Perditësimi i fundit May 26th, 2025 4:35 AM

  • Rreth Nesh
    • Bordi editorial
    • Rreth revistës shkencore “Zani i Naltë”
  • Rregullat e shkrimit
  • Autorët
  • Lidhje
  • Zani i Naltë në PDF
  • Kontaktoni

Zani i Naltë

Te fundit

  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut
  • Home
  • Aktivitete
  • Shkenca Islame
  • Editoriale
    • Abstraktet
    • English
  • Shkenca
    • Shkenca dhe besimi
    • Shkenca ekzakte
    • Shkenca Komunikimi
    • Mjekësi
    • Gjuhë-letërsi
    • Përkthime
  • Studime
    • Psikologji
  • Sociologji
    • Filozofi
  • Histori
    • Personalitete
    • Retrospektivë
    • Zani i Nalte 1923-1939
  • Jurisprudencë
  • Galeri
  • Video
  • Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Google+
    • Pinterest
    • RSS Feed
    • Linked
    • Youtube

Toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar si dimension i historisë kombëtare të shqiptarëve

Jul 21, 2014 Zani i Nalte Histori 0


Shkodra (30)

nga Prof. Dr. Ferit Duka

Historia e popullit shqiptar ofron një model pothuajse unik për sa u përket veçorive të kompozicionit fetar të këtij populli në rrjedhën e shekujve. Shqiptarët ishin ndër të parët popuj të Evropës që përqafuan Krishterimin në fillimet e erës së re të historisë së njerëzimit. Skizma e vitit 1054 kur Kisha Katolike (Perëndimore) u nda përfundimisht nga Kisha Lindore (Ortodokse), shënoi ndarjen e parë të shqiptarëve në ndjekës të ritit katolik dhe në ndjekës të ritit ortodoks. S’ka dyshim se prania e riteve të ndryshme të krishtere në mesin e shqiptarëve kri­jonte një gjendje specifike në krahasim me popujt e tjerë të Ballkanit, të cilët pothuajse ishin homogjenë nga pikëpamja e strukturës fetare.

Megjithatë, pamja fetare në tokat shqiptare do të pësonte ndryshi­me thelbësore, duke filluar nga shek. XV. Me vendosjen e sundimit os­man në tokat shqiptare, përkatësia e krishterë e shqiptarëve (pjesëri­sht në ritin ortodoks dhe pjesërisht në atë katolik), filloi të reduktohej në dobi të përhapjes së Islamit, fe zyrtare e shtetit osman.

Nëse vështrohet procesi i islamizimit nga pikëpamja sociale, bëh­et e qartë se pjesa e sipërme e piramidës shoqërore, fisnikëria shqip­ta­re, ishte e para që provoi dukurinë e kalimit në Islam, ndërsa, nga ana tjetër, vëmë re se depërtimi në shkallë të gjerë i fesë islame në radhët e popullit shqiptar gjeti shprehje pikësëpari në qytete.

Qytetet kryesore shqiptare, si Elbasani, Berati, Prizreni, Shkodra, Vuçitërna (sot: Vushtrria-F.D.), etj. u bënë seli e dinjitarëve të lartë të pushtetit provincial osman si, e sanxhakbejlerëve, allajbejlerëve, ka­di­jve, etj. Qytete të tjera më të vogla u shndërruan në qendra të kazave apo nahijeve. Nga ana tjetër, degët kryesore të veprimtarisë ekono­mi­ke në qytete, zejtaria dhe tregtia, filluan të modelohen në përputhje me kërkesat e ushtrisë dhe të funksionarëve të pushtetit osman në pro­vinca dhe në qendër. Në këto rrethana, fillimi i rimëkëmbjes eko­no­mike dhe shoqërore të qyteteve shqiptare në fund të shek. XV dhe fillim të shek. XVI, përkon në kohë edhe me fillimet e depërtimit të Islamit në masën e gjerë të popullsisë qytetare. Ndërsa për mjaft qendra qytetare fillimet e këtij procesi konstatohen vetëm në vitet ‘20-30 të shek XVI, për disa të tjera duket se feja e re ka nisur të “zbresë” nga parësia e islamizuar në masën e popullsisë qytetare të krishterë, të paktën që nga vitet ‘80 të shek. XV.

