Perditësimi i fundit May 26th, 2025 4:35 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Projekti “Depërtoni pra…!”

Nov 24, 2018 Zani i Nalte Studime 0


nga Blerim Lazimi 

“A nuk ua bëmë Ne Tokën si djep?[1]”

Pas afro 1400 vjetësh, njëri prej pionierëve pararendës të fluturimeve ndërplanetare, Kostandin Ciollovski, shprehet: “Toka është djepi i njerëzimit. Por, ashtu si fëmija, ai nuk mund të qëndrojë përjetësisht në djep.”[2] Çfarë ngjashmërie! Ngjashmëri apo huazim? E megjithatë, a nuk i ka bërë ai, “pa dashur”, një koment (tefsir) interesant ajetit Kur’anor! Njeriu do t’i kalojë kufijtë e Tokës-djep.

Ndër legjendat e antikitetit grek, që kanë arritur deri në kohën tonë, është edhe legjenda e Ikarit: “Babai i tij, si mjeshtër që ishte, ndërtoi krahë me pendë shqiponje. At e bir, së bashku, fluturuan lart, mbi retë. Ikari nuk ngopej nga kënaqësia dhe kureshtja. Me dëshirën për të fluturuar sa më lart, ai u shkëput nga i ati, që e kishte këshilluar të ishte i kujdesshëm e të mos largohej shumë. Por Ikari ëndërronte të shkëputej nga Toka dhe të fluturonte drejt Diellit. Kur po i afrohej Diellit, dylli, me të cilin ishin ngjitur pendët, u shkri dhe kështu ai ra i vdekur në Tokë, pa mundur të realizojë ëndrrën e tij”. Është një legjendë që shpreh dëshirën e zjarrtë të njeriut për të prekur realitetin tejtokësor, por, që fatkeqësisht, ka një përfundim fatal. Sipas saj, njeriu e ka të pamundur t’i afrohet “qiellit” që shikon çdo natë. Ky fatalizëm e shoqëroi gjatë njerëzimin. Madje, mbrojtësit fanatikë të fatalizmit nxinë më shumë errësirën mesjetare, duke shuar pishtarët e dijes, që kërkonin të njihnin botën që i rrethonte.

Ëndrra mbijetoi, sepse jetoi shpresa. Qytetërimi grek kishte perënduar me kohë. Perandoritë romake e perse ishin në prag të rënies. Në Mekë të Arabisë Saudite, në vitet 610-632 (E.S.), zë fill, përmes vështirësive, të plotësohet feja që iu shpall Ademit, Nuhut, Ibrahimit, Musait e Isait, feja Islame. Pejgamberi Muhamed i ftoi njerëzit në besimin në një Zot të Vetëm dhe Krijues të Gjithësisë. Ai edukoi, jo vetëm te bashkëkohësit e tij, por edhe në brezat e mëvonshëm e në mbarë njerëzimin, ndjenjën e meditimit për harmoninë në qiej e tokë, pasionin për të kërkuar diturinë kudo që të ishte. Kur’ani, libri që iu revelua nga Zoti pjesë-pjesë gjatë 23 viteve, fillon me urdhrin “Lexo me emrin e Zotit tënd, që krijoi (çdo gjë)!”[3] Në një kohë që Evropa po hynte në epokën e errët të Mesjetës, në Kur’an publikohet projekt-ideja e shpresës për ta kthyer në realitet ëndrrën e fluturimit përtej Tokëdjepit. Në kapitullin “Er-Rahman – I Gjithëmëshirshmi”, Zoti iu drejton këtë thirrje krijesave inteligjente: “O grupimi i xhinëve dhe i njerëzve! Nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra! Por ju nuk do të mundeni, përveç me fuqi (njohuri të thella dijesh dhe fuqi ekonomike e administrative).”[4] Ky ajet, si dhe shumë të tjerë, frymëzuan dhe bënë që “njeriu i shkretëtirës” ta përfytyronte si një prej kënaqësive të botës së mrekullueshme të “njëmijë e një netëve” udhëtimin me qilim fluturues.

