Perditësimi i fundit May 26th, 2025 4:35 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Çfarë thonë tekstet islame për diturinë

Jan 08, 2020 Zani i Nalte Shkenca Islame 0


ilmnga Adnan Merja, MARS Hartford Seminary, Connecticut, SHBA 

Abstrakt

Të shquarit me dije është një krenari që u përket njerëzve të ditur e të mençur, ngase ata udhëzohen me argumente të qarta. Nisur nga kjo ide, ashtu siç shprehet edhe Libri i Shenjtë, Kur’ani, njerëzve të diturisë, njëkohësisht edhe besimtarë myslimanë, u janë dhënë grada të larta në krahasim me besimtarët që nuk specifikohen me këtë veçori.

Është e rëndësishme të shprehet se përmbajtja e teksteve fetare islame ka një brendi të pasur argumentuese dhe se u komunikon njerëzve një mesazh të caktuar pa u përzier në kompleksin e të qenët utopik. Për shembull, teksti i lartpërmendur pohon se për sa kohë që dijetarët ndodhen në mesin e njerëzve, duke u dhënë zgjidhje problematikave të tyre jodomosdoshmërisht vetëm me profil fetar, implikon faktin se shoqëria përparon në sajë të dijes. Sakaq, dija përftohet duke lexuar jo vetëm teorikisht, por edhe duke realizuar bashkëveprim midis njerëzve, duke diskutuar dhe shkëmbyer qasje në dobi të individit të integruar në shoqëri me identitetin e tij dhe jo i copëzuar (in divide). Mbase kjo është edhe një nga arsyet që njeriu është konsideruar potencialisht si “qenie e civilizuar për nga natyra”. 

Vlera e çdo njeriu matet duke parë sa e zhvillon ai veten. Qasja se suksesi duhet kërkuar vetëm me dije, të jep mundësinë për të qenë vazhdimisht i gjallë. Nisur nga kjo ide, ashtu siç shprehet edhe Libri i Shenjtë, Kur’ani, njerëzve të diturisë, njëkohësisht edhe besimtarë myslimanë, u janë dhënë grada të larta[1] në krahasim me besimtarët që nuk specifikohen me këtë veçori. Andaj, ashtu siç konsistohet një shpërblim ekstra për këtë kategori njerëzish, po në atë masë, njerëzit e diturisë, për shkak të përgjegjësisë së përftuar nga dituria, por edhe për shkak të peshës së përfaqësimit konkret të asaj diturie, janë apriori të predispozuar në bartjen e përgjegjësisë morale në rast transgresioni moral.[2]

Ndërkohë, vlen për t’u kujtuar fakti se Kur’ani e parashtron pa mëdyshje se dija e bëri Ademin, njeriun e parë, të dallohej nga engjëjt[3], ku Zoti ia mësoi emrat e çdo gjëje: natyrën dhe funksionet e tyre.[4] Këtu nuk është e udhës të thuhet se engjëjt identifikohen me injorancë, përkundrazi, ata kishin dije, por të kufizuar, dhe nuk kishin dije për emrat e sendeve që u mësoi njeriu i parë, Ademi, ndonëse më herët ishin shprehur duke thënë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!”[5], fjali kjo që tregon impresionimin e thellë të engjëjve karshi urtisë dhe diturisë së pafillimtë e të pafund të Allahut, të cilat nuk mund të rroken dot.[6]

Sipas një interpretimi, thuhet se me shprehjen “atyre që u është dhuruar dija”, krahas njeriut besimtar të përkushtuar në dije, synohet edhe personi kërkues i së drejtës.[7] Kësisoj, vlera e një dijetari besimtar del në pah jo vetëm në sajë të akumilimit dituror dhe informativ, por, për më tepër, shprehet qartazi me pozicionin e tij kah e drejta në fjalë dhe qëndrim. “Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit.”[8] Sipas dijetarit të doktrinës Mu’tezilite, Ez-Zemakhsherī, dëshmia ka lidhje me Islamin, i cili përkufizohet si fe e monoteizmit dhe e drejtësisë.[9] Në këtë ajet, vërehet rëndësia e madhe e dijes në çështjet e gjykimit dhe dëshmisë, e cila kuptohet nga bashkëngjitja e dëshmisë së dijetarit të drejtë me atë të engjëjve dhe të Allahut.[10]

Ashtu siç është theksuar dhe inkurajuar domosdoshmëria e diturisë, duke u përmendur plot 156 herë në Kur’an, po ashtu, edhe thëniet profetike i japin asaj një rëndësi dhe vëmendje të veçantë. Profeti Muhamed a.s. thotë:

مَنْ يُرِدِ اللَّهُ بِهِ خَيْرًا يُفَقِّهْهُ فِي الدِّينِ

“Kur Allahu ia do të mirën dikujt, i dhuron atij një mendjehollësi ekzakte dhe kuptim të thelluar me këndvështrim tërësor në fe.”[11]

مَنْ سَلَكَ طَرِيقًا يَلْتَمِسُ فِيهِ عِلْمًا سَهَّلَ اللَّهُ لَهُ طَرِيقًا إِلَى الجَنَّةِ

“Allahu ka për t’ia lehtësuar rrugën për në Parajsë atij që ndërmerr udhën e diturisë.”[12]

إِنَّ اللَّهَ لاَ يَقْبِضُ العِلْمَ انْتِزَاعًا يَنْتَزِعُهُ مِنَ العِبَادِ، وَلَكِنْ يَقْبِضُ العِلْمَ بِقَبْضِ العُلَمَاءِ، حَتَّى إِذَا لَمْ يُبْقِ عَالِمًا اتَّخَذَ النَّاسُ رُءُوسًا جُهَّالًا، فَسُئِلُوا فَأَفْتَوْا بِغَيْرِ عِلْمٍ، فَضَلُّوا وَأَضَلُّوا

“Allahu nuk e zhduk diturinë duke e fshirë nga zemrat e robve të tij, por, e zhduk me vdekjen e dijetarëve, derisa të mos mbesë asnjë dijetar. E më pas, njerëzit zgjedhin për drejtues persona të paditur, të cilëve u bëhen pyetje dhe përgjigjen duke mos pasur dije. Rrjedhimisht, devijojnë veten e tyre dhe i devijojnë edhe të tjerët.”[13]

Këtu, do të ishte me vend të bëhej një sqarim rreth shkakut të thënies së këtij hadithi, duke vlerësuar kontekstin dhe rrethanat e tij. Ky hadith është shprehur gjatë kohës në Hutben e Lamtumirës teksa Profeti ka thënë: “Merreni dijen përpara se ajo të zhduket apo të humbasë”. Në ato momente u ngrit një burrë dhe tha: “E si do humbasë dija?” Profeti iu përgjigj: “Dija humbet me vdekjen e bartësve të saj.”[14] Sigurisht që Hutbeja e Lamtumirës përcjell mesazhe shumë domethënëse, duke filluar që nga të drejtat themelore njerëzore e deri te trajtimi me mirësjellje dhe fisnikëri i gruas – duke pasur parasysh se, para ardhjes së Islamit, figura e femrës kishte degraduar në një nivel me atë të kafshës – e nga këtu tek inkurajimi për dije dhe drejtues të mirëformuar.

Është e rëndësishme të shprehet se përmbajtja e teksteve fetare islame ka një brendi të pasur argumentuese dhe se u komunikon njerëzve një mesazh të caktuar pa u përzier në kompleksin e të qenët utopik. Për shembull, teksti i lartpërmendur pohon se për sa kohë që dijetarët ndodhen në mesin e njerëzve, duke u dhënë zgjidhje problematikave të tyre, jo domosdoshmërisht vetëm me profil fetar, implikon faktin se shoqëria përparon në sajë të dijes. Sakaq, dija përftohet duke lexuar jo vetëm teorikisht, por edhe duke realizuar bashkëveprim midis njerëzve, duke diskutuar[15] dhe shkëmbyer qasje në dobi të individit të integruar në shoqëri me identitetin e tij dhe jo i copëzuar (in divide). Mbase kjo është edhe një nga arsyet që njeriu është konsideruar si “qenie e civilizuar për nga natyra”.[16] Interesant është fakti se thënia profetike e ka përshkruar pozicionin e drejtuesit ideal me cilësinë e të qenët i lexueshëm dhe me formim dituror. Pra, Profeti përcakton një sistem udhëheqjeje me bazë diturinë, e cila, sa më shumë të brumoset dhe praktikohet, aq edhe më profesionist dhe të aftë e bën drejtuesin. Menjëherë mund të vijë në mendje verseti kur’anor:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَأُولِي الْأَمْرِ مِنْكُمْ