Kështu, p.sh., qytetet e Vlorës, Gjirokastrës dhe Beratit, ende në fi­llim të shek. XVI nuk kishin të regjistruar asnjë shtëpi myslimane (këtu përjashtohet klasa ushtarake-administrative pjesëtarët e së cilës nuk regjistroheshin në defterët osmanë, sepse nuk bënin pjesë në po­pullsinë taksapaguese). Ndryshe nga qytetet e lartpërmendura, që në vitin 1485 qyteti i Shkodrës numëronte 26 shtëpi myslimane, ndërsa qyteti i Pejës 23 syresh. Për më tej, në qytetin e Vuçitërnës më 1487, ekzistonte “bashkësia e myslimanëve” me 33 shtëpi nga 107 shtëpi që kishte qyteti; po këtë vit në qytetin e Prishtinës numë­ro­he­shin 51 shtëpi të islamizuara nga 299 shtëpi, që kishte gjithsej qyteti; ndërsa qyteti i Tetovës, që më 1468 kishte të regjistruara 41 shtëpi të kthyera në Islam nga 164 shtëpi që numëronte gjithsej ky qytet.

Ndërsa në pjesën qytetare të popullsisë shqiptare feja islame u përhap me ritme relativisht të shpejta, veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shek. XVI, dukuria e apostazisë (lëshimit të fesë) ende kësaj kohe nuk ishte karakteristike për popullsinë fshatare. Dallimet e më­dha midis popullsisë qytetare dhe asaj fshatare për sa i përket shkallës së islamizimit, duken në faktin se aty nga fundi i shek. XVI përqindja e islamizimit të së parës kapte shifrën 49 në një kohë që e dyta ishte islamizuar vetëm në rreth 17% të saj. Megjithatë, kalimi total në Isl­am i parësisë shqiptare, konsolidimi i pozitave të fesë isla­me në qytete nëpërmjet depërtimit masiv të saj në radhët e popullsisë qytetare, ishin premisa të fuqishme për shpejtimin e ritmeve të islamizimit edhe në pjesën rurale të popullsisë.

Për këtë arsye, duke filluar që nga shek. XVII, burimet historike flasin për kalime masive në Islam të popullsisë së krishterë. Gjatë kë­saj kohe një numër i madh fshatrash u islamizuan tërësisht. Në mjaft fshatra të tjera konstatohet rënie e dukshme në numrin e shtëpive të krishtera nga njëra anë dhe shtim i shtëpive myslimane nga ana tjetër.

Në vitin 1624 në tërë dioqezën katolike të Tivarit nuk numërohe­shin më shumë se 2000 banorë të besimit katolik, ndërsa në qytetin me të njëjtin emër kishte mbetur vetëm një kishë e ritit të lartpër­mendur, e cila mundi të shërbente si e tillë deri në fund të shekullit XVII. Sipas një relacioni të kreut të Arkipeshkvisë së Tivarit V. Zmajeviç, përpiluar më 1703, procesi i islamizimit në dioqezat e përf­shira brenda juridiksionit të arkipeshkvisë së lartpërmendur (Shkodra, Pulti, Zadrima, Lezha dhe Durrësi) kishte arritur në kuota të konsider­ueshme. Në vitet ‘20 të shek. XVIII, në nahijet dhe në kazatë e Shqip­ërisë së Mesme, popullsia pothuajse tërësisht kishte përqafuar besimin islam. Gjatë shek. XVIII edhe popullsia e krahinave të Shqipërisë Jugore u fut në rrugën e islamizimit masiv. Në vitet 1735-40 pjesa dërr­muese e banorëve të Vlorës, Beratit dhe krahinave përreth, e kishte lëshuar fenë ortodokse duke kaluar në Islam.

Vrojtimi i dinamikës së procesit të islamizimit tregon se rreth mesit të shek. XVIII, struktura e re fetare e popullit shqiptar, d.m.th. përpjesëtimet sasiore midis popullsisë së krishterë dhe asaj të islami­zuar, kishin arritur pak a shumë në nivele të qëndrueshme, të cilat, me ndryshime të pakta, do të ruhen deri në ditët tona. Kalimet e mëvon­shme në Islam, nga ana numerike nuk ishin të asaj shkalle sa të kishin ndikime të ndjeshme në strukturën konfesionale të popullit shqiptar.