 

Pak histori për përpjekjet e njeriut për të fluturuar…

I pari që bëri përpjekje konkrete për sendërtimin e ëndrrës ishte, jo rastësisht, Abbas bin Firnas (810-887 e.s.). Në vitet 852-875, Abas bin Firnas bëri përpjekjet e para në historinë e njerëzimit për të fluturuar. Ftuesi i mirënjohur në fenë Islame Amr Khalid shprehet në predikimin e tij “Ndërtuesit e jetës” (pjesa e dytë) se “… Ai (Abbas bin Firnas) ishte i motivuar nga ajeti “O grupimi i xhinëve dhe i njerëzve! Nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra! Por ju nuk do të mundeni, përveç me fuqi.”. Ai zbatoi këtë ajet. Ai mblodhi njerëzit e Kordobës për të dëshmuar tentimin e tij. Të gjithë njerëzit mendojnë se ai ka dështuar, por ai pati sukses edhe pse theu këmbët gjatë uljes në tokë…”

Abbas bin Firnas rrjedh nga një familje myslimane berbere. Ai ka lindur në Tokoronna të Andaluzisë (sot Ronda, Spanjë) që në atë kohë sundohej nga Umejadët. Biografët e përshkruajnë atë si një filozof të shkëlqyer, studiues të shkencave të kimisë, fizikës dhe astronomisë, shpikës, inxhinier, mjek, poet në gjuhën arabe dhe muzikant andaluzian. Ai ka shpikur orët me ujë. Në shtëpinë e tij modeloi me qelq sferën qiellore, me yjet, retë, vetëtimat etj., ku vizitorët e ndryshëm e shikonin plotë kureshtje. Në kumtesën me titull “Kontributi i arabëve myslimanë në shkencat praktike dhe matematikë” të mbajtur në simpoziumin “Roli i civilizimit arabo-islam në renesancën evropiane” (Damask, 24 maj 1995), dr. Sheuki Ebu Halil pohon që Abbas bin Firnas është edhe zbuluesi i teleskopit,[5] afro 700 vjet para Galileit (Kujtojmë që kjo shpikje i njihet Galileit. Dhe për këtë fakt, viti 2009 është quajtur si viti i Galileit, me rastin e 400 vjetorit të teleskopit të parë).

Në vitin 852, Ibn Firnas vendos të fluturojë duke nisur nga një kullë në Kordobë, duke u mbështetur në modelin fluturues të zogjve. Në vitin 875, në moshën 65 vjeçare, mundi të fluturonte në ajër për rreth 10 minuta. Në shenjë mirënjohjeje dhe nderi ndaj kontributit që ai dha, libianët kanë prodhuar një pullë me portretin e tij; në Irak një aeroport (në veri të Bagdadit) mban emrin e tij, ndërsa në rrugën që të çon në Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit është ndërtuar statuja e tij; modelin e avionit të lehtë me helikë, algjerianët e kanë quajtur Firnas; një krater në Hënë mban emrin Abbas bin Firnas.

U zgjata pak në disa detaje të jetës së Abbas bin Firnas, jo vetëm për faktin që figura e tij nuk është shumë e njohur, por edhe për të theksuar dhe nxjerrë konkluzionin se ne, myslimanët e sotëm, duhet të studiojmë dhe punojmë në frymën e Kur’anit, për të ndërtuar të tashmen në dimensionet e traditës sonë të shkëlqyer islame. Prof. dr. Mehdi Golshani shkruan: “…Në të vërtetë, qe në sajë të nxitjes së Kur’anit për të studiuar dukuritë e natyrës, që shkencëtarët myslimanë u përfshinë më thellë në këtë fushë. Zhvillimi i qytetërimit islam, gjithashtu, iu detyrua në një shkallë më të madhe botëkuptimit Kur’anor… Fatkeqësisht, ky lloj botëkuptimi ndaj shkencave të natyrës u flak ca nga ca në botën islame dhe myslimanët i shpërfillën këshillat e Kur’anit të Shenjtë për ta studiuar natyrën dhe për të shfrytëzuar mundësitë që Zoti ka dhënë për njeriun…”[6] Këtë rrezik historik për myslimanët thekson edhe F. Gylen “Ata që i pengojnë myslimanët për ta kuptuar Kur’anin e për t’u thelluar në të, i largojnë ata, për rrjedhojë, nga fryma e fesë së tyre dhe thelbi i Islamit.”[7] Më tej, prof. dr. Mehdi Golshani vazhdon duke treguar edhe pasoja të tjera të humbjes së lidhjes me Kur’anin “…dhe kur myslimanët e shpërfillin këtë detyrë të domosdoshme, sot, ne shohim që myslimanët janë të paaftë të përdorin burimet e tyre dhe ua lënë të tjerëve t’i shfrytëzojnë ato, siç thotë poeti i njohur pakistanez Ikbal:

Myslimani i së djeshmes ishte krenar dhe i nderuar për dijen e tij,

(kurse) sot shpina e myslimanëve përkulet (përpara të tjerëve)…”[8]

Më pas, ishte Leonardo da Vinçi (1452-1519) që, duke u mbështetur në modelin e zogjve, bëri përpjekje serioze për të mundësuar fluturimin. Por puna prej rreth 25 vjetësh e tij nuk dha rezultate.

