Perditësimi i fundit May 26th, 2025 4:35 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Rëndësia e meditimit në Islam dhe teknikat e meditimit

Dec 31, 2020 Zani i Nalte Shkenca Islame 0


nga Prim. dr. med. sc. Ali F. Iljazi, Kosovë

Allahu i Madhërishëm në Kur`anin Famëlartë urdhëron e thotë:Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës ka argumente të qarta për atë që kanë arsye dhe intelekt. Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!”[1]

Ibn-Merdevejh transmeton nga Ata’, i cili thotë: Shkuam unë, Ibn Omeri dhe Ubejd ibn Umejs tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të). Kur hymë tek ajo, e në mes nesh dhe asaj kishte perde, ajo tha:

“Ubejd, çfarë të pengon që të na vizitosh?” Ai tha: Fjalët e poetit “Më pak vizita më tepër do të jesh i dashur!”

Ibn Omeri atëherë tha: “Lejona dhe na thuaj çfarë ishte më e çuditshme që ke parë te Pejgamberi i Allahut (s.a.v.s.)” Ajo qau e pastaj tha:

“Çdo sjellje tek ai ka qenë e jashtëzakonshme!” Njëherë erdhi natën tek unë dhe lëkura e tij e preku timen dhe tha: “Më lejo t’i falem Zotit tim të madhërishëm!” Pastaj u ngrit, mori abdes, e mandej filloi të falej duke qarë aq sa mjekra e tij ishte e tëra e lagur nga lotët. Më pas kur binte në sexhde, vazhdonte të qante aq sa toka lagej.

Pastaj ra anash dhe vazhdoi të qajë derisa erdhi Bilali për ezanin e sabahut. Bilali e pyeti: “O i dërguari i Allahut, për çfarë qave, kur Allahu ti ka falur gabimet e kaluara dhe të ardhshme?” Ai u përgjigj: “Mjerë ti o Bilal! Si të mos qaj kur Allahu këtë natë më shpalli ajetet: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës ka argumente të qarta për atë që kanë arsye dhe intelekt!”[2] Pastaj shtoi: “Mjerë për atë që e lexon e nuk mendon për të!”

Hasan ibn Ahmet Aziz tregon që Euziut kur i është bërë pyetja: “Cili është qëllimi i të menduarit për këto?”, është përgjigjur: “Që të lexohen e pastaj të mendohet për këto!“      

 Nga Ibni Abasi transmetohet se ka thënë: “Dy rekate të lehta me meditime janë më të vlefshëm sesa të falesh tërë natën, nëse zemra është indiferente.”

Ulul-elbab janë ata që janë mendjemprehtë(,) të cilët kuptojnë brendinë, bërthamën e gjërave.  Hasani përmend nga Amir ibn Abdul Kajsi se ai ka thënë: “Kam dëgjuar më tepër se tre sabahe të Pejgamberit (s.a.v.s.), duke thënë: ‘Vërtet, drita e besimit është drita e meditimit’.” Allahu i Madhërishëm i qorton ata që nuk meditojnë rreth krijesave të Tij, të cilat udhëzojnë në ekzistencën e Tij, atributet e Tij dhe thotë: “Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, të cilët i shohin por ata nuk vështrojnë fare.”[3]

Njeriu mund të kalojë tërë jetën e tij pa meditim të thellë, për arsye se të jetuarit në esencë nuk kërkon meditim dhe kombinime mendore afatgjata. Mjafton të futesh në sistemet ekzistuese dhe t’i lëshohesh forcës inerte, të veprosh në drejtimin e lëvizjes së shumicës. Ngjashëm është me shahun. Njeriu mund të luajë shah dhe të arrijë në fazën përfundimtare, pa kombinime por vetëm si humbës.

Një potencial mendor kolosal fshihet nën aftësitë e pakontrolluara të mendimit, të cilat shpesh ruhen në disa familje dhe me kujdes transmetohen nga brezi në brez.

Kur është në pyetje ky lloj kapitali, siç është arti i meditimit, vërehet një kujdes i veçantë i mjeshtërve të këtij arti, siç është e kuptueshme edhe seleksionimi i atyre që lënë trashëgimi paratë dhe patundshmëritë. Në ndryshim nga “pasanikët” të sapo pjekur, të cilët nuk e arritën atë me aftësitë e tyre, njerëzit e urtë me spektër të gjerë, depërtues dhe ngadhënjyes të meditimit, instalojnë te gjeneratat e reja sisteme elastike, që janë të orientuara në përsosjen e shpirtit, trupit dhe mendjes.

Njerëzit me spektër më të varfër të teknikave të meditimit janë ata të cilët nuk janë tërësisht të sigurt në vërtetësinë e idesë së caktuar. Sot dallohen disa teknika të meditimit.