Islami u përhap në tokat shqiptare jo vetëm në variantin e vet kry­esor, sunit, por edhe në formën e sekteve (tarikateve) të ndryshme siç ishin Bektashizmi, Halvetizmi, Rufaizmi, etj. Dëshmi të pranisë së këtyre sekteve mistike në territorin shqiptar ishin teqetë e ndërtuara në një numër vendbanimesh. Midis sekteve islamike në fjalë, Bektashiz­mi fitoi një popullaritet dhe shtrirje të konsiderueshme në viset shqip­tare.

Natyra liberale dhe eklektike e Bektashizmit e bëri këtë sekt mjaft të pranueshëm për mjedisin ballkanik e veçanërisht për atë shqiptar, ku feja e krishterë bashkëjetonte me elemente të fuqishëm të trashëgimi­së pagane të periudhës parakristiane. Në këtë mënyrë, përhapja e Bek­tashizmit në tokat shqiptare, u bë një nga aspektet kryesore të procesit të islamizimit të popullsisë, duke e shoqëruar këtë proces që nga fi­llimet e tij. Edhe pse siç u theksua më sipër, tradita bektashiane duhet të ketë qenë e hershme në Shqipëri (fundi i shek. XIV- fillimet e shek. XV), burimet historike të njohura deri më tani, i regjistrojnë gjurmët e saj që nga gjysma e dytë e shek. XVII.

Ritmet e përhapjes së Bektashizmit në radhët e popullit shqiptar u shpejtuan gjatë gjysmës së dytë të shek. XVIII dhe fillimeve të shek. XIX. Në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XIX përmasat gjeografike të shtrirjes së Bektashizmit në viset shqiptare ishin pothuajse të trajtës përfundimtare dhe më pas, mund të flitet përgjithësisht vetëm për evolucion të brendshëm të këtij sekti në Shqipëri dhe jo për ndonjë ridimensionim hapësinor të përhapjes së tij.

Me përhapjen e fesë islame, në viset shqiptare u thellua më tej diversiteti fetar, gjë që potencialisht krijonte kushte për përçarjen dhe shpërbërjen e kombit shqiptar. Mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi, për arsye se realiteti i ri fetar ishte një mozaik i vendosur mbi një shtrat të fuqishëm, të përforcuar në rrjedhën e historisë nga veprimi i faktorëve të konvergjencës, siç ishin tiparet etnopsikologjike, gjuha dhe kultura e përbashkët, etj. Nga ana tjetër, ashtu sikundër Krishterimi (Ortodoks apo Katolik) edhe Islami tek shqiptarët, përgjithësisht, mbeti një fe popullore (veçanërisht në pjesën rurale të popullsisë), larg intoleranc­ës dhe fanatizmit. Për më tepër, përhapja në viset shqiptare e sekteve (tarikateve) të ndryshme islamike krahas Islamit sunit, e zbuti së tepërmi klimën e marrëdhënieve ndërfetare në trevat shqipta­re. Një rol të veçantë në këtë drejtim luajti urdhri bektashian, du­ke predikuar tolerancën dhe mirëkuptimin mbarëshqiptar, kon­tribuoi në frenimin e prirjeve ndarëse në gjirin e popullsisë dhe në fuqizimin e lidhëzave të unitetit mbi baza etnike e kombëtare.