E megjithatë, këto ishin shenja që projekti i shpallur në Kur’an po niste të zbatohej…

4 tetori 1957 ishte dita kur nga Toka u lëshua sateliti i parë artificial. Lëshimi i tij shënoi një nga momentet më të shquara në historinë e shkencës, sepse me të u hap një horizont i ri i pafundmë studimi, filloi era e fluturimeve kozmike. Njerëzimi pa me admirim se kishte ardhur koha që edhe vetë ai do të çante rrugën për në kozmos, duke dalë jashtë kufijve të Tokës, ku ndjehej si i gozhduar në të. Rreth tre vjet e gjysmë më vonë (12 prill 1961), fluturimi i Juri Gagarin-it tregoi se ëndrra e njeriut për të fluturuar drejt qiellit po fillonte të bëhej realitet. Ndërsa, në 20 korrik të vitit 1969, njeriu mundi të ecë mbi sipërfaqen e Hënës. Në këto 40-50 vjet janë bërë përparime të shpejta e të mëdha në të gjithë elementët përbërës të një fluturimi kozmik.

Realizimi i fluturimeve kozmike përbën një sukses të shkëlqyer, që qëndron përkrah me zbulimet më të rëndësishme në historinë e njerëzimit. Sigurisht, që kjo punë madhështore ka pasur vështirësi të shumta. Një mori problemesh teorike e praktike kërkonin zgjidhje nga shkencëtarë të të gjitha fushave të dijes, si: njohja e ligjeve në kozmos, probleme të konstruksionit dhe teknikës në ndërtimin e anijeve kozmike, masat që duhen marrë për sigurimin e shëndetit dhe aftësive mendore e fizike të kozmonautit në kushtet e udhëtimit, probleme të komunikimit, sigurimit të energjisë, etj. Të shohim shkurtimisht vështirësitë që kanë kapërcyer shkencëtarët.

 

  1. Njohja e ligjeve në gjithësi– Çdo dy trupa në Gjithësi bashkëveprojnë, duke tërhequr njëri-tjetrin. Ligjin e një tërheqjeje të tillë universale e zbuloi Isak Njutoni (vitet 1600, afro 1000 vite pas Kur’anit). Duke marrë parasysh se masa e Tokës është shumë e madhe në krahasim me masat e trupave që ndodhen mbi të, çdo objekt i lëshuar përmbi sipërfaqen e Tokës, fillon të lëvizë drejt saj, për shkak të tërheqjes gravitacionale. Sa më e madhe të jetë masa e objektit, aq më e madhe do të jetë edhe forca tërheqëse. Nga përllogaritjet është arritur se që një trup i hedhur të mos bjerë në Tokë, pra “të mposhtë” tërheqjen e Tokës, duhet t’i jepet atij minimumi një shpejtësi prej 7900 m/s (që quhet “shpejtësi e parë kozmike”). Me këtë shpejtësi, trupi mund të kthehet në satelit artificial të Tokës. Në qoftë se trupit i jepet një shpejtësi më e madhe se 17000 m/s, ai shkëputet nga sistemi ynë diellor dhe, sipas kushteve, ai mund të bjerë në ndonjë yll, apo të kthehet në planet të ndonjë ylli tjetër.[9] Realizimi i shpejtësive të tilla (mbi 7.9 km/s) ka qenë një nga problemet e para të vështira për t’u zgjidhur, aq më shumë kur kësaj i shtohet edhe masa e madhe e anijes kozmike (prej disa tonelatash). Kjo kërkon harxhimin e një sasie kolosale energjie, pra edhe gjetjen e burimeve të saj.

 