“O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.”[17] Megjithëse fraza “Ulu’l-Emr”, në plan të parë, potencialisht ka tendencën të interpretohet si “Eprorët / Drejtuesit / Administruesit politikë”, nuk shihet si opsion i pamundur edhe interpretimi si “Njerëzit kompetentë në dituri, fjala e të cilëve peshon rëndë”[18]. Bindja ndaj udhëheqësit pushtetar fiton legjitimitet për sa kohë ai gjykon dhe udhëheq me drejtësi. Fundja, këshilltarët e pushtetarëve spikasin për përgatitjen e tyre diturore, kështu që, nuk është ekzagjerim nëse thuhet se dijetarët janë pushtetarët e pushtetarëve.[19] Duke pasur një sistem me bazë drejtësinë, hapësira për manipulime dhe falsifikime ka tendencë të madhe drejt minimizimit të fenomeneve negativë. Kur’ani, në shumë vende të tij, i urdhëron besimtarët dhe jo vetëm, që të kapen fort pas drejtësisë në marrëdhëniet shoqërore[20], juridike[21] dhe ekonomike[22].

Ndërkohë, për të vënë në dukje rëndësinë esenciale të akumulimit dituror, një tjetër evidencë fetare shpreh në mënyrë tepër të qartë dallimin midis personit që zotëron dije dhe atij që nuk zotëron:

 قُلْ هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ

“Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?!”[23]

Edhe pse plani teorik mund të vërehet si ana ku çdokush shpreh talentin e artikulimit mjeshtërisht të fjalive, prapëseprapë, aksioni, pa një bazë të qëndrueshme teorike, nuk mund të thuhet se është premtues në kushte afatgjatë. E thënë ndryshe, ekzekutimi dhe vënia në praktikë (kadā’) fiton ekzistencë në sajë të planit dhe programit të paracaktuar teorik hyjnor (kader). Nisur nga ky këndvështrim, variantet interpretuese të këtij ajeti figurojnë të jenë të shumtë. Ky lloj stili komunikimi tërheq vëmendjen e lexuesit kah krahasimi i dy tipareve antagoniste dhe ngjall kureshtjen për të njohur sa më mirë se cilët persona identifikohen me këto dy tipare. Herë herë, komentuesit e Kur’anit i japin fjalës dije ngjyrime sipas kontekstit të ajetit apo sipas pasazhit të faqes, nganjëherë e lënë të gjerë fushën e interpretimit, e nganjëherë e specifikojnë me ndonjë konotacion qoftë edhe ezoterik.

 Sa për ilustrim, dijetari andaluzian El-Kurtubī, fjalën dije të këtij ajeti e ngjyros me nota ekzotike e deri diku edhe disi filozofike, ku shprehimisht thotë: “Ata që dinë janë njerëzit prej të cilëve përfitohet dije e dobishme dhe që veprojnë sipas saj, kurse ata që nuk veprojnë në përputhje me dijen konsiderohen si njerëz që nuk dinë.”[24] Të njëjtën qasje e hasim edhe te Ez-Zemakhsheriu.[25] Për më tepër, një këndvështrim me fokus misticizmin vjen nga komentuesi Ebu Hajjān nga Andaluzia, i cili e vesh fjalën dije me konotacion gnostik (‘irfān): “Dija në këtë verset përshkruhet me diturinë gnostike për Zotin dhe me shpëtimin e robit nga zemërimi i Tij.”[26] Mënyra krahasuese midis fuqisë diturore dhe asaj praktike e bën Bejdāwī-un t’i japë përparësi fuqisë diturore kundrejt asaj praktike.[27] Teologu, komentuesi dhe filozofi i njohur Rāzī përshkruan grupin që s’kanë të bëjnë me diturinë. Ai i cilëson si njerëz që Zoti ua ka dhënë mjetet për të kërkuar dituri, mirëpo ata nuk janë në gjendje të vënë në punë mendjen dhe zemrën e tyre.[28]

Një perspektivë origjinale është edhe ideja se ai që nuk ul kokën dhe nuk vepron sipas dijes që ka përvetësuar, sprovohet edhe me diturinë, por edhe me çështjet e kësaj dynjaje.[29]

Padyshim, çfarëdolloj funksioni të ketë ushqimi material për rigjenerimin e metabolizmit të njeriut, të njëjtin funksion kryen edhe dituria për ndriçimin e mendjes dhe zemrës.[30]

Normalisht, kur thuhet dituri, merret parasysh një spektër më i gjerë se kompilimi informativ, ndonëse edhe grumbullimi i të dhënave bën pjesë në procesin e marrjes së diturisë, e cila përkon me “vlerësimin dhe gjykimin objektiv e të saktë të çështjeve”[31].