Të dhënat e përftuara nga burime të ndryshme historike mund të konsiderohen si vërtetimi më i sigurt për ekzistencën e tolerancës dhe të bashkëjetesës paqësore midis shqiptarëve të besimeve të ndry­shme. Misionarët katolikë të shek. XVII në raportet e tyre dërguar Se­lisë së Shenjtë të Romës, na e përcjellin me qartësi një realitet të tillë kur theksojnë se nga që rrinë vazhdimisht bashkë, të krishterët mëso­nin shumë sende nga myslimanët, si p.sh., të kremtonin ditën e premte, që ishte festa kryesore e këtyre të fundit, ndërsa myslimanët, si të prejardhur nga të krishterët, ruanin shumë zakone të këtyre të fundit. Të dy palët ftonin njëri-tjetrin në kremtime festash, në raste vdekjesh, në dasma, etj. Shumë nga të krishterët, sipas të njëjtave burime, duke marrë e dhënë me myslimanët, besonin se edhe ata çliroheshin nga mëkatet, në se kishin të tilla. Një gjë të tillë e vinte re edhe një vëzhg­uese e huaj në Stamboll, e cila më 1717 në lidhje me shqiptarët shkru­ante: “Këta njerëz, që jetojnë midis të krishterëve dhe muhamedanë­ve dhe që nuk ua kanë marrë dorën mosmarrëveshjeve (fetare-F.D.), deklarojnë se nuk janë aspak në gjendje të gjykojnë, se cili besim është më i miri. Por, për hir të së  vërtetës, ata i ndjekin me maturi të dy besimet. Shkojnë në xhami të premteve dhe në  kishë të dielave, duke nxjerrë si pretekst se në ditën e gjykimit do të kenë mbrojtjen e profetit të vërtetë; mirëpo, se kush është ky profet, nuk janë në gje­ndje ta përcaktojnë në këtë botë”.

Veçanërisht gjatë shekujve kur procesi i islamizimit të popullsisë shqiptare ishte në zhvillim e sipër, vija dalluese midis pjesës së kri­shterë dhe asaj të islamizuar të popullsisë, paraqitej jo fort e theksuar. Kështu, p.sh. në mjaft raste, ndryshimet në përkatësinë fetare u neglizhuan në sfera të tilla të rëndësishme të jetës shoqërore, siç ishin ma­rrëdhëniet martesore. Burimet historike të shek. XVII-XVIII jo rrallë ofrojnë të dhëna, sipas të cilave, vajza të krishtera martoheshin me djem të islamizuar dhe se këta të fundit u kërkonin priftërinjve katolikë, që grave të tyre të krishtera t’u jepeshin sakramentet e shenjta (pa­gëzimi, kungimi, rrëfimi etj.). Për më tej, ishin të shumta rastet kur edhe familje tërësisht të islamizuara u kërkonin priftërinjve pagëzi­min e fëmijëve të vet. Në zonën rurale sidomos, toleranca në zbatimin e normave dhe të porosive të fesë islame ishte akoma më e shprehur. Në mesin e popullsisë fshatare, ishin pothuajse të panjohura dukuri të tilla si mbulimi i fytyrës së grave, etj. Në këtë segment të popullsisë shqiptare, për shkak të prirjeve konservuese më të fuqishme, bashkë­jetesa e traditave parakristiane (pagane), kristiane dhe islamike, ishte më karakteristike se sa në mjedisin qytetar.

Nga ana tjetër, pjesëmarrja e përbashkët e popullsisë shqiptare, si të krishtere ashtu dhe myslimane, në lëvizjen çlirimtare kundërosma­ne, flet qartë për cektësinë e ndarjes fetare përballë vetëdijes së bazuar në njësinë etnike e kombëtare. Midis të tjerash, këtë fakt e përforcon edhe Pjetër Budi, një nga prelatët katolikë dhe intelektualët e shquar shqiptarë të shek. XVII, i cili në një projekt të vetin të vitit 1621, për organizimin e kryengritjes çlirimtare në Shqipëri, llogariste si pjesë­marrës në të, jo vetëm pjesën e krishterë, por edhe atë myslimane të popullit shqiptar.

Realiteti i ri konfesional, i cili gjente shprehje në ekzistencën tash­më të katër komuniteteve fetare (mysliman-sunit e bektashian, ortodo­ks dhe katolik), fatmirësisht në rastin shqiptar, nuk u shoqërua me krijimin e një realiteti të ri etnik. Si popullsia e krishterë, ashtu dhe ajo e islamizuar, pavarësisht nga dallimet fetare, vijuan të ruanin  përka­tësinë etnike shqiptare, e cila shprehej në gjuhën, zakonet, traditat dhe përgjithësisht në konstitucionin shpirtëror të përbashkët. Fuqia e li­dhjeve tradicionale midis shqiptarëve të përforcuara në rrjedhën e historisë ishte e tillë që neutralizonte një përçarje të mundshme të shkaktuar nga diversiteti fetar. Në këtë mënyrë, vetëdija kombëtare e shqiptarëve mbeti parësore në identifikimin e tyre përpara të huajve. Ndryshe nga provincat e tjera të Perandorisë Osmane, ku njerëzit që pyeteshin se ç’ishin, të përgjigjeshin se ishin “turq”, apo “kristianë”, në Shqipëri për të njëjtën pyetje përgjigja ishte “jam shqiptar”.