  1. Ligje të tjera të lëvizjes– Atmosfera tokësore, kaq e vlefshme për zhvillimin e jetës në Tokë, përbën një pengesë të konsiderueshme për nisjen e raketave kozmike nga Toka. Dihet se kur një trup lëviz në ajër, ai has në një farë pengese që quhet rezistencë e ajrit. Raketa kozmike, e lëshuar nga Toka në hapësirë, duhet të përshkojë me doemos atmosferën. Sa më e madhe të jetë shpejtësia, aq më e madhe është rezistenca. Prandaj, përveç energjisë së domosdoshme për të arritur shpejtësinë e nevojshme, duhet shpenzuar energji edhe për të mposhtur rezistencën e ajrit. Por llogaritjet nuk mbarojnë me kaq. Dihet, gjithashtu, se rezistenca e ajrit, që vjen nga fërkimi i tij me trupin, shoqërohet me nxehjen e trupit. Është llogaritur se në qoftë se raketa përshkon shtresën e dendur të atmosferës me shpejtësi rreth 11000 m/s, fërkimi është kaq i madh, saqë temperatura mund të arrijë deri në 5000 oC. Një temperaturë e tillë shkrin dhe djeg çdo objekt. Për të kaluar këtë pengesë, shkencëtarët dhe inxhinierët menduan dhe projektuan ndërtimin e raketave kozmike shumëfazëshe. Raketa të tilla përbëhen nga disa pjesë. Vetëm njëra prej tyre përbën anijen kozmike. Pjesët e tjera përdoren për rritjen graduale të shpejtësisë së saj deri në vlerën e duhur. Gjatë udhëtimit anija kozmike i lëshon automatikisht pjesët që kanë mbaruar funksionin e tyre. Kjo bëhet për të kaluar pjesën më të dendur të atmosferës me një shpejtësi që nuk përbën rrezik për djegien e raketës. Gjithashtu, rritja graduale e shpejtësisë është një çështje jetike për kozmonautin. Energjia e harxhuar që nga çasti i nisjes nga Toka është shumë e madhe. Fuqia e zhvilluar nga motorët reaktivë gjatë fluturimit matet me miliona kilovat. Për të arritur fuqi të tilla, shkencëtarëve u është dashur të studiojnë dhe të gjejnë lëndët djegëse më të përshtatshme: ato duhet të kenë aftësi kalorifike shumë të lartë dhe masë specifike sa më të vogël.[10]

Një problem tjetër teorik, i vështirë dhe delikat, është edhe ai i llogaritjes së trajektores së raketës kozmike. Cila do të jetë trajektorja që duhet të përshkojë ajo, në mënyrë që të përmbushë misionin për të cilin është lëshuar? Mbi objektin e lëshuar, përveç Tokës, ushtrojnë forcë tërheqëse edhe trupat qiellorë (sipas ligjit të tërheqjes së gjithësishme). Gjithashtu trupat qiellorë janë vazhdimisht në lëvizje, si rreth vetes ashtu edhe sipas orbitave. Se sa delikate dhe të përpikta duhet të jenë llogaritjet, mjafton të përmendim një shembull nga dërgimi i raketave kozmike në Hënë. Në qoftë se nisja e raketës bëhet 10 s para apo 10 s më vonë nga çasti i caktuar, ajo do të binte afro 200 km më larg nga vendi i caktuar në Hënë. Një gabim prej 1m/s në shpejtësinë fillestare (kjo vlerë është 1/10000 e shpejtësisë së raketës) do të shkaktonte një largim nga pika e rënies prej 250 km. Për një gabim prej 1’ (minute) harku në drejtimin fillestar të hedhjes, raketa do të spostohej në pikën e rënies me 200 km. Po të mos llogaritet influenca gravitacionale e Diellit, raketa do të binte 100-150 km më larg vendit të parashikuar. Sikur të bëheshin 2-3 gabime të tilla, siç i përmendëm më lart, raketa do t’i kalonte anash Hënës, madje mund t’i largohej asaj përgjithmonë.[11] Kuptohet se ç’rëndësi paraqet njohja e përpiktë e këtyre elementëve të lëvizjes në çdo çast për dhënien e komandave. Akoma më tej, një volum i tillë llogaritjesh teorike është i mundshëm në sajë të një investimi të madh mendor e intelektual.