Nga ana tjetër, diskurset islame, kryesisht, fokusohen edhe në ruajtjen e informacioneve teknike të cilat, nganjëherë, për ironi të fatit, theksohen më shumë se thelbi i diskutimit, duke bërë dashje pa dashje një alternim pozicionesh midis esencës dhe formatit. Në një pjesë të madhe të literaturës islame, veçanërisht, në disiplinat e disa komentimeve të Kur’anit apo edhe të disa komentimeve të hadithit, vërehet në mënyrë të zgjeruar theksi mbi të dhënat teknike si p.sh: stilistikat gramatikore, që nuk janë të panevojshme, por nuk janë edhe aq primare sa mbi to të formohet një përqasje, apo konkludimet rreth saktësisë së zinxhirit raportues në hadith, të cilat janë një punë e shkëlqyer, por nuk janë tërësisht të mjaftueshme për të arritur në një vlerësim joekuivok. Rrjedhimisht, lind nevoja për një analizë me qendër mendimin kritik, e cila jo se nuk ka qenë prezente midis dijetarëve myslimanë. Dijetari, filozofi dhe mendimtari i nderuar me titullin “Huxhxhetu’l-Islam”, “Figura autoritet e Islamit”, Ghazzālī, spikat në këtë fushë me tërë dijen e tij të thellë dhe me mënyrën aq racionale me të cilën u qaset teksteve fetare, pa mënjanuar edhe aspektin spiritual të tyre, dhe siç thuhet: “Ai ia arriti me sukses të ndërthurte mjeshtërisht midis misticizmit të zemrës dhe racionalitetit të mendjes.”[32] E nga këtu, mund të citohet edhe ajeti kur’anor:

فَسْئَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لَا تَعْلَمُونَ

“… andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini (këtë).”[33]

Ashtu siç doktori merret për referencë në çështjet e mjekësisë, ashtu siç fjala e inxhinierit është ligj në fushën e tij, po ashtu, në fushën e shkencave islame, opinioni kryesor i takon figurës kompetente, pra, dijetarit/ekspertit të disiplinave islame dhe jo një sociologu, gazetari, psikologu, kinematografi, muzikanti apo mekaniku. A nuk ka Kur’ani mesazhe që u përçon edhe kategorive jashtë spektrit fetar? Absolutisht që po. Mirëpo, konkluzionet fetare të derivuara ose në mënyrë deduktive, ose induktive, ose duke i bashkuar këto të dyja, janë padiskutim ekskluzivitet i personit me profil teologjik. Sigurisht që, Kur’ani, për çdo individ, shpreh një mesazh të veçantë, ngase çdo njeri është unik në botëkuptim, karakter dhe lidhje me jetën, familjen apo shoqërinë. Andaj, të thuash se vetëm teologët e kuptojnë mesazhin hyjnor, është po aq e pavend sa të thuash që tematikat juridiko-fetare sqarohen nga një saksofonist. Nuk duhet harruar se, është fatkeqësi që ekzistojnë teologë thjesht me etiketën teolog, ku mungon bagazhi themelor dituror. Gjithsesi, ky konstatim nuk ua heq atyre të drejtën për t’u thelluar në dituri. Meqenëse mbi çdo njeri të ditur ndodhet një i Gjithëdijshëm[34], dija e kufizuar e intelektit njerëzor inspirohet nga Zoti, i Cili është i Gjithëdijshmi Absolut. Një ndër emrat e bukur të Zotit është edhe “i Gjithëdijshëm”. Ky emër i Zotit shprehet në tri mënyra të ndryshme në Kur’an, konkretisht:

عَلِيمُ ,عَالِمُ الْغَيْبِ ,عَلَّامُ الْغُيُوبِ[35]    

وَلِلَّهِ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَى فَادْعُوهُ بِهَا

“Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to…”[36] 

وَقُلْ رَبِّ زِدْنِي عِلْمًا

“Dhe thuaj: O Zoti im, shtoma dijeninë!”[37] 

 

[1]. Kur’an: 58/11.

[2]. Rāzī, Mefātīhu’l-Ghajb, 29/494-495.

[3]. Kur’an: 2/31-33; Rāzī, Mefātīhu’l-Ghajb, 2/396.

[4]. Ibn Kethīr, Tefsīru’l-Kur’āni’l-‘Adhīm, 1/223.

[5]. Kur’an: 2/30.

[6]. Rāzī, Mefātīhu’l-Ghajb, 2/391.

[7]. Kurtubī, el’Xhāmi’ Li Ahkāmi’l-Kur’ān, 17/299.

[8]. Kur’an: 3/18.

[9]. Zemakhsherī, el’Keshshāf ‘an Ghawamidi’t-Tenzīl, 1/344.