 

Meditimi eksperimental

Allahu i Madhërishëm, në Kur’anin Fisnik, thotë:

“E kështu Ibrahimit ia mundësuam t’i shohë madhësitë e qiejve e të tokës për t’u bërë edhe më i bindur. E kur atë e mbuloi nata, ai e pa një yll e tha: ‘Ky është Zoti im!’ E kur u zhduk ai (perëndoi) tha: ‘Unë nuk i dua ata që humben’. Kur e pa hënën të porsalindur tha: ‘Ky është Zoti im!’ e kur perëndoi ajo, tha: ‘Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë do të jem prej njerëzve të humbur!’ Kur e pa diellin të lindur, tha: ‘Ky është Zoti im, ky është i madh!’ e kur ai perëndoi, tha: ‘O populli im, unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!’ Unë me veten time i drejtohem Atij që krijoi qiejt e tokën, larg besimeve të tjera; unë nuk jam prej atyre që i përshkruajnë shok!”[4]

Allahu i Madhërishëm na sjell në Kur’anin Fisnik shembullin e njeriut në rastin konkret të Ibrahimit (a.s.), i cili, duke jetuar në mjedisin ku adhuroheshin trupat qiellorë dhe autoritetet e tjera të rrejshme, vendosi t’i nxisë në meditim bashkëkombësit e tij, duke përdorur tërë spektrin e metodave interesante (udhëheq diskutime me të afërmit, vepra në vetëdijen e tyre, udhëheqë debate të nivelit më të lartë, etj.)

Në vendet e cituara kur’anore, Ibrahimi (a.s.) debaton zëshëm në prezencën e njerëzve me qëllim që t’i nxisë në meditim. Shohim si me precizitet vëzhgon qiellin, duke ndarë disa trupa qiellorë të caktuar sipas madhësisë dhe duke treguar se si ata lindin dhe perëndojnë. Sipas logjikës së gjërave, se çdo send që lind dhe perëndon, lëviz në rrugën e përcaktuar, është indikator i një fuqie më të madhe, e cila i vë në lëvizje këta trupa.

Ibrahimi (a.s.), në versetet e cituara, na sjell në vëmendje këto pika:

  1. a) përcakton problemin (idhujtarinë);
  2. b) mbikëqyr në mënyrë aktive (trupat qiellorë)
  3. c) bën krahasimin (mes objekteve të adhurimit)
  4. d) shtron hipotezën (p.sh. nëse diç lind dhe perëndon atëherë…)
  5. e) shtron një eksperiment (udhëheq formën e monologut)
  6. f) del në përfundim;

Allahu i Madhërishëm këtu nëpërmes shembullit të Ibrahimit (a.s.) tërheq vëmendjen për mënyrën edukuese praktike, e cila mund të përdoret në shumë situata të ndryshme.

Kështu, për shembull, dy shokë të cilët dëshirojnë të tregojnë mënyrën e gabimit të mendimit të një personi të tretë, munden më parë të merren vesh që të zhvillojnë bisedime, duke trajtuar në mënyrë indirekte problematikën e parimit të caktuar. Mediat, në mënyrë indirekte, veprojnë pikërisht në këtë mënyrë. Shembulli më i mirë janë serialet e ndryshme me fjalë, dialogë të ndryshëm me tematika shpesh të mbledhura me kujdes me qëllim ndikimin e shikuesve para ekraneve të vogla. Lehtë mund të mund të arrini në përfundimin se përse nuk lejohen temat dhe dialogët fetare në ekranet tona.

Së fundi, edhe ne jemi rezultat i bisedave të prindërve tanë, dialogët e të cilëve kanë formuar listat e vlefshme, ndërsa ne, në shikim të parë, pa u vërejtur, kemi luajtur rreth këmbëve të tyre.

 

Meditimi revolucionar

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:

“Ai (Musai) tha: Na zgjero (më ndihmo) gjoksin tim! Dhe më lehtëso në këtë punë timen! Më zgjidh nyjën e gjuhës sime! Që ta kuptojnë fjalën time!”[5]

Në Kur’anin Famëmadh janë të vendosura me qëllim dua të ndryshme. Lutja (duaja) përveç se është edhe nevojë e individit, pasqyron edhe sistemin e meditimit, i cili është prezent te personazhet dhe në strategjinë e tyre.

Shumë “edukatorë” të masave myslimane pa menduar, e jo rrallë edhe me detyrë, fusin në mentalitetin e myslimanëve determinizmin dhe fatalizmin, duke cituar tekste islame, të cilat flasin për pashmangshmërinë e fatit dhe shkrimin e hershëm të tij jashtë kontekstit të vërtetë të tij. Sipas transmetimeve të haditheve në të cilët thuhet se fatin mund ta ndryshojë duaja, ndërkohë duaja  është sistem i meditimit dhe se fati i secilit njeri në masë të madhe është refleks i meditimit të tij, Muhamedi (a.s.) ka thënë:      

“Kaderin (fatin) nuk mund ta ndryshojë asgjë përveç duasë…”[6]

Në versetet e cituara kur’anore, Krijuesi i jetës na tregon shembullin e individit (Musai a.s.), detyrën që t’i kundërvihet superfuqisë së atëhershme (faraonit), duke mbrojtur masën nga dëmi i tij.