  1. Probleme me kozmonautin– Një varg tjetër problemesh ka qenë në lidhje me jetën e kozmonautit, me funksionimin e rregullt të organizmit të tij. Lëvizja e raketës është lëvizje me nxitim (e përshpejtuar gjatë nisjes). Kjo krijon për kozmonautin gjendjen e mbipeshës (P.sh. kur nxitimi është 66.7 m/s2, kozmonauti me masë 70 kg do të rëndonte mbi dysheme me forcën e 537 kg. Pra, është njëlloj sikur njeriu të mbajë mbi shpinë një ngarkesë prej 467 kg!). Kuptohet lehtë se ç’efekte negative ka një mbingarkesë e tillë mbi organizmin e njeriut kur ajo vepron qoftë edhe për një minutë. Mundësitë e organizmit të njeriut për të duruar ngarkesa të zgjatura në kohë, janë të kufizuara. Prandaj, një nga kushtet e fluturimit të njeriut në kozmos është krijimi i një regjimi të tillë të nisjes, për të cilin as vetë mbingarkesa, as veprimi i zgjatur i saj, të mos kalojnë kufijtë e lejuar. Gjithashtu, merret parasysh edhe drejtimi i veprimit të mbingarkesës. Eksperimentet tregojnë se njeriu i duron më lehtë ngarkesat që veprojnë në drejtimin shpinë-kraharor ose anasjelltas. Në qoftë se forcat që prodhojnë mbingarkesën drejtohen pothuaj pingul me enët kryesore të gjakut, atëherë ato zvogëlojnë në minimum mundësinë e arritjes së gjakut në kokë dhe në këmbë. Në qoftë se mbingarkesa (gjatë ngjitjes) ushtrohet sipas boshtit të trupit, atëherë gjaku do të grumbullohej në këmbët, ndërsa në kokë do të ketë më pak gjak dhe kjo gjë shkakton dëme serioze në organizëm. Shkencëtarët, nëpërmjet eksperimenteve të shumta, kanë mundur të gjejnë pozicionet më të përshtatshme për kozmonautët gjatë udhëtimit, kanë përcaktuar vlerat kufitare të nxitimit, pra edhe të mbingarkesës së përballueshme.[12] Për një përshtatje sa më të mirë të kozmonautëve me kushtet e fluturimit, organizohen stërvitje speciale, rigorozisht të studiuara. A nuk kërkon edhe kjo një investim jashtëzakonisht të madh intelektual, fizik dhe ekonomik?!

Kozmonautit nuk i duhet të mësohet vetëm me mbipeshën, por edhe me gjendjen e mungesës së peshës. Në lidhje me mungesën e peshës dalin një varg çështjesh, që kanë të bëjnë me jetën dhe aktivitetin e njeriut në kozmos. Në gjendjen e mungesës së peshës njeriu humb nocionin e orientimit. Për të nuk kanë kuptim fjalët “poshtë” dhe “sipër”. Një send i lëshuar në ajër, përbrenda kabinës, qëndron pezull. Kozmonauti nuk mund të derdhë pijen nga një shishe në gotë. Në qoftë se një sasi lëngu nxirret nga ena, ai do të marrë formën e sferës dhe do të qëndrojë pezull në ajër, ose do të sillet në ajrin e kabinës. Ushqimet përgatiten në trajtë xhelatine dhe, njeriu, për t’i marrë ato, duhet t’i thithë nga gryka e enës.[13]

Anija kozmike duhet të jetë e mbyllur hermetikisht, për të mos pasur as daljen më të vogël të ajrit. Është projektuar dhe ndërtuar një sistem ventilacioni dhe aspiracioni për të siguruar oksigjenin e nevojshëm (i cili vazhdimisht konsumohet nga kozmonautët), për të mbajtur lagështinë dhe përbërjen e ajrit në parametra normalë. Një pajisje e posaçme mban temperaturën e mjedisit brenda kufijve të përshtatshëm 15-20 oC.[14]

Kozmonauti ka veshjen e tij të posaçme, sidomos skafandrën të ndërtuar prej lënde refraktare, e cila i siguron atij një frymëmarrje e temperaturë normale dhe e mbron nga rrezatimet e ndryshme kozmike, etj.

 

  1. Probleme të tjera me anijen kozmike– Faqet e anijes kozmike duhet të jenë të trasha, të forta dhe prej lënde refraktare. Kjo bëhet për të evituar shpimin e anijes nga goditja e mundshme me ndonjë meteor të vogël; për të mbajtur brenda një temperaturë normale, sido që të jetë temperatura jashtë saj; për t’u rezistuar temperaturave të larta, duke e përçuar sa më pak nxehtësinë në faqet e brendshme dhe anasjelltas; për ta mbrojtur kozmonautin nga rrezatimet kozmike, etj.[15]

 

  1. Komunikimi– Një rol të rëndësishëm në fluturimet kozmike ka ndërlidhja dhe komunikimi i anijes kozmike me qendrën e komandimit në Tokë. Me anë të ndërlidhjes mund të komandohen nga Toka pajisje të ndryshme të anijes edhe pa praninë e njeriut.[16] Mjafton të kujtojmë informacionet mjaft të vlefshme që dha anija-sondë që u dërgua në planetin Mars (edhe pse në të nuk kishte njerëz).

Përgatitjet dhe realizimi i fluturimeve kozmike u paraqit në mënyrë shumë skematike e të thjeshtuar. Mund të kuptohet lehtë se sa vështirësi kanë hasur shkencëtarët dhe konstruktorët për zgjidhjen e plotë të problemeve. Sa llogaritje dhe sa prova janë bërë deri në zgjidhjen përfundimtare!

