet që punimet kanë nisur me el-Kerhi (v. 340) dhe ed-Debbusi (v. 430) nga hanefitë ku është arritur maja me Ibn en-Nuxhejm (v. 970), më pas malikitë me el-Karafi (v. 684), shafiitë me el-Xhuvejni (v. 438), Ebu el-Abbas el-Xhurxhani (v. 482), Taxhuddin es-Subki (v. 771) dhe es-Sujuti (v. 911). Më pas janë bashkuar edhe juristët hanbeli me Ibn Tejmije (v. 728) dhe Ibn Rexheb (v. 795). Dhe në fund përmendim Mexhelenë (1868-1876) e Ahmed Xhevdet Pashasë.
“Ihtijari” dhe maksimat juridike
Kur merr parasysh themelimin dhe sidomos konsolidimin e shkollave juridike islame, e shkruar relativisht herët, në një kohë ku përdorimi i maksimave juridike ishte praktikë e njohur, por si fushë studimi e veçantë, ishte ende në zhvillim e sipër, vepra e Meusiliut (v. 683/1284), el-Ihtijâr li-Ta’lîl el-Muhtâr, është një burim i rëndësishëm në çështjen e maksimave.
Ne shohim që Meusiliu ka përdorur maksima të formuluara më herët, por gjithashtu edhe formulime të tija. Dy shembujt në vijim do të hedhin pak dritë mbi çështjen, se si autori i ka dhënë hapësirë maksimave juridike.
Shembulli 1: “Thelbësor është nënkuptimi”
Meusili shpreh këtë parim juridik العبر ة للمعاني “Thelbësor është nënkuptimi”. Meusili këtë parim e ka shprehur në çështjen e gjatësisë së ligjëratës së të premtes, duke thënë që përmendja e Allahut me falënderim dhe lartësim është e mjaftueshme që xhumaja të jetë e vlefshme, sepse s’ka rëndësi sa fjalë përdor dhe sa e zgjat hytben, por çfarë nënkupton me fjalët që përdor, qofshin të pakta. Në këtë aspekt shprehja e falënderimit ndaj Zotit dhe lartësimi i Tij kanë kuptime dhe mesazhe të larta, prandaj ato e bëjnë hytben të vlefshme (Meusili, 1938, Vëll 1, fq. 83). Të njëjtin parim e ka shprehur kështu në një formë më të gjatë: العبرة للمعاني لا للصورة “Thelbësor është nënkuptimi jo fjala” (Meusili, 1938, Vëll 2, fq. 39)
Më pas ky parim është zgjeruar duke u shprehur më në detaje në formën العبرة في العقود للمقاصد والمعاني لا للألفاظ والمباني “Thelbësore në kontrata janë qëllimet dhe kuptimet, jo fjalët dhe formën e tyre”. Sipas kuptimit që shpreh ky parim, në nënshkrimin e një kontrate, nuk vëmë re fjalët që përdoren nga palët, por qëllimet e vërteta që këto fjalë shprehin. Sepse thelbësor është qëllimi, jo fjalët apo trajtat e të shprehurit (Özgen, 2025, fq. 41).
Shembulli 2: “Korrespondenca nga dikush që mungon është si e folura e drejtpërdrejtë nga e të pranishmit”
Një tjetër parim që ka përdorur është الكتابة من الغائب كالخطاب من الحاضر “Korrespondenca nga dikush që mungon është si e folura e drejtpërdrejtë nga e të pranishmit.” Sipas kësaj shitja dhe blerja e memecit është e vlefshme kur e bën me shenja të kuptueshme (Meusili, 1938, Vëll 2, fq. 10).
Më pas kjo maksimë tek “Fet’h el-Kadir” të Ibn Humamit është shkurtuar me fjalëtالكتاب كالخطاب “Korrespondenca është si e folura” (Ibn Humam, 1970, Vëll. 6, fq. 254). Duke pasur parasysh se marrëveshjet në të drejtën islame në thelb janë verbale, në bazë të parimit të mësipërm, çdo marrëveshje e shprehur vetëm me shkrim, është e vlefshme njësoj si marrëveshjet e bëra verbalisht.