Ajo çfarë na intereson sot, duke marrë parasysh se jetojmë në rrethana të ngjashme, është: Si ka medituar? Si është përgatitur për këtë detyrë? Cilat kanë qenë prioritetet dhe çka ka kërkuar nga Allahu? Ushtrinë, armatimin… apo diç krejt tjetër?

Nëse marrim në konsideratë se cilësitë e revolucionarit elitar janë:

  1. a) mungesa e interesave të ngushta personale;
  2. b) kuptimi i prioriteteve;
  3. c) aftësitë e shkëlqyeshme retorike;
  4. d) puna konstante me masat;

do të shohim se duaja e Musait (a.s.) është shprehje e sistemit të rregulluar të meditimit me prioritete, strategjia dhe fokusi i rregulluar me fazën konkrete të veprimit. Musai (a.s.) në fillim të përgatitjeve të tij për t’u ballafaquar me tiranin e padrejtë, kërkon pikërisht ato cilësi pa të cilat nuk mund të paramendohet një revolucionar elitar. Është me rëndësi të theksohet se përkujdesja ndaj kualiteteve të përmendura nuk është e kufizuar vetëm te Musai (a.s.), ngase shembulli i përmendur në Kur’anin Fisnik vlen për tërë gjeneratat deri në Ditën e Gjykimit, dhe është një shembull për mënyrën e meditimit për të gjithë ata që ndodhen në situatë të njëjtë. Çfarë i ka penguar “liderët” fetaro-politik dje dhe sot të shndërrohen në reformatorë me rezultate evidente, përveç frikës, zemërngushtësisë e vetëdijes kolektive dhe njohjes së mangët të themeleve të motivacioneve bindëse.

 

Meditimi analitik

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:

     “E ata të dy shkuan (duke ecur) deri ku hipën në anije, ai (i dijshmi) e shqeu atë. Ai (Musai) tha: A e shqeve që t’i fundosësh udhëtarët e saj, vërtet bëre një punë të hatashme?”[7]

Verseti kur’anor flet për dy bashkudhëtarë dhe përcaktimin e tyre të ngjarjeve të caktuara. Pra kemi të bëjmë me Musain (a.s.) dhe një njeri të mirë me aftësi të jashtëzakonshme analitike (Hidri a.s.).

Ja çfarë thotë verseti kur’anor në vijim!

“Atij (Hidrit–njeriut të mirë e të dijshëm) Musai i tha: A pranon të vij me ty që të më mësosh nga ajo që je i mësuar (i dhuruar) ti; dituri të drejtë e të vërtetë?”[8]   

Këtu është me rëndësi të vërehet se Musai (a.s.) edhe pse ishte pejgamber, i përulur sikurse fëmija kërkon leje ta mësojë Hidri (a.s.).

Do të shohim në vijim se Hidri, Musait (a.s.) nuk ia mësoi diturinë e sheriatit por përvojën jetësore, duke ia zgjeruar horizontet e tij dhe duke treguar në nevojën e vëzhgimit të ngjarjeve më të mëdha. Me këtë shembull fenomenal mësojmë se pa marrë parasysh diturinë tonë, asnjëherë nuk duhen nënvlerësuar burimet e tjera të diturisë, duke përfillur diturinë edhe përvoja të tjera. Kjo është njëherazi edhe e vetmja qasje e jetës që garanton përsosje konstante. Po ashtu duhet theksuar, se ekzistojnë njerëz të cilët pohojnë se e vetmja dituri e vlefshme e studimit është dituria e sheriatit.

Do të shohim në vazhdim se praktikimi i sheriatit, pa njohjen, për shembull, të realitetit ekonomiko-politik, është gati edhe përqeshje.

Pasi Hidri i lejoi Musait (a.s.) ta përcjellë në rrugëtimin e tij së bashku hipën në anije, të cilën Hidri, e shpoi.

Pason reagimi i çuditshëm i Musait (a.s.):

“A e shqeve që t’i fundosësh udhëtarët e saj, vërtet bëre një punë të hatashme?”[9]                                                     

Në këtë ngjarje konkrete Musai (a.s.) reagoi në bazë të observimit vijues:

  1. a) Anija u takonte njerëzve të varfër, të cilët me të (duke peshkuar) ushqenin familjet e tyre.
  2. b) Hidri, pa asnjë provokim, shpoi anijen;
  3. c) Është kryer një akt i rëndë;
  4. d) Reagon duke gjykuar këtë akt;

Pasi njihemi me perceptimin e Hidrit të anijes së përmendur, përdoruesve të saj, do të shohim mungesën e përvojës së Musait (a.s.) në momentin e caktuar dhe vëzhgimin e tij sipërfaqësor të ngjarjes së caktuar. Në fund të udhëtimit Hidri (a.s.) shpjegon motivet e veprave të tij dhe i thotë:

“Sa i përket anijes, ajo ishte pronë e disa të varfërve që veprojnë në det, e unë desha ta bëj atë me të meta, ngase para tyre ishte një sundues, që grabiste çdo anije (të aftë – pa të meta).”[10]

Observimi i ngjarjes së përmendur nga perspektiva e Hidrit, në krahasim me Musain (a.s.), ndryshonte si vijon:

  1. a) Hidri merr në konsideratë tërë sistemin ekonomiko-politik, të cilin e njeh shkëlqyeshëm, në të cilën peshkatarët e përmendur janë si kategori e rrezikuar e shoqërisë nga ana e atij sistemi të padrejtë;
  2. b) Hidri njeh pikat e ligjit në bazë të së cilit pushteti i jep të drejtë vetes që të marrë gjërat e huaja (anijet e padëmtuara), duke rrezikuar ekzistencën e tyre;
  3. c) Me mençuri e gjen “vrimën” në atë ligj të padrejtë dhe siguron mbrojtjen vitale të popullatës së rrezikuar.