Pas gjithë kësaj pune për sendërtimin e ëndrrës për të kaluar kufijtë e Tokës, arsyetimi i shëndoshë e korrekt na shtyn të pohojmë:

Së pari, kjo ndërmarrje e guximshme ka kërkuar një kapacitet voluminoz njohurish teorike nga shkencat fizike, matematike, bio-kimike, inxhinierike, mjekësore, sociologjike e psikologjike. Akoma më shumë, në këtë volum njohurish përfshihen dituritë e grumbulluara e të sistemuara të paktën gjatë këtyre 400 viteve të fundit (në të gjitha fushat e shkencës). Pra, duhet një fuqi intelektuale e mendore e jashtëzakonshme, e paimagjinueshme (e pavlerësueshme financiarisht) për t’u zotëruar nga një njeri i vetëm, apo grup i vogël njerëzish.

 

Së dyti, realizimi i fluturimeve kozmike është bërë i mundur falë punës këmbëngulëse dhe diturisë së brezave të tërë të dijetarëve, të të gjitha degëve të shkencës. A mund të vlerësohet sa kohë i kanë kushtuar aplikimit të diturive të tyre? A mund të vlerësohet mundi dhe djersa e tyre në kërkim të realizimit të ëndrrës? Pa dyshim që vetëm me fjalë mund të vlerësojmë se: “koha, mundi dhe djersa janë kolosale” (ekonomikisht vlerësimet janë marramendëse).

Së treti, në këndvështrimin ekonomik, çdo fluturim kozmik ka koston e tij: projekti, infrastruktura, lëndët e para, ndërtimi i anijes, burimet njerëzore, etj., etj… Pra, edhe ekonomikisht kërkohet një investim shumë i madh. Mjaft vende të pasura evropiane bashkëpunojnë për të realizuar financiarisht projekte të tilla.

Përfundimisht, që të bëhej i mundur depërtimi i njeriut përtej kufijve të Tokës, drejt qiellit, duhej:

  • një kohë e nevojshme për të grumbulluar dituritë e domosdoshme;
  • fuqia njerëzore: intelektuale, zbatuese, financiare, administrative, etj.

* * *

Tashmë e kemi të lehtë të kuptojmë ajetin Kur’anor në kapitullin “I Gjithëmëshirshmi”. Ajo çfarë shohim sot na bën të pohojmë se para afro 1400 vjetësh, në mënyrë shumë precize dhe të përmbledhur, është parashtruar çdo të ndodhte më pas, në kohën tonë, apo edhe më vonë. “Betohem për qiellin (që e kam ndërtuar) plot rrugë!”[17] – betohet Zoti në Kur’an. E më tej: “O grupimi i xhinëve dhe i njerëzve! Nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra!…”[18] Kjo pjesë e ajetit e fton njeriun të studiojë, të njohë, të gjejë mundësitë për të dalë përtej tokës, të gjejë rrugët me të cilat Zoti e pajisi qiellin, për të vizituar e shijuar panairin madhështor të gjithësisë. Mundësinë dhe aftësinë për ta dëgjuar këtë thirrje 14 shekullore e kanë vetëm të zotët e mendjes. Një nga këto mundësi është dituria, që e kanë kërkuar përmes sakrificash dhe një vullneti të hekurt. Ndërsa I Gjithëdituri ua mësonte atë që nuk e dinin (pa bërë asnjë dallim fetar, racor apo klasor mes njerëzve). E kështu, kohë pas kohe, brez pas brezi, njohuritë mbi botën dhe ligjet e funksionimit të saj shtoheshin, për t’ua lënë trashëgim pasardhësve. “…Por ju nuk do të mundeni, përveç me fuqi (nga Allahu).”[19] Shihni pra, në “projektin” e publikuar në Kur’an vihet si kusht për t’u zbatuar “zotërimi i fuqisë”. Sot e kemi të lehtë të kuptojmë se me “fuqi” nënkuptohet dituria e gjithanshme, aftësitë mendore, intelektuale e fizike të qenies njerëzore, burimet e energjisë dhe fuqia ekonomike. “Çdo gjë është krijuar për t’i shërbyer njeriut, ndërsa njeriu për t’i shërbyer Zotit.” (Alija Izetbegoviç) Falënderimet i qofshin Zotit që i dhuroi njeriut një fuqi të tillë.