Bashkëjetesa paqësore dhe toleranca në marrëdhëniet ndërfetare si një vlerë e spikatur dhe e qëndrueshme e popullit shqiptar ka gjetur shprehje të qartë edhe në veprën e njohur “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët” të rilindasit shqiptar Pashko Vasë Shkodrani, ku, ndër të tjerash thuhet: “Myslimanët e Shqipërisë janë shqiptarë, si dhe të krishterët; flasin po atë gjuhë, kanë po ato zakone, vazhdojnë po ato doke dhe po ato tradita. Në mes atyre dhe të krishterëve kurrë s’ka pa­sur smira të rrënjosura as dhe armiqësira shekullore. Ndryshimi i fesë kurrë s’ka qenë një shkak për t’i shtyrë në një përçarje sistematike; myslimanët dhe të krishterët, me pak përjashtime, gjithmonë kanë je­tuar në një shkallë barazie, që gëzojnë po ato të drejta dhe përmbushin ato detyra”.

Mjaft domethënëse janë në këtë drejtim edhe përshtypjet e përftu­ara nga publicistja dhe etnologia e njohur E. Durham, e cila e ka vizi­tuar Shqipërinë në vitet e para të shek. XX. Gjatë udhëtimit në jug­li­ndje të vendit ajo kishte takuar kajmekamin e Leskovikut, një shqiptar i ri që fliste mirë frëngjisht. Në bisedë e sipër ai i kish thënë zonjës angleze se të gjitha fetë, për të, të nxirrnin në të njëjtin shteg: që të shkojmë në një vend duhet të ndjekim rrugën; shkojmë nëpër­mjet rru­gës së Kishës apo të Xhamisë, s’ka asnjë ndryshim. Zoti është gjith­monë po ai, por ajo që duhet të mbajmë mend në radhë të parë është se ne jemi shqiptarë.”

Gjatë rrugës Leskovik-Përmet, Durhami ndeshi një kishëz guri të dalë jashtë funksionit, sepse tashmë fshati përreth ishte kthyer në mysliman. Megjithatë, asaj i kishin thënë se kjo kishë ishte e mbrojtur nga një mrekulli dhe se asnjë njeri nuk guxonte të priste dru pranë saj.

Gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, aktivistët e Lëvizjes Kom­bëtare Shqiptare forcimin dhe zhvillimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, e vendosën në qendër të veprimtarisë së tyre patriotike. Në këtë mënyrë, shqiptarët ftohe­shin për bashkim, jo duke i mohuar, por përkundrazi, duke i respektuar fetë e ndryshme që ekzistonin në Shqipëri.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare për çlirim nga sundimi osman dhe krijimin e shtetit kombëtar të pavarur, përbën një shembull mjaft do­methënës të bashkëpunimit të sinqertë dhe pa asnjë paragjykim të intelektualëve dhe aktivistëve patriotë, pavarësisht nga përkatësia e ndryshme fetare, të cilët dhanë një kontribut vendimtar për afirmimin politik e kulturor të kombit shqiptar.

Solidariteti dhe toleranca fetare midis shqiptarëve u shfaqën me një shkëlqim të veçantë edhe në periudhat e mëvonshme. Atë Luigj Bumçin, Atë Gjergj Fishtën, Mehdi Frashërin, Mihal Turtullin, Hoxhë Kadrinë, Luigj Gurakuqin, Fan Nolin dhe Faik Konicën, i shohim të gjithë së bashku në Shqipëri, apo jashtë saj në mbrojtje të çështjes shqiptare.