Hidri përdor dozën e rrezikut të llogaritur, duke u shërbyer me konceptin e shkaktimit të dëmit më të vogël me qëllim të dobisë më të madhe. Ky koncept i shkaktimit të vetes një dëm të caktuar, me qëllim të arritjes së dobisë më të madhe, nuk është i panjohur në mendimin politik perëndimor. Me fjalë të tjera, një pjesëmarrës i ngjarjes së përmendur reagon në mënyrë emotive sipas drejtësisë së painformuar të sheriatit, i cili nuk sheh më larg se vrima në anije, duke u ngutur në gjykim, ndërsa i dyti, tërësisht gjakftohtë, vëzhgon formën e pushtetit politik, profilin dhe cilësitë e sundimtarit, njeh kategoritë më të rrezikuara të shoqërisë në një sistem ekonomiko-politik.  

Është interesant të vërehet se edhe pse këto ajete janë të qarta në mesazhin e tyre bota islame nuk ka marrë mësime prej tyre.

Pra, ajo që Hidri e mësoi Musain (a.s.) dhe të gjithë neve nëpërmes Musait (a.s.) është:

  1. Nevoja e analizës se thukët ekonomiko-politike të ngjarjes;
  2. Shikimi i tërësishëm i ngjarjes në nivelin lokal është i mundur vetëm në kontekst të vëzhgimit të ndodhive;
  3. Asgjë nuk mund të jetë ashtu siç duket në shikim të parë;
  4. Nevoja e zbulimit dhe përdorimit të “vrimave” në sistemin ekonomiko-politik të padrejtë;
  5. Vrima në anije mund të jetë shpëtim për peshkatarët, nëse vihet në kontekst të drejtë;
  6. Nevoja e njohjes në kohë të saktë të dobisë dhe mundësisë;
  7. Ruajtja e “gjakftohtësisë” në çdo situatë, sepse gjaknxehtësia pëson shpejt;

                                 

Meditimi hipotetik

Është pothuajse e pamundur të mendohet një situatë serio-psikologjike e që e njëjta nuk përmendet në Kur’anin Fisnik. Mbrojtja e fëmijëve është një prej situatave më ekstreme të jetës.

Një situatë e ngjashme është e dokumentuar në Kur’anin Fisnik.

“Vazhduan të shkojnë deri kur takuan një djalë të ri, e ai (i dijshmi) e mbyti atë. (Musai) Tha: ‘A e mbyte njeriun e pastër, pa mbytur ai askënd?! Vërtet ke bërë një punë të shëmtuar!’”[11]                                                   

Shohim Musain (a.s.) si reagon me emocion dhe në mënyrë eksplozive, duke vërejtur tërë ngjarjen tragjike

Musai (a.s.) përsëri ishte i dhembshur, por sipërfaqësor. Ngjashëm është me gjërat nga jeta reale. Ata që e shikojnë jetën nga një këndvështrim i ngushtë dhe që i përjetojnë me ndjenja ato, që u ndodhin atyre dhe njerëzve përreth tyre, do të kenë një jetë më të vështirë sesa ata që i vështrojnë në kornizën e një kuptimi dhe logjike më të gjerë.

Hidri, pas një kohe të caktuar, kryesisht i qetë, ia shpjegon tërë ngjarjen duke thënë:

“Sa i përket djaloshit, dy prindërit e tij ishin besimtarë, e u frikësuam se ai do t’i shpie ata të dy në humbje e në mosbesim. Deshëm që Zoti i tyre t’u japë në vend të tij një më të mirë se ai dhe më të afërt në respekt dhe në mëshirë (ndaj prindërve).”[12]                                                    

Përsëri shohim Hidrin, ashtu sikurse gjatë analizës rreth anijes se si tërhiqet prapa në “imazhin më të madh” në kontekstin e gjerë të tërë ngjarjes.