Era e fluturimeve kozmike sapo ka filluar… Në një kohë kur grekët e lashtë kishin thurur legjenda për dëshirën e njeriut për të fluturuar drejt qiejve, në një kohë kur bota (Evropa) po fillonte përjetimin e një periudhe të errët, në shkretëtirat e Mekës i shpallet Muhamedit projekti i zhvillimit të shkencës, si dhe rrugët e aplikimit të saj. Rezultati i projektit do të ishte njohja dhe ekspansioni drejt qiellit. Një tjetër ajet (argument), mjaft interesant, që mbështet këtë rezultat gjendet në kapitullin “Lukman”. Lukmani, një plak i urtë dhe i mençur, e këshillon të birin “O djali im! S’ka dyshim, se edhe nëse ajo (vepra) peshon sa kokrra e lirit, e të jetë fshehur në rrasë guri, ose në qiej apo në tokë, Allahu do ta sjellë atë, se Allahu është i butë dhe hollësisht i informuar.”[20] Pra, vini re, në ajet bëhet fjalë edhe për veprën, punën (e njeriut) “të fshehur” në qiej…, ç’ka nënkupton parashikimin Kur’anor që njeriu do të mund të kalojë kufijtë e Tokës dhe puna e tij do të regjistrohet edhe përtej saj.

Sigurisht që nuk mund të lihet pa përmendur njohuria (marifet-i) e profetit Ibrahim mbi qiejt e tokën. “Edhe kështu Ibrahimit ia mundësuam t’i shohë madhësitë e qiejve e të tokës, për t’u bërë edhe më i bindur.”[21] Por prekja e këtyre dimensioneve, përshkimi konkret i madhësive të qiejve e tokës, është pa dyshim “Mi’raxhi” i pejgamberit Muhamed, i cili përbën udhëtimin e parë të njeriut në hapësirat qiellore. Ashtu si në çdo këndvështrim, social, kulturor e shpirtëror, material e shkencor, pejgamberi Muhamed përbën një horizont për t’u arritur, edhe ky udhëtim-mrekulli deri në kufijtë e universit përbën një kulm drite, që e fton njeriun për t’iu afruar. Është interesante të theksohet se e tërë historia e progresit të shkencës dhe teknologjisë është zhvilluar dhe po zhvillohet në gjurmët e linjës profetike nga Ibrahimi deri te Muhamedi. Fillon metodikisht me vrojtimin, hulumtimin dhe arsyetimin ibrahimian dhe, me profetët e dërguar kohë pas kohe, përvijohen një e nga një horizontet e arritjeve njerëzore në fusha të ndryshme të shkencës dhe teknologjisë. Aureola e këtyre horizonteve është profeti Muhamed me Kur’anin e Nderuar.

Dijetari islam AbdulMexhid ez-Zindani polemizon me dyshuesit, të cilët, të entuziazmuar nga arritjet shkencore në fushën fluturimeve kozmike, pohojnë se kjo është goditje ndaj besimit në Zot. Nisur nga ajeti 33 i kapitullit “I Gjithëmëshirshmi”, ai thekson se pikërisht në këto arritje dhe të tjera gjendet mrekullia e të Dërguarit Muhamed, si dhe vërtetimi i shpalljes në Librin e të Gjithëditurit. “…Prandaj, hapësira për pushtimin e gjithësisë nga njeriu është e hapur dhe atij i mbetet që të lëshohet në Hënë, Mars e planetë të tjerë… Kur’ani është i pari që lajmëron mbi mundësinë për pushtimin e gjithësisë, në kohën kur ka qenë e pamundur të flitet për pushtimin. Kjo është dëshmi e qartë se Kur’ani është nga Ai, i Cili di fshehtësitë e qiejve dhe të tokës.”[22]

Fluturimet e para, lëshimi i satelitëve, shkelja e njeriut në Hënë, studimi i drejtpërdrejtë i Marsit, studimi i sistemit tonë diellor e më gjerë, janë prova se njerëzimi, dashur pa dashur, ka ecur në rrugën e planifikuar, ashtu si edhe Gjithësia. Kjo tregon saktësinë e Kur’anit, çdo fjali e të cilit është një argument më vete. S’ka dyshim se Kur’ani është fjala e Zotit. E si mund të jenë produkte të mendjes njerëzore të shekullit VII (e.s.) projekte kaq të qarta të zhvillimit të shkencës, metoda aplikimi kaq progresive, parashikime kaq precize për të ardhmen e njerëzimit?! Si mundet të konsiderohet Kur’ani fjalë e njeriut, kur ai në çdo këndvështrim është larg legjendave që mbizotëronin kohën?! Pa dyshim, projektin e publikoi vetëm Ai që e projektoi Gjithësinë, krijoi njeriun dhe gjithçka ka në qiej e tokë, Ai që është Zotërues i Dijes. Vetëm nën frymëzimin e Tij gjen zbatim praktika që çon në zbulimin e së Vërtetës. Allahu e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e kozmosit dhe të njeriut. E, për ta orientuar drejt njeriun, i dha Librin e Qartë-Kur’anin. “Ai është plot argumente të qarta në zemrat e atyre që u është dhënë dituria. E, argumentet Tona nuk i mohon kush, përveç të shfrenuarve.”[23]

“Ti je pa të meta. Ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na e mësove Ti. Vërtetë, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti.”[24]

 

[1]. Kur’ani, En-Nebe’ 78:6.