[10]. Ibn Kethīr, Tefsīru’l-Kur’āni’l-‘Adhīm, 2/24.

[11]. Bukhārī, ‘ilm 13; Tirmidhī, ‘ilm 1.

[12]. Tirmidhī, ‘ilm 2.

[13]. Bukhārī, ‘ilm 34; Muslim ‘ilm 13.

[14]. Ibn Haxher el’Askalānī, Fet-hu’l-Bārī Sherhu Sahīhi’l-Bukhārī, 1/195.

[15]. Muslim, dhikr 38.

[16]. Ibn Khaldūn, Mukaddimetu Ibni Khaldūn, 2/137 (versioni arabisht); The Muqaddimah, translated by Franz Rosenthal, f. 87 (versioni anglisht).

[17]. Kur’an: 4/59.

[18]. Kurtubī, el’Xhāmi’ Li Ahkāmi’l-Kur’ān, 5/259.

[19]. Rāzī, Mefātīhu’l-Ghajb, 10/114.

[20]. Kur’an: 3/21; 4/127; 4/135; 5/8; 57/25.

[21]. Kur’an: 5/42.

[22]. Kur’an: 6/152; 11/85; 55/9.

[23]. Kur’an: 39/9.

[24]. Kurtubī, el’Xhāmi’ Li Ahkāmi’l-Kur’ān, 15/240.

[25]. Zemakhsherī, el’Keshshāf ‘an Ghawamidi’t-Tenzīl, 4/117.

[26]. Ebu Hajjān, el’Bahru’l-Muhīt Fi’t-Tefsīr, 9/189.

[27]. Bejdāwī, Enwāru’t-Tenzīl we Esrāru’t-Te’wīl, 5/38.

[28]. Rāzī, Mefātīhu’l-Ghajb, 26/429.

[29]. Nesefī, Medāriku’t-Tenzīl we Hakāiku’t-Te’wīl, 3/172.

[30]. Ghazzālī, Ihjāu ‘Ulūmi’d-Dīn, 1/7.

[31]. Zuhajlī, et’Tefsīru’l-Wasīt, 3/2227.

[32]. Ghazzālī, Fejsalu’t-Tefrika Bejne’l-Islami we’z-Zendeka, f. 3.

[33]. Kur’an: 16/43.

[34]. Kur’an: 12/76.

[35]. Kur’an: 2/29; 9/94; 5/109.

[36]. Kur’an: 7/180.

[37]. Kur’an: 20/114.


  • tweet
Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe Salih efendi Myftia, personalitet i shquar fetar dhe kombëtar

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • KRYEPËRMENDORE  PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
    KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E...

    May 26, 2025 0

  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
    Ftesë zyrtare nga Dikasteri për...

    May 21, 2025 0

  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
    Recension për librin:...

    May 21, 2025 0

  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
    HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I...

    May 21, 2025 0

Me shumë në këtë kategori
  • Krijimi i Ademit dhe Havasë sipas Imam Maturidiut
    Krijimi i Ademit dhe Havasë sipas Imam...

    May 21, 2025 0

  • Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera
    Qasja e dijetarëve klasikë dhe...

    May 21, 2025 0

  • Burimet themelore të fesë dhe qytetërimit islam
    Burimet themelore të fesë dhe...

    May 07, 2024 0

  • Mesatarja Kur’anore shërim i ekstremizmit
    Mesatarja Kur’anore shërim i...

    Feb 12, 2024 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për...

May 21, 2025 0

Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100...

May 10, 2025 0

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i...

Apr 01, 2022 0

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Studime

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf...

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...
MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S....

Sep 13, 2024 0

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Konak me Edisonin

Konak me Edisonin

May 21, 2025 0

Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...
Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Sociologji

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky studim përmbledh mësimet shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut lidhur me leximin dhe kuptimin e Kur’anit, duke u përqendruar në thellësinë e përvojës...
Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet shoqërore

Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet...

Jul 02, 2024 0

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën  “Drita Islame” (1992-2011) në aspektin edukativ

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën ...

Jul 02, 2024 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (39)

Te Fundit

  • KRYEPËRMENDORE  PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
    KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË

    May 26, 2025 0

  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
    Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në...

    May 21, 2025 0

  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
    Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL...

    May 21, 2025 0

  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
    HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK

    May 21, 2025 0

  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut
    Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

    May 21, 2025 0

  • Konak me Edisonin
    Konak me Edisonin

    May 21, 2025 0

  • ARABËT PARA  ISLAMIT
    ARABËT PARA ISLAMIT

    May 21, 2025 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al