Prifti katolik Luigj Bumçi, i cili në dhjetor të 1919 shkoi në Vatik­an në mbrojtje të çështjes shqiptare, i tha Papës se shumica e shqip­tarëve që ndodheshin në Paris si anëtarë të delegacionit shqiptar ishin myslimanë, dhe se e kishin zgjedhur atë kryetar të tyre dhe e kishin dërguar atje (pra në Vatikan – F.D.) për t’i kërkuar Shenjtërisë së Tij të ndihmonte në zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Ishte pikërisht ky realitet fetar në Shqipëri, që tërhoqi dukshëm vëmendjen edhe të diplomatëve të huaj në aktivitetet ndërkombëtare të organizuara për Shqipërinë në fillim të viteve 20-të. Duke marrë fjalën në Gjenevë më 17 dhjetor 1920 në Lidhjen e Kombeve kur diskutohej çështja e pranimit të Shqipërisë në të, delegati indian u shpreh: “Kur në botë zhvillohen ende luftëra ndërfetare, në Shqipëri, myslimanët, katolikët, ortodoksët, jetojnë në harmoni dhe është fakt i shkëlqyer për një vend me shumicë dërmuese të popullsisë myslimane të përfaqësohej këtu nga një kristian (është fjala për Fan Nolin – që kryesonte delegacionin shqiptar) dhe pikërisht një prift.”

Fan Noli i kapërceu kufijtë e përkatësisë fetare dhe mendoi dhe veproi gjatë gjithë jetës së tij në dobi të mbarë popullit shqiptar. Në këtë prizëm ai vlerësonte si të domosdoshëm afrimin dhe bashkimin kishtar të krishterëve shqiptarë, si dhe për zhvillimin e dialogut ndër­fetar krishtero-mysliman.

Edhe mbreti i shqiptarëve Zogu I, i cili bëri shumë për moder­nizimin e institucioneve fetare në Shqipëri, për ndarjen e shtetit nga feja, ditën që u bë mbret i shqiptarëve me 1 shtator 1928, bëri betimin e tij, duke vendosur duart mbi Bibël dhe Kur’an, duke premtuar se do të mbronte unitetin kombëtar.

Me shembjen e komunizmit në Shqipëri, me rihapjen e institucio­neve fetare, myslimanët, katolikët dhe ortodoksët, morën pjesë së ba­shku në ceremonitë e rihapjes së këtyre institucioneve, ashtu siç festojnë sot së bashku festat fetare të njëri-tjetrit.

Sot, ne shqiptarët jemi më të vetëdijshëm që të luftojmë më shumë për fuqizimin e faktorëve, që ndihmojnë dhe ushqejnë harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore fetare e kultivuar historikisht, duke luftuar dhe shmangur ndikimet negative, që mund tu imponohen shqiptarëve kryesisht nga jashtë Shqipërisë.


  • tweet
Filozofia e medreseve në sistemin arsimor të Shqipërisë Mesazhi Islam - Fe për të gjithë

Zani i Nalte

Artikuj të ngjashëm
  • KRYEPËRMENDORE  PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
    KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E...

    May 26, 2025 0

  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
    Ftesë zyrtare nga Dikasteri për...

    May 21, 2025 0

  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
    Recension për librin:...

    May 21, 2025 0

  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
    HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I...

    May 21, 2025 0

Me shumë në këtë kategori
  • ARABËT PARA  ISLAMIT
    ARABËT PARA ISLAMIT

    May 21, 2025 0

  • Ndikimi i reformizmit dhe iluminizmit te Hafiz Ali Korça
    Ndikimi i reformizmit dhe iluminizmit...

    Jul 02, 2024 0

  • Xhamia e Qyrjanit – Institucioni i parë islam në trevën e Krajës
    Xhamia e Qyrjanit – Institucioni...

    May 07, 2024 0

  • 100 VJET MEDRESEJA E TIRANËS (1924 – 2024)
    100 VJET MEDRESEJA E TIRANËS (1924...

    Feb 01, 2024 0


Leave a Reply Cancel reply

You must be logged in to post a comment.

Aktivitete

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu

Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për...