Ajo që Allahu i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm e mësoi (përkujtoi) Musain (a.s.) por edhe të gjithë neve nëpërmes Hidrit, është:

  1. a) Të gjithë njerëzit, qofshin pozitivë apo negativë, në një periudhë të jetës së tyre kanë qenë fëmijë;
  2. b) Fëmijët tanë nuk i edukojmë vetëm ne, sado të jemi të mirë e të arsimuar, por edhe mjedisi ynë;
  3. c) Duke marrë parasysh se jetët tona janë në diturinë e Krijuesit, Ai e di më së miri se si do të rritet secili fëmijë dhe çfarë influence do të ketë ai në mjedis. Ndonjëherë fëmijët do të jenë mëshirë për prindërit, mjedisin dhe për të tjerët;
  4. d) Ajo që fëmijët, edhe pse nga familje të mira, mund t’i bëjë negativë është negativiteti i mjedisit të cilin nuk kemi mundur ta ndryshojmë mjaftueshëm;
  5. e) Mosreagimi në gjërat negative rreth nesh (amoraliteti, perversiteti, padituria, urrejtja, etj.) dhe qëndrimi ynë indiferent, jo-reformues, që më vonë do të formojë qëndrimet dhe karakterin, ne bëhemi pjesëmarrës direkt në formimin e fatit tragjik të fëmijëve tanë, të cilin më vonë do ta vajtojmë;
  6. f) Çdo gjë që na ndodh, e mirë apo e keqe, është vepër e duarve tona;
  7. g) Nëse fati individual është i gërshetuar me fatin kolektiv, e që është, atëherë përgjegjësia nuk mund të jetë e kufizuar vetëm tek ne dhe të afërmit tanë.

 

Meditimi afatgjatë

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:

“Vazhduan të shkojnë deri sa arritën te banorët e një qyteti që prej tyre kërkuan t’u japin ushqim, po ata nuk deshën t’i pranojnë si mysafirë (e as t’i ushqejnë), e ata të dy gjetën aty një mur që gati po rrëzohej, e ai e drejtoi atë (murin).”[13]                                                        

Me këtë verset kur’anor vijmë te rasti i tretë dhe i fundit në këtë udhëtim mahnitës mes Musait (a.s.) dhe Hidrit. Kësaj radhe dy bashkudhëtarët vijnë të lodhur e të uritur te një fshat ku kërkojnë ushqim. Por, ata nuk u dëshiruan mirëseardhje dhe as nuk i ushqyen. Me gjithë këtë Hidri gjen një mur, gati duke u rrënuar, të cilin e drejton. Musai (a.s.), përsëri i hutuar, me shpejtësi i drejtohet:  

“(Musai) Tha: ‘Sikur të kishe dashur do t’u merrje shpërblim për këtë!’”[14]                                                                      

Me fjalë të tjera Musai (a.s.) çuditet me veprimin e Hidrit për dy shkaqe:

1)  Hidri e rregullon murin gati të rrënuar në fshatin ku banorët u sollën ndaj tyre në mënyrë jokorrekte;

2)  Hidri nuk kërkon kurrfarë kompensimi për veprën e kryer;

Hidri në fund shpjegon sjelljet nga perspektiva e tij dhe thotë:

“Për sa i përket murit, ai ishte i dy djelmoshave jetimë të atij qyteti, e nën të ata kishin një thesar (ari) dhe babai i tyre ka qenë njeri i mirë, e Zoti yt dëshiroi që ata dy (jetimë) ta arrijnë pjekurinë e vet dhe ta nxjerrin ata vetë thesarin e tyre. Kjo ishte mëshirë e Zotit tënd (ndaj tyre). Dhe unë nuk e punova tërë atë sipas bindjes sime (po sipas udhëzimit të Zotit). Ky, pra, është sqarimi i asaj për të cilën nuk munde të kesh durim!”[15]                                                     

Hidri përsëri vë theksin te rëndësia e informacionit në kohën e duhur, duke shprehur se ka qenë i njoftuar për sjellje të këqija në atë fshat, por që kjo nuk ka ndikuar në kryerjen e veprës së mirë. Përsëri fokusin e ka, sikurse në fillim, në kategoritë e rrezikuara të shoqërisë, konkretisht të dy jetimëve dhe ndërmerr projektin konkret me të cilin dëshiron të mbrojë interesat e këtyre fëmijëve të pafuqishëm, duke siguruar ardhmërinë e tyre.

Me këtë mënyrë të meditimit të problemit shoqëror dhe veprimit konkret të Allahut të Madhërishëm, mësojmë mes të tjerash edhe këto:  

  1. a) Duhet larguar nga përgjithësimet, sepse të gjitha përgjithësimet janë të gabuara;
  2. b) Nevojitet të vërehen të mirat dhe pozivitetet në çdo gjë dhe në çdo vend;
  3. c) Obligim i planifikimit afatgjatë;
  4. d) Sigurimi i injeksioneve financiare të brezave në zhvillim;
  5. e) Mbrojtja e interesave të të rinjve mendjemprehtë;
  6. f) Individi, i cili e mendon ardhmërinë, e ka të tashmen më cilësore;
  7. g) Ndryshimi në mes njerëzve bujarë e zemërgjerë dhe përfituesve zemërngushtë është se të parët nuk presin shpërblim financiar.