Porsi këto kemi edhe shembuj të tjerë si;
Konkluzion
Nga shqyrtimi i maksimave juridike dhe përdorimit të tyre në veprën el-Ihtijâr li-Ta‘lîl el-Muhtâr të Meusiliut del qartë se këto parime përbëjnë një element thelbësor metodologjik në strukturën dhe funksionimin e jurisprudencës islame, veçanërisht brenda shkollës hanefite. Maksimat juridike nuk janë thjesht formulime teorike abstrakte, por instrumente interpretative dhe praktike që mundësojnë sistematizimin e çështjeve të shumta juridike nën parime të përgjithshme, duke lehtësuar si kuptimin, ashtu edhe zbatimin e dispozitave të fikhut.
Analiza tregon se Meusiliu, edhe pse vepron në një periudhë kur maksimat juridike ende nuk ishin konsoliduar si disiplinë e pavarur, i përdor ato me vetëdije të lartë juridike. Shembujt e përzgjedhur nga el-Ihtijâr dëshmojnë se maksimat juridike tek Meusiliu përdoren si kritere interpretimi për të kuptuar qëllimin, nënkuptimin dhe efektin juridik të veprimeve, kontratave dhe shprehjeve, duke i dhënë përparësi kuptimeve dhe qëllimeve mbi formën dhe fjalët.
Në përfundim, mund të thuhet se vepra e Meusiliut përfaqëson një shembull të qartë të integrimit të maksimave juridike në praktikën e përditshme të fikhut, duke konfirmuar rolin e tyre si ura lidhëse mes tekstit, qëllimit dhe realitetit juridik. Studimi i këtyre maksimave jo vetëm që ndihmon në kuptimin më të thellë të mendimit juridik hanefit, por gjithashtu ofron një bazë të fortë për reflektim bashkëkohor mbi zbatimin e së drejtës islame në kontekste të reja dhe dinamike.
Bibliografia
Baktır, M. (2001). Kâide. Diyanet Vakfı İslam Ansiklopedisi (Vëll 24, f. 205-210). Botimet e Türkiye Diyanet Vakfı.
el-Meusili, A. (1938). el-Ihtijar lita’lil el-Muhtar (Vëll. 1). Dar el-Kutub el-Ilmijje.
el-Meusili, A. (1938). el-Ihtijar lita’lil el-Muhtar (Vëll. 2). Dar el-Kutub el-Ilmijje.
el-Xhurxhani, S.Sh. (1983). et-Ta’rifât. Dar el-Kutub el-Ilmijje.
et-Taftazani, S. (1957). et-Teluih ala et-Taudih (Vëll. 1). Dar el-Kutub el-Ilmijje.
Ibn Humam, K. (1970). Sherh Fet’h el-Kadir (Vëll. 6). Dar el-Fikr.
Özgen, S. (2025). Mevsılî’nin el-İhtiyar Adlı Eserinde Borçlar Hukuku Bağlamında Kullanılan Fıkhî Kaidelerin Tespit ve Değerlendirilmesi. (Tezë masteri e pabotuar), Denizli.
Zerka, M. A. (1989). Sherh el-Kaua’id el-Kul’lijje. Dar el-Kalem.
[1] Shprehje e Sadrusheria II (Shih: Kaide, DİA, Vëll. 24, fq. 205-210).
Aug 31, 2026 0
Aug 24, 2026 0
Aug 24, 2026 0
Aug 20, 2026 0
Aug 31, 2026 0
May 21, 2025 0
Sep 13, 2024 0
Jul 02, 2024 0
Jan 15, 2026 0
Kjo konferencë u organizua në ambientet e “Tirana International Hotel”, me rastin e botimit të kolanës “El-Ihtijaru li Ta’lili-l-Muhtari”, botim ky i cili vjen si bashkëpunim...Sep 17, 2026 0
Dr. Elton Karaj KU Bedër Përmbledhje E drejta islame synon të rregullojë jetën e myslimanëve si në aspektin individual, ashtu edhe në atë shoqëror. Brenda këtij sistemi juridik,...May 21, 2025 0
Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...Sep 04, 2025 0
Dr. Feim Hoxha ABSTRAKTI Sociologjia, si një nga shkencat më të rëndësishme humane, ka në fokus të studimeve të saj njeriun si një qenie sociale, si dhe shoqërinë në të cilën...