May 21, 2025 0

Në kuadër të marrëdhënieve të mira ndërfetare dhe bashkëpunimit me institucionet fetare ndërkombëtare, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori...
Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100 Vjet Komuniteti Mysliman i Shqipërisë”

Zhvillohet konferenca shkencore me temë: “100...

May 10, 2025 0

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i paqes në këndvështrimin fetar”

Zhvillohet Simpoziumi XI Ndërfetar “Koncepti i...

Apr 01, 2022 0

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë në Universitetin Bedër aktivitet me studentë nga trevat shqiptare

Instituti për Lirinë e Besimit dhe Demokracinë...

Sep 18, 2021 0

Studime

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth  “El-Huruf el-Mukatta’a” Shkronjave të Ndërprera

Qasja e dijetarëve klasikë dhe modernë rreth “El-Huruf...

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky punim trajton një nga temat më komplekse dhe të diskutueshme në studimet e Kur’anit: “El-Huruf el-Mukatta’a” (shkronjat e ndërprera) që shfaqen në fillim të 29...
MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S. – MEVLUDI

MANIFESTIMI I DITËLINDJES SË PEJGAMBERIT A.S....

Sep 13, 2024 0

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Roli i mejtepeve në zhvillimin e arsimit shqip

Jul 02, 2024 0

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar  i periodikut islam në gjuhën shqipe

“Zani i Naltë” paraprijës – themeltar i...

May 07, 2024 0

Gjuhë-letërsi

Konak me Edisonin

Konak me Edisonin

May 21, 2025 0

Nuredin Nazarko Abstrakt “Konak me Edisonin” është një reflektim filozofik-letrar që eksploron përmasat ekzistenciale të jetës njerëzore përmes një udhëtimi meditativ...
Një ngjarje “e rastësishme”

Një ngjarje “e rastësishme”

Nov 03, 2020 0

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje tjetër

Ferit Mustafa Vokopola përmes një qasjeje...

Oct 26, 2020 0

Sociologji

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

May 21, 2025 0

Abstrakt Ky studim përmbledh mësimet shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut lidhur me leximin dhe kuptimin e Kur’anit, duke u përqendruar në thellësinë e përvojës...
Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet shoqërore

Ndikimi i gjuhës së fesë në ndryshimet...

Jul 02, 2024 0

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën  “Drita Islame” (1992-2011) në aspektin edukativ

Trajtimi i çështjeve të familjes në gazetën ...

Jul 02, 2024 0

1923 – 1939

1939 – 1945

Zani i Naltë (39)

Te Fundit

  • KRYEPËRMENDORE  PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
    KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË

    May 26, 2025 0

  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
    Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në...

    May 21, 2025 0

  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
    Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL...

    May 21, 2025 0

  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
    HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK

    May 21, 2025 0

  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut
    Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

    May 21, 2025 0

  • Konak me Edisonin
    Konak me Edisonin

    May 21, 2025 0

  • ARABËT PARA  ISLAMIT
    ARABËT PARA ISLAMIT

    May 21, 2025 0

Më të lexuarat

  • Mirë se vjen “Zani i Naltë”
    Mirë se vjen “Zani i Naltë”

    Nov 10, 2012 0

  • Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e kulturore
    Promovohet “Zani i Naltë”, revistë shkencore e...

    Feb 25, 2013 0

  • 90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar
    90 vjet Komunitet Mysliman Shqiptar

    Feb 25, 2013 0

Të fundit

  • KRYEPËRMENDORE PIRAMIDË E PËRMENDOREVE TË ATDHEUT TONË
  • Ftesë zyrtare nga Dikasteri për Dialogun Ndërfetar në Vatikan për kryetarin e KMSH H. Bujar Spahiu
  • Recension për librin: “KONFERENCA E BUJANIT GURTHEMEL I SHTETËSISË SË KOSOVËS (31 Dhjetor 1943 dhe 1 e 2 Janar 1944)” nga autori Alban Dobruna
  • HASAN EF. NAHI – PËRKTHYES I KURANIT FISNIK
  • Etika shpirtërore dhe parimet morale të Imam Gazaliut

Gallery

zani-i-nalte-1 1557671_490835901024941_1099865082_n 6 5
Copyright 2013 Zaninalte.al