Këtu mund të pyesim përse Hidri, që nga fillimi e deri në fund të shoqërimit me Musain (a.s.), ka insistuar në atë që Musai (a.s.) të mos e pyesë përderisa ai të vendosë t’i shpjegojë. Por, veprat e tij ishin aq tronditëse saqë vështirë do t’i pranonte ndonjë person pa bërë pyetje. Përse, për shembull, para hipjes në anije Hidri nuk ia tregoi shkaqet e dëmtimit së saj? Ose, përse më parë nuk ia shpjegoi mbytjen e fëmijës ose ndërtimin e murit? Ku qëndron çështja? Mos ndoshta, kemi të bëjmë me metodë speciale të edukimit nëpërmes dozës tronditëse, që të aktivizohen të gjitha shqisat dhe angazhimin maksimal mendor të vetë nxënësit, duke i lënë hapësirë që vetë, i pavarur, të mundohet t’i zgjidhë motivet e fshehta të këtyre ngjarjeve? Sikur Hidri t’i shpjegonte në mënyrë të detajuar tre veprimet e veta nuk do ta kishte vëmendjen e plotë të nxënësit të tij, nuk do t’i njihte reaksionet e sigurta të tij, nxënësi nuk do të njihte veten e tij dhe gabimet në perceptimin e tij. Hidri përfundimisht tregohet si person shumë interesant, me stil të veçantë dhe unik, i cili tërheq vëmendjen e tjetrit.

Pra, a nuk është kjo maksimumi i një qasje të drejtë pedagogjike?!

 

Meditimi oportunistik

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik urdhëron e thotë:

“S’ka dyshim se ata që trilluan shpifjen, janë një grup prej jush. Ju mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju, përkundrazi, ajo do të jetë në dobinë tuaj…”[16]                           

Shkaku i zbritjes së këtij ajeti është shpifja në nderin dhe pafajësinë e Aishes (r.a.) nga një grup hipokritësh, me në krye Ubej ibni Selulin, të cilët shfrytëzojnë rastin e kësaj ngjarjeje dhe përhapin lloj-lloj fjalësh. Në këtë valle të shpifjes hidhen edhe disa myslimanë. Në fund “ndërhyn” Allahu i Madhërishëm, duke shpallur këtë pjesë të Kur’anit për pafajësinë e Aishes (r.a.), i ngrit autoritetin duke shpallur ajete rreth pastërtisë së saj, ua tërheq vërejtjen myslimanëve, që lejuan përhapjen e një shpifje të tillë.  

Pejgamberi (a.s.), Ebu Bekri, Aishja ishin më të goditurit nga ajo shpifje, duke ndier dhe përjetuar një dhimbje të madhe emocionale dhe presion psikologjik. Allahu i Gjithëdijshëm, duke ditur tërë situatën, zbret versetet e ngushëllimet, duke i mësuar ata por edhe të gjithë ne nëse do të ndodhemi në një situatë të ngjashme të pakëndshme jetësore.

Kur’ani Fisnik porosit:

“…Ju mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju, përkundrazi, ajo do të jetë në dobinë tuaj…”[17]

Në çfarë mënyre kjo situatë është e mirë për ata që e shohin të dëmshme:

  1. a) Për shkak të kësaj shpifjeje nderi dhe pastërtia e Aishes (r.a.) janë cekur në Kur’an;
  2. b) Me këtë iu është treguar nderi dhe kujtimi i përhershëm i Aishes (r.a.), sepse Krijuesi “ndërhyri” drejtpërdrejt për të vërtetuar pafajësinë e saj;
  3. c) Shpifja ishte shkak i shpalljes së verseteve, që janë rregulla që u nevojiten jo vetëm njerëzve hipokritë pa marrë parasysh vendin ku jetojnë, dhe kanë të bëjnë me marrëdhënien ndaj informatave dhe burimeve të tyre:
  4. d) Falë kësaj shpifjeje hipokritët dolën në sipërfaqe, sepse ishin të maskuar si njerëz potencialë të prishjes së rendit edhe në të ardhmen;

Është interesant se në Kur’an, në shumë vende, përmenden versetet:

“…Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju…”[18]

Ose: “…ndodh që Allahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni.”[19]

Me këto versete Krijuesi na mëson me formën e meditimit opurtunistik, d.m.th të vëzhguarit në situata të cilat shumica i shohin vetëm të dëmshme. Është fakt se asgjë nga ajo që ndodh nuk mund të jetë e mirë ose e keqe, por është në pyetje interpretimi ynë. Prej gjërave që ne njerëzit më së shumti ankohemi dhe më së shumti urrejmë, janë dhembja dhe urrejtja! Por, edhe dhembja në fakt i ka përparësitë e saj:

  1. a) në gjendjen e dhembjes dhe vuajtjes, shqisat janë më të mprehta, më perceptuese dhe njeriu është i aftë t’i vërejë detajet e botës rreth vetes;
  2. b) me shqisat vigjilente njeriu është i aftë të hyjë në brendinë e gjërave dhe provokimeve;
  3. c) në gjendjen e dhembjes koha, si faktor tejet i rëndësishëm, rrjedh më ngadalë sesa koha e atyre që janë “të lumtur”;
  4. d) shqisat vigjilente, në kombinim me praninë e mjaftueshme të kohës, janë dy gjërat më të mira që mund t’i dëshirojë njeriu, i cili në produktivitetin intelektual sheh kënaqësinë më të madhe. Kështu njerëzit pa pushuar kërkojnë lumturinë të cilën e dëshirojnë me çdo çmim, edhe pse e njëjta ndoshta nuk është e dobishme:

1)  në gjendjen e lumturisë shqisat e njeriut janë sipërfaqësore dhe të topitura kështu që qasja e njeriut ndaj jetës është sipërfaqësore;

2) në gjendjen e lumturisë koha, si faktor tejet i rëndësishëm, kalon shpejt si vetëtima;

  1. e) shqisat e topitura në kombinim me mungesën e kohës janë dy gjërat më të këqija në këtë botë.