[2]. Revista “Shkenca dhe Jeta”, artikulli “Njeriu në Mars”, Skënder Shkupi.

[3]. Kur’ani, El-‘Alek 96:1 (përkthimi në shqip nga Sh. Ahmeti, 1992).

[4]. Kur’ani, Err-Rrahman 55:33 (përkthimi në shqip nga Sh. Ahmeti; dhe përkthimi nga një grup pranë Darus- Selam, Riad, Arabia Saudite, botim II, viti 2000).

[5]. Shih “Roli i civilizimit arabo-islam në renesancën evropiane”, f. 69, “Furkan ISM”, Shkup 1999.

[6]. “Kurani i Shenjtë dhe shkencat e natyrës”, prof. dr. Mehdi Golshani, f. 57-60, Tiranë 2007.

[7]. “Kriteret”, F. Gylen, f. 39, Prizmi, Tiranë 2003.

[8]. “Kurani i Shenjtë dhe shkencat e natyrës”, prof. dr. Mehdi Golshani, f. 62, Tiranë 2007.

[9]. “Fluturimet kozmike”, Sotir Kuneshka, Tiranë, 1981.

[10]. Po aty.

[11]. Po aty.

[12]. Po aty.

[13]. Po aty.

[14]. Po aty.

[15]. Po aty.

[16]. Po aty.

[17]. Kur’ani, Edh-Dharijat 51:7 (përkthimi në shqip nga Sh. Ahmeti, 1992).

[18]. Kur’ani, Err-Rrahman 55:33 (përkthimi në shqip nga Sh. Ahmeti; dhe përkthimi nga një grup pranë Darus-Selam, Riad, Arabia Saudite, botim II, viti 2000).

[19]. Kur’ani, Err-Rrahman 55:33 (përkthimi në shqip nga Sh. Ahmeti; dhe përkthimi nga një grup pranë Darus-Selam, Riad, Arabia Saudite, botim II, viti 2000).

[20]. Kur’ani, Lukman 31:16 (përkthimi në shqip nga Sh. Ahmeti, 1992).

[21]. Kur’ani, El-En’am 6:75 (përkthimi në shqip nga Sh. Ahmeti, 1992).

[22]. “Njëshmëria e Krijuesit” Abdul Mexhid ez-Zindani, Prishtinë, 1998, f. 454.

[23]. Kur’ani, 29/49 (përkthimi në shqip nga Sh. Ahmeti, 1992).

[24]. Kur’ani, El-Bekare 2:32.


  • fluturim, kozmos, shkencë
  • tweet
Qytetrimi i vërtetë e qytetrimi mjeshtëror Rreth atributeve të Zotit (xh.sh.)

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
Me shumë në këtë kategori
  • Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera
    Qasja e dijetarëve klasikë dhe...

    May 21, 2025 0

  • MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI
    MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË...

    Sep 13, 2024 0

  • Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip
    Roli i mejtepeve në zhvillimin e...

    Jul 02, 2024 0

  • “Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe
    “Zani i Naltë” paraprijës –...

    May 07, 2024 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për...

May 21, 2025 0

Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100...

May 10, 2025 0

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i...

Apr 01, 2022 0

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Studime

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf...

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...
MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S....

Sep 13, 2024 0

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Konak me Edisonin

Konak me Edisonin

May 21, 2025 0

Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...
Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Sociologji

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky studim përmbledh mësimet shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut lidhur me leximin dhe kuptimin e Kur’anit, duke u përqendruar në thellësinë e përvojës...
Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet shoqërore

Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet...

Jul 02, 2024 0

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën  “Drita Islame” (1992-2011) në aspektin edukativ

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën ...

Jul 02, 2024 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (39)

Te Fundit

  • KRYEPËRMENDORE  PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
    KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË

    May 26, 2025 0

  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
    Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në...

    May 21, 2025 0

  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
    Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL...

    May 21, 2025 0

  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
    HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK

    May 21, 2025 0

  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut
    Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

    May 21, 2025 0

  • Konak me Edisonin
    Konak me Edisonin

    May 21, 2025 0

  • ARABËT PARA  ISLAMIT
    ARABËT PARA ISLAMIT

    May 21, 2025 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al