Duke marrë parasysh se myslimanët në tërë planetin, sikurse Aishja (r.a.) dikur, edhe në kohën e sotme përballen me shpifje nga qarqe të fuqishme të caktuara botërore e hipokrite, ne jemi mësuar që këtë ta konsiderojmë si dëm për ne. Përkundrazi, kjo është e mirë për ne. Si?! Komploti i drejtuar ndaj një grupi të caktuar rregullisht rezulton në:

  1. a) Forcimin e vetëdijes kolektive te grupi i caktuar;
  2. b) Pjekuria e shpejtë nën ndikimin e presionit të mjedisit;
  3. c) Lihen pas dore konfliktet mes anëtarëve të saj;
  4. d) Fokusimi në prioritete,
  5. e) Veprim i organizuar ndaj qëllimeve të vendosura afatgjatë.

 

Meditimi ambicioz

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik thotë:

“Ai (Jusufi) tha: ‘Më cakto mua përgjegjës të depove të vendit, unë jam besnik i dijshëm’.”[20]

Këtë fjalë tha robi i zgjedhur i Allahut dhe i dërguari i Tij, Jusufi (a.s.) pasi doli nga burgu. Kjo fjalë pasqyron një mënyrë të të menduarit rreth vetes dhe botës përreth, si dhe metodave edukuese të cilat u serviren myslimanëve nga prindërit e paarsimuar, nga froni i pluhurosur i hoxhës, nga dërrasat e minberit, që kanë të bëjnë me konceptin e të kënaqurit me pak, pa ambicie, me modestinë e pavlerë dhe të paketuar, të shitur nën etiketën e devotshmërisë, qyqarisë së mjerë të gërshetuar me durim.  

Është interesant të vërehet se Jusufi (a.s.) porsa doli nga burgu i përgjigjet thirrjes së mbretit, të cilit i nevojitet mjeshtëria e Jusufit (a.s.) për shpjegimin e ëndrrave. Pas këtij momenti Jusufi (a.s.) njeh momentin e duhur për afirmim, dhe në bazë të cilësive që posedonte, i bindur vendosi të kërkojë as më pak as më shumë, pozitën e ministrit të financave.

Disa porosi dhe sugjerime të cilat mund të merren nga kjo situatë janë:

  1. a) Të zhvillohen në mënyrë aktive ministritë dhe aftësitë, që i nevojiten shoqërisë;
  2. b) Të njihet vetja dhe prirjet personale;
  3. c) Orientim kah pozitat thelbësore me qëllim të ndikimit më të madh;
  4. d) Domosdoshmëria e paraqitjes depërtuese dhe bindëse;
  5. e) Formimi i mundësive në vend të pritjes së tyre, ngase tempoja e jetës është e shpejtë, ndërsa rrethanat nuk lejojnë luks të pritjes pasive;
  6. f) Çmimi i gati secilit sukses është i përmbledhur në shprehjen “me e vendos”.

 

Meditimi ofensiv

Allahu i Madhërishëm në Kur’anin Fisnik urdhëron e thotë:

“Apo, pse ata thonë: ‘Ai (Muhamedi) e trilloi atë (Kur’anin)’. Thuaj: ‘Formuloni pra dhjetë kaptina si ai (Kur’ani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, pos Allahut, po qe se jeni të drejtë (çka thoni), kë të mundeni për ndihmë!’”[21]

Në verset kemi duelin mes Muhamedit (a.s.), i cili vjen me ide të reja, dhe bashkëvendësve, të cilët dyshojnë në burimin hyjnor të këtyre ideve, duke e akuzuar se këto ide janë të tij. Në momentin kur është ballafaquar me akuzat e pabaza, Krijuesi e mëson me mënyrën se si t’u përgjigje këtyre akuzave dhe i thotë:

“Formuloni dhjetë kaptina si ai (Kur’ani)…”

Me këtë thënie, Muhamedi (a.s.) është mësuar, por edhe gjithë ne, që të mos lejojmë që të tjerët të na vendosin në bankën e të akuzuarve, kur nuk na mbetet asgjë tjetër përveç se të shërbehemi mbrojtje. Me paraqitjen ofensive me anë të së cilës sa çel e mbyll sytë ia kthejmë tjetrit me të njëjtën masë, sjellim akuzuesit tanë në situatë, që nuk do të mund të mburren dhe tregohen.

Thënë kjo në fjalorin sportiv d.m.th. topin e kundërshtarit, i cili gjendet në fushën tonë, e kthejmë me goditje vendosmërie në fushën e armikut.

Kur’ani Fisnik na mëson:

“E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit).”[22]

Pasi që kundërshtarët e Muhamedit (a.s.) nuk mundën t’i përgjigjen sfidës së tij, atëherë iu sugjeron, që të sjellin së paku vetëm një kaptinë të ngjashme me Kur’anin, duke shprehur në këtë mënyrë shumë rregulla:

  1. a) Të mos lejojmë askënd të na ulë në bankën akuzuese;
  2. b) Të mbjellim frymën e cila është e gatshme të ecë përpara pa marrë parasysh profesionin, e kjo kërkon përgatitje të vazhdueshme dhe përsosmëri;
  3. c) Vetëm individi, i cili është i bindur fuqimisht në cilësinë që ofron, mund t’i bindë të tjerët me argumente;
  4. d) Vetëdija mbi fuqinë personale sjell vetëbesim;
  5. e) Personat e kalitur negativisht dhe inatçinjtë duhet të jenë të përulur në inatin e tyre.

 

Përfundim

Gjëja më e mirë, që njeriu mund t’ua lërë fëmijëve të tij, është edukata e bukur.

Edukata e bukur nënkupton aftësimin e fëmijës, që të ketë marrëdhënie të drejta ndaj vetes, të rinjve, pleqve, mësuesve, miqve, armiqve, të ndershmëve, hajnave, etj. Shikuar me këtë kontekst, gjëja më e mirë, të cilën njeriu mund t’ia lërë fëmijës së tij, janë sistemet e drejta të edukimit.

Njëherë, një i urtë thoshte: “Myslimanë, ripërkufizoni metodat tuaja edukuese dhe metodat edukuese të fëmijëve tuaj, sepse janë të gabuara. Varrezat masive dhe historia e gjatë e dëshmojnë këtë.”

Dëgjoni zërin e Kur’anit Fisnik:

“O ju që besuat, përgjigjuni (thirrjes së) Allahut dhe të të dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë (për fenë e drejtë) dhe ta dini se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, dhe se ju do të tuboheni tek Ai.”[23]

Mesazhi i përhershëm për të gjithë ne është: “Praktiko meditimin dhe përsosi teknikat e tij.”

[1]. Al ‘Imran, 190-191.

[2]. Po aty, 190. 

[3]. Jusuf, 105.

[4]. En’am, 75-79.

[5]. Ta Ha, 25-28.

[6]. Hadithi është hasen – i mirë, nr. 4022.

[7]. Kehf, 71.

[8]. Po aty, 66.

[9]. Po aty, 71.

[10]. Po aty, 79.

[11]. Po aty, 74.

[12] Po aty, 80-81

[13] Po aty, 77

[14] Po aty, 77

[15]. Po aty, 82.

[16]. Nur, 11.

[17]. Nur, 11.

[18]. Bekare, 216.

[19]. Nisa’, 19.

[20]. Jusuf, 55.

[21]. Hud, 13.

[22]. Bekare, 23.

[23]. Enfal, 24.


  • meditim
  • tweet
Misteret e thesarit të Vrapit të Tiranës Vëllazërimi dhe barazimi n’islamizëm

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • Meditimi, rruga ndriçuese e besimit në Zot
    Meditimi, rruga ndriçuese e besimit...

    Sep 18, 2018 0

Me shumë në këtë kategori
  • Krijimi i Ademit dhe Havasë sipas Imam Maturidiut
    Krijimi i Ademit dhe Havasë sipas Imam...

    May 21, 2025 0

  • Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera
    Qasja e dijetarëve klasikë dhe...

    May 21, 2025 0

  • Burimet themelore të fesë dhe qytetërimit islam
    Burimet themelore të fesë dhe...

    May 07, 2024 0

  • Mesatarja Kur’anore shërim i ekstremizmit
    Mesatarja Kur’anore shërim i...

    Feb 12, 2024 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për...

May 21, 2025 0

Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100...

May 10, 2025 0

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i...

Apr 01, 2022 0

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Studime

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf...

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...
MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S....

Sep 13, 2024 0

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Konak me Edisonin

Konak me Edisonin

May 21, 2025 0

Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...
Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Sociologji

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky studim përmbledh mësimet shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut lidhur me leximin dhe kuptimin e Kur’anit, duke u përqendruar në thellësinë e përvojës...
Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet shoqërore

Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet...

Jul 02, 2024 0

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën  “Drita Islame” (1992-2011) në aspektin edukativ

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën ...

Jul 02, 2024 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (39)

Te Fundit

  • KRYEPËRMENDORE  PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
    KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË

    May 26, 2025 0

  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
    Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në...

    May 21, 2025 0

  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
    Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL...

    May 21, 2025 0

  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
    HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK

    May 21, 2025 0

  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut
    Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

    May 21, 2025 0

  • Konak me Edisonin
    Konak me Edisonin

    May 21, 2025 0

  • ARABËT PARA  ISLAMIT
    ARABËT PARA ISLAMIT

    May 21, 2